Profesori Neziri: U zotuam se në vend që t’i hapim 32 varre, t’i falim 32 gjaqe

Aktuale

Profesori Neziri: U zotuam se në vend që t’i hapim 32 varre, t’i falim 32 gjaqe

Më: 1 maj 2024 Në ora: 22:04
Zymer Neziri

Profesori universitar dhe Pajtuesi, Zymer Neziri duke folur për periudhën e pajtimit të gjaqeve në Kosovë, ka thënë se kjo nismë kishte zotim kyç në vend që të hapen 32 varre të reja në emër të gjakmarrjes, të falen 32 gjaqe.

Neziri ka thënë se nga 32 sa u falën në fillim, tutje shifrat shkuan në 3000 e më shumë familje që i falën gjakun njëra-tjetrës.

“Është shumë e vërtetë që rinia studentore e Pejës ishte bërthamë e fillimeve dhe ajo bërthamë ishte një zotim dhe një besatim se në vend që t’i hapim 32 varre të reja në emër të gjakmarrjes, ne po i falim 32 gjaqe. Shifra 32 ishte fillestare dhe simbolikë e cila pastaj e kaloi shifrën 320, 3000 e më shumë familje”, është shprehu ai.

Ndërsa, profesori bëri me dije se pjesë e kësaj nisme e cila u shndërrua në një lëvizje gjithëpopullore ishin 800 pjesëmarrës.

“Ka qenë një kohë shumë e rëndë historike, tash e 34 vjet dhe ishte vijimësi e viteve të rënda të robërisë. Kjo lëvizje u shndërrua në një lëvizje gjithëpopullore në të cilën kanë marr pjesë rreth 800 pjesëmarrës që merrnin pjesë në pajtimin e gjaqeve nga Liqeni i Prespës te Liqeni i Shkodrës”, shtoi ai.

Sot janë bërë 34 vjet nga falja e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit. Më 1 maj të vitit 1990, në këtë tubim morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat