21 raste me ‘Kollën e mirë’ nga janari në Kosovë, IKSHPK tregon kush janë më të prekurit

Aktuale

21 raste me ‘Kollën e mirë’ nga janari në Kosovë, IKSHPK tregon kush janë më të prekurit

Më: 25 prill 2024 Në ora: 09:08
Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës njofton se janë regjistruar 21 raste me Pertusis apo ndryshe siç njihet si ‘Kolla e mirë’ gjatë vitit 2024.

Pertitus është një sëmundje ngjitëse që i prek të gjitha moshat, por më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën një vjeçare.

“Gjatë vitit 2024, IKSHPK ka regjistruar 21 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake. Pertusis që ndryshe njihet si ‘Kolla e mirë’ është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria Bordetella Pertusis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

IKSHPK tha se kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën njëvjeçare.

“Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar. Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë”, njofton instituti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat