Avokati i Popullit: Çështja e të zhdukurve të mos futet në dialog si kompromis, por si detyrim e prioritet

Aktuale

Avokati i Popullit: Çështja e të zhdukurve të mos futet në dialog si kompromis, por si detyrim e prioritet

Më: 26 prill 2024 Në ora: 13:10
Avokati i Popullit, Naim Qelaj

Në shënimin e ditës kombëtare për personat e zhdukur me dhunë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se edhe pas 25 viteve ende nuk ka drejtësi.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve vendore e ndërkombëtare që të ushtrojnë presion ndaj palës përgjegjëse në mënyrë që të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“25 vite Ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur. Është shqetësues dhe padrejtësi për viktimat. Avokati i Popullit i bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtarëve që pa kompromis të ushtrojnë presion për të detyruar autoritetet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.

Qelaj tha se refuzimi apo hezitimi për të ofruar dëshmi që do të çonte deri te zbardhja e fatit të personave të zhdukur, është mohim i krimeve.

Ai kërkoi që kjo çështje të mos bëhet pjesë e dialogut vetëm për të arritur kompromis por të jetë detyrim e prioritet.

“Refuzimi, mosbashkëpunimi dhe hezitimi për të ofruar dëshmi është i papranueshëm dhe paraqet mohim të krimeve. Vendosja në tavolinën në dialogun politik dhe synimi të arrihet kompromis me fatin e personave të zhdukur është i papranueshëm nëse nuk vendoset si detyrim si kërkesë e qartë dhe parakusht i çdo iniciative tjetër, të vlerësohet si prioritet”, tha ai në një tryezë diskutimi.

Sipas tij, çdo përpjekje për të vendosur kushte tjera për të zbardhur fatin e të zhdukurve është vazhdim i krimeve të luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat