Tensione të larta në Kuvendin e Kosovës: Opozita braktis seancën në protestë kundër trajtimit të raportit të DASH-it nga mazhoranca

Aktuale

Tensione të larta në Kuvendin e Kosovës: Opozita braktis seancën në protestë kundër trajtimit të raportit të DASH-it nga mazhoranca

Nga: Bota sot Më: 25 prill 2024 Në ora: 08:25 Përditësuar në ora: 16:24 më 25.04.2024
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për zyrtarët publikë. Në seancën e sotme, të zgjedhurit e popullit zgjodhën edhe Batisha Ibrahimi anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP).

Krahas kësaj, deputetët e mazhorancës miratuan rezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022.

Ndërkaq, dështuan të miratojnë Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, pasi s’pati kuorum në vendimmarrje për shkak se disa deputetë të LVV-së nuk morën pjesë fare në votim.

Kuvendi në seancën e sotme dështoi të miratojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, pasi deputetët opozitarë lëshuan sallën plenare.

Pas përfundimit të këtyre pikave, kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci mbylli punimet e seancës së sotme plenare.

​S’ka kuorum, dështon sërish miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend

Trembëdhjetë marrëveshje ndërkombëtare kanë dështuar sërish të votohen në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme plenare. Të njëjtat nuk u hodhën fare në votim, pasi në sallën plenare nuk ishin mbi tetëdhjetë deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se marrëveshjet do të vihen në rend të ditës sërish në seancat e radhës.

Mirëpo, për marrëveshjen ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit Tetovë-Prizren pati debat ndërmjet deputetëve.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se kjo marrëveshje ka paqartësi të madhe juridike, ekonomike dhe shkencore.

Sipas tij, ky investim kaq kapital për vendin nuk i referohet asnjë ligji apo rregullore në Kosovë.

“Ky projektligj është shumë i veçantë, por me paqartësi shumë të madhe juridike, ekonomike dhe shkencore. Qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi i projektit të ndërtimit të tunelit Tetovë-Prizren. Do të pajtohesha edhe profesionalisht dhe juridikisht me këto tri nene, sikur marrëveshja që po orvatemi të ratifikojmë do të ishte e mirë profesionalisht dhe e qartë e zbatueshme. Do të pajtohesha sikur marrëveshja të mbështetej në ligjet e Kosovës... Në asnjë nen, asnjë shprehje nuk i referohemi asnjë ligji, rregullore të brendshme qeveritare apo të jashtme ndërkombëtare. Pra kjo marrëveshje nuk thirret në asnjë pikë dhe rregullativën ligjore të Kosovës”, tha ai.

Mirëpo atij i reagoi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se është për keqardhje mosvotimi i kësaj marrëveshje, që sipas tij lidh Prizrenin me Tetovën.

“Kjo është për keqardhje. Me të vërtet është për keqardhje. Le ta dinë qytetarët e Prizrenit se kush po i bllokon, kush po i mban të izoluar dhe kush po e ndal një aspiratë të kamotshme. Por një gjë e di se kjo qeveri, LVV-ja dhe kushdo që i thotë deputet vetit, nuk do të ndal dhe do të gjejë rrugë për të shtyrë këtë projekt përpara. Rruga Prizren-Tetovë do të realizohet. Kot e keni”, tha ai.

Por, deputeti opozitar tha se ai nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por është kundër që në emër të rrugës, siç tha të vidhet.

“Unë jam për me ndërtu rrugën, por nuk jam në emër të rrugës me vjedh. Në projekte kapitale nuk vidhet”, theksoi Shala.

Opozita lëshon seancën për shkak të qasjes së mazhorancës karshi raportit të DASh-it

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë lëshuar seancën e sotme plenare, ku në rend dite ishin votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ky revoltim i partive opozitare ka ardhur për shkak të qasjes së mazhorancës karshi tyre dhe mungesa e debatit për raportin e DASh-it.

Deputeti i LDK-së, tha se

Ne si LDK dhe po ju bëjë thirrje edhe partive tjera opozitare që duke e parë qasjen e kësaj mazhorance dhe duke votuar kundër që të trajtohet një dokument i rëndësishëm siç ishte DASh-i dhe duke parë që as 30 deputetë nuk i keni për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare e që në fakt ministri na apostrofoj neve që nuk është e vërtetë. Po harroni që është sot dita 304 që kemi sanksione dhe si të tillë i humb rëndësia marrëveshjeve ndërkombëtare, ne nuk duam që të vazhdojmë që të jemi pjesë e këtij demolimi të jetës parlamentare. Ju bëjë thirrje parive që ta lëshjom sallën”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Peci: Analizat e mishit të “Apetit” e konfirmojnë se është mish i Kosovës, shpifësit do të përballen në Gjykatë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i ka quajtur shpifje pretendimet se kompania “Apetit Group” ka importuar mish Brazili në Shqipëri sikur të ishte prodhim i Kosovës.

Peci ka thënë nga foltorja e Kuvendit se zotimi i tij është të punojë ndershëm dhe se angazhimin e tij e ka për luftim të korrupsionit. Ai ka përmendur edhe padinë që i ka bërë gazetarit Lirim Mehmetaj.

Peci ka deklaruar se pretendimit rreth idesë së një eksportit të realizuar nga një operator ekonomik si eksport në Shqipëri tashmë janë të gjeturat e realizuara nga verifikimi por njëkohësisht edhe nga analizat e laboratorëve që i ka Republika e Shqipërisë

“Në lidhje me çështjen e ngritur nga deputetja e AAK-së (Time Kadriaj), para foltores së Kuvendit të Kosovës, në shtëpinë e popullit të Kosovës unë jap zotimin si çdo herë puna dhe angazhimi jem është i pastër. Me vjen keq por është njëra prej veprimeve ose angazhimeve më të mëdha që një ministër i Qeverisë së Kosovës ka bërë në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Sa i përket pretendimit rreth idesë së një eksportit të realizuar nga një operator ekonomik si eksport në Shqipëri tashmë janë të gjeturat e realizuara nga verifikimi por njëkohësisht edhe nga analizat e laboratorëve që i ka Republika e Shqipërisë”, ka thënë Peci.

Edhe një pseudo gazetar dhe analist edhe një subjekt politik i cili ka dashur që të konfrontohet me mua, gjithë ky veprim duket që është sinkron. Mua më vjen mirë që e përmendë vetëm për me shpërfaq realitetin e një prapaskene të një tendencë për të paraqitur si një veprimtari abuzive. Për çka dikush që e ka ngrit tashmë mbi bazën e fakteve ka edhe pjesën e padisë për shpifje e më vjen keq që dikush edhe nga deputetë të Kosovës i bashkëngjiten një shpifje të tillë ordinere”, ka thënë ai.

Kjo deklaratë e ministrit Peci ka ardhur pas akuzave që deputetja e AAK-së Time Kadriaj, i bëri ministrit në lidhje me një skandal të publikuar nga mediat e Shqipërisë se kompania “Apetit Group” po importon mish nga Brazili dhe po e shet në Shqipëri sikur të ishte prodhim i Kosovës.

​Kryeziu-Hyseni: Jemi fare pranë vendimit për largimin e masave ndaj Kosovës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni tha se Kosova është pranë vendimit për largimin e masave nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, rezultati i zgjedhjeve në veri të vendit shënon zbatimin e plotë të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës.

Kështu u shpreh ajo në seancë plenare, teksa theksoi se asnjëherë më parë nuk ka pasur shtrirje më të madhe të sovranitetit në veri.

Kryeziu: Nuk ka pasur zgjedhje në favor të Vuçiqit

“Prandaj edhe nuk ka pasur zgjedhje në favor të Vuçiqit këtë të diele. Sepse nuk ka pasur nëpërmjet kujt t’i shantazhojë dhe kërcënojë qytetarët e thjeshtë që jetojnë në këto katër komuna me shumicë serbe... Në qershorin e vitit që kemi lënë pas, BE i vendosi padrejtësisht masa Republikës së Kosovës. Këtë veprim ata e morën me arsyetimin se nuk mund të përballonin paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë në veri. Ne si qeveri dhe si pozitë reaguam për padrejtësinë që po i bëhej vendit tonë. U akuzuam nga ju si opozitë pafundësisht. Na dilnin në krah miqtë tanë ndërkombëtarë, secili nga ta nga pozicionet e tyre. Ndërsa ju si opozitë bëheshit bashkë për të ngritur gishtin drejt nesh”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu Hyseni theksoi se Kosova është pranë vendimit për largimin e masave ndëshkuese.

Kryeziu-Hyseni: Jemi fare pranë vendimit për largimin e masave ndaj Kosovës

“Pikërisht sepse kemi ditur se si të menaxhojmë me situatën, jemi fare pranë vendimit për largimin e këtyre masave të vendosura padrejtësisht ndaj Kosovës 11 muaj më parë. U deshën edhe 11 muaj të tjerë për ta kuptuar ju dhe BE që problemi nuk është në Kosovë por në Serbi, që bojkoti nuk vjen nga Kosova por nga Vuçiqi. Dhe që proceset nuk bllokohen nga shtetet demokratike si Kosova, por nga ato autokratike siç është Serbia. Rezultati i zgjedhjeve të kësaj të diele në katër komunat në veri shënon zbatimin në plotëni të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës. rrjedhimisht do të thotë largim të masave ndaj Kosovës”, deklaroi ajo. 

Tahiri: Raporti i DASH-it për Kosovën është letërnjoftimi i kësaj qeverie

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, duke komentuar raportin e Departamentit të SHBA-së për Kosovën, ka thënë se vendi ynë nuk ka marrë asnjëherë një klasifikim kaq të rëndë.

“Në historinë e qeverisjes në Kosovë asnjëherë vendi ynë dhe qeveria nuk ka marrë një klasifikim kaq të rëndë dhe kaq serioz, kaq keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për me kuptu sa keq dhe sa është e rëndëishme të diskutojë këtë raport vetëm hapeni faqen e parë, flet në radhë të parë për një korrupsion serioz në qeveri, as nuk thotë në qeverise, korrupsion serioz në qeveri”, u shpreh Tahiri.

“Shkon tutje flet për dhunën në bazën gjinore, për fjalën e lirë dhe flet për kërcënimet e gazetarëve.

Çka duhet të thotë më shumë një raport i DASH për të adresuar një çështje e cila është problem jashtëzakonisht i madh. Ky raport është letërnjoftimi i kësaj qeverie”.

Deliu-Kodra: Kryefjala e raportit të DASH-it dhe “Freedom House” është korrupsioni serioz qeveritar

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kryefjala e raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe “Freedom House” është korrupsioni serioz qeveritar.

“Është e pa fuqishme që ta luftoj dhunën në baza gjinore.

Kryefjalë të këtij raporti e ka korrupsioni serioz qeveritar.

Këto dyja raporte, ai i DASh-it dhe ‘Freedom House’, flasin për nevojën e institucioneve për t’i trajtuar me përgjegjësi të plotë serioze që i ka Kosova e që qartësojnë se Kosova vazhdon që të jetë larg standardeve dhe nuk ka marr parasysh rekomandimet e më hershme”, ka thënë ajo.

“Kur jemi bashkë, arrijmë shumë”: Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka falënderuar opozitën për kontributin në votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Bogujevci ka thënë se kjo tregon që kur janë ekip, arrijnë shumë.

“Kjo është një arritje e madhe dhe historike për vendin tonë dhe demokracinë. Kjo është fitore e Republikës e themeluar mbi vlera demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbete pjesa finale unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret unë kam besim te plote por duhet shumë punë”, ka thënë ajo.

S’kalon propozimi i PDK-së që në seancë të diskutohet raporti i DASh-it, VV-ja kundër

Nuk ka kaluar propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës që në këtë seancë të Kuvendit si pikë e katërt e rendit të ditës të jetë diskutimi në lidhje me raportin e DASh-it për Kosovën.

Kjo u pamundësua pasi deputetët e VV-së votuan kundër ndryshimit të rendit të ditës.

Ky propozim i PDK, për të cilin u pajtua edhe LDK e AAK, ka marr 26 vota për, 40 kundër dhe një abstenim.

Gashi: Raporti i DASH-it duhet të diskutohet në Kuvend

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar që në këtë seancë të diskutohet raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit, ku flet për Kosovën.

Sipas tij, ky raport ka gjetur shumë shkelje. Gashi ka përmendur disa nga të gjeturat e Raportit të DASh-it.

“Është pamundësuar formimi i komisioneve hetimore qëllimisht. Ky është parlamenti që ju e keni, kjo është shumica parlamentare që ju keni. Ne duhet të flasim për kufizimin e mediave. Raporti thotë se autoritet kufizuan lirinë e mediave dhe informacionit në mënyrë të drejtpërdrejtë. Presion dhe ndërhyrjet politike në drejtësi dhe veprimtarinë e gjyqësorit kanë rritur friken dhe ndikimin mbi gjykatësit dhe prokurorët”, ka thënë Gashi.

“Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në procese gjyqësore dhe procese qeverisëse ka degraduar kualitetin qeverisës dhe përfaqësimit. Ndërhyrjet politike të lirisë së shprehjes kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të njeriut. Disa raste ka pasur ndalime pa prova dhe kjo ka qenë ndërhyrje direkte e qeverisë. Kushtet e burgjeve janë mizërie. Sot duhet të diskutohet kjo”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat