Gashi e quan të padrejtë dhe të pasinqertë deklaratën e Kurtit në raport me sindikatat

Aktuale

Gashi e quan të padrejtë dhe të pasinqertë deklaratën e Kurtit në raport me sindikatat

Më: 1 maj 2024 Në ora: 23:42
Ali Gashi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Majin, ka thënë se Qeveria që ai udhëheq ka ndërmarrë një sërë masash të cilat lidhen me gjendjen e punëtorëve në Kosovë, duke shtuar se “me sindikatat e fuqishme zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark”.

“Vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët”, ka shkruar Kurti.

Megjithatë, kjo deklaratë e kryeministrit u cilësua e padrejtë dhe e pasinqertë nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës, Ali Gashi.

Madje, Gashi tha se çdo qeveri do të dështojë në mbylljen dhe sundimin e sindikatave.

“Sindikatat ekzistojnë që nga vitet e 90-ta dhe kanë një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në mbrojtjen dhe evokimin e të drejtave të punëtorëve, por janë kontribuuese edhe në linjat kombëtare të Kosovës. Prandaj janë të padrejta dhe të pasinqerta deklaratat e vazhdueshme të kryeministrit dhe të Qeverisë në raport me sindikatat. Pasi që, sindikatat kanë ekzistuar, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë edhe me këtë qeveri. Beteja e kësaj qeverie dhe çdo qeverie tjetër që tentojnë t’i mbyllin dhe t’i sundojnë sindikatat, do të dështojnë”, deklaroi Gashi.

Po ashtu, Gashi vlerësoi që një prej faktorëve që është krijuar kjo situatë, është mungesa e gatishmërisë të Qeverisë Kurti për të biseduar problematikat dhe shqetësimet që i kanë të punësuarit në sektorin publik e privat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat