Ish-nën koloneli i Policisë: Politizimi i hetimit të rastit Banjska do të na kthejë prapa

Aktuale

Ish-nën koloneli i Policisë: Politizimi i hetimit të rastit Banjska do të na kthejë prapa

Më: 8 maj 2024 Në ora: 18:17
Rrahman Sylejmani

Ish-nën koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, për sulmin terrorist në Banjskë, ka theksuar rëndësinë e përpilimit të raportit nga Prokuroria Speciale dhe Policia.

Sylejmani ka theksuar se raportet e inteligjencës nuk mund të pranohen si të besueshme pa një vëzhgim të hollësishëm dhe pa përfshirjen e autoriteteve të pavarura hetimore.

Ai ka theksuar se për rastin e Banjskës, është e domosdoshme që Prokuroria Speciale e shtetit të udhëheqë hetimet në bashkëpunim me Policinë për të siguruar një raport të saktë dhe të besueshëm.

“Raportet e inteligjencës nuk janë të besueshme sikur të raportet mbasi të konstatohet me ekzaminime të ndryshme nga vendi i ngjarjes, kështu që adresa e fundit është që një ministër të dal dhe t’i prezantojë ato. Raporti është dashur të bëhet nga Prokuroria Speciale e shtetit që i ka udhëhequr hetimet në bashkëpunim më Policinë, se ende gjyqësori nuk është i përfshirë sepse s’ka aktakuzë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nëse një institucion fillon të politizohet, ajo që arrihet mund të zbehet dhe të bëjë hapa prapa.

Gjithashtu, ai ka shprehur shqetësimin për vonesën në paraqitjen e aktakuzës për shkak të provave.

“Serbia ka me qenë bashkëpunues me ata sulmues, kjo është e ditur. Sa i përket raportit nga Prokuroria Speciale dhe policia hetimet që i kanë dhe provat e shumta tash është koha që ata ta përpilojnë raportin me të gjeturat dhe konstatimet e me provat komplet i cili është në bazë të përfundimit hetimeve. Tash po thuhet se disa ekzaminime i kanë dërguar jashtë vendit nuk e di pse na kemi investuar në një laborator i cili ka qenë shumë kredibil”, ka thënë Sylejmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat