230 mijë armë pa leje në duar të qytetarëve të Kosovës

Aktuale

230 mijë armë pa leje në duar të qytetarëve të Kosovës

Më: 10 maj 2024 Në ora: 08:21
Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se rreth 230 mijë armë pa leje gjenden në duar të qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë sipas policisë rreth 1500 sosh sekuestrohen për çdo vit. Këto përgjigje i dhanë televizionit tonë institucionet e sigurisë së vendit pasi që mbrëmjen e djeshme katër persona mbetën të plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa muajin e kaluar u vranë dy gra. Njohës të fushës të sigurisë thonë se institucionet duhet të merren më seriozisht me çështjen e armëmbajtjen pa leje.

Më shumë se dy dekada pas luftës në Kosovë, siguria publike ende nuk ka arritur në nivelin e duhur. Kjo për faktin se ekziston një numër enorm i armëve pa leje në duart e qytetarëve. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thonë se Kosovë janë më shumë se 200 mijë armë pa leje.

“Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 230.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është me i vogël për rreth 120.000 armë që nga hulumtimi paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale. Faktorët që kanë ndikuar në zvogëlimin e këtij numri janë disa. Fillimisht miratimi i ligjit për armët i cili ka mundësuar që qytetarët të pajisen me armë në mënyre legale. Gjithashtu Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 arme ilegale”, thuhet në përgjigjën e MPB-së.

Policia e Kosovës tha se në katër muajt e parë të këtij viti, ka konfiskuar 430 armë pa leje. Në anën tjetër sipas një raporti të publikuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, del se në 33 raste të armëmbajtës pa leje 31 persona u ndëshkuan vetëm me gjobë ndërsa dy raste të tjera me dënim me kusht.

Gjoba më e shpeshtë për një armë pa leje sipas OSBE-së ishte 400 euro.

Ndërsa pas vrasjes së dy grave muajin e kaluar, të cilat e tronditën vendin, ministrja Albulena Haxhiu kërkoi dënim më të madh për armëmbajtësit pa leje.

Në këtë kontekst flet edhe njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami.

“Duhet gjoba më të ashpra por edhe lehtësira në mënyrë që armët të legalizohen pasi që për ta legalizuar një armë ka kosto të madhe por edhe shumë procedura pra institucionet t’i verifikojnë armët që mund të legalizohen dhe të tjerat siç janë armët e gjata të asgjësohen”, tha Islami.

Ish-zëvendës ministri i punëve të brendshme Valdet Hoxha thotë se numri i madh i armëve nëpër duar të qytetarëve janë rezultat i luftë së fundit. Ai vlerëson se ligji për armëmbajtje ka vend për përmirësim, por që sipas tij, tensionet e herëpashershme në veri ka bërë që institucionet e sigurisë të koncentrohen më shumë në atë pjesë dhe në këtë mënyrë zbatueshmëria e tij vështirësohet.

“Ligjet nuk janë të kqija në vendin tonë por çështja e veriut tensionet e vazhdueshme atje ka bërë që policia të mos mund të zhvilloj strategji apo fushata vetëdijësese në mënyrë që numri i armëve të bie”, tha Hoxha.

Si pasojë e armëve ilegale në duart e qytetarëve, rastet kriminale janë shtuar në Kosovë, për çka institucionet përkatëse kanë paralajmëruar masa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat