​Kushtëzime për infrastrukturë, ASK tregon gjobat për refuzuesit e procesit të regjistrimit

Aktuale

​Kushtëzime për infrastrukturë, ASK tregon gjobat për refuzuesit e procesit të regjistrimit

Më: 11 maj 2024 Në ora: 14:23
Avni Kastrati

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përgatitur dosje për gjobë ndaj dy personave juridikë apo organizata, dhe për rreth 17 persona fizikë individualë që kanë refuzuar të jenë pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati, thotë se procesi i regjistrimit po ecën sipas planit dhe deri më tash mbi 1.2 milion banorë janë regjistruar, ndërsa janë edhe mbi 330 mijë të tjerë nga diaspora.

Kastrati: Procesi i regjistrimit po rrjedhën sipas planit

“Ne tanimë kemi hyrë në fazën finale gati të regjistrimit të popullsisë. Deri më tani procesi ka shkuar sipas një plani dinamik që e kemi pasur ditor, javor, mujor dhe gjatë gjithë periudhës. Kemi edhe një projeksion për të përcjellë ecurinë e aktiviteteve dhe numrin e regjistruesve brenda një dite në terren, dhe tani nganjëherë e kalojmë gjatë ditës kuotën e parashikuar, por në përgjithësi sistemi është duke punuar mirë, pajisjet po ashtu, stafi në terren është i mirë, dhe ne e mbështesim këtë... 02.57 Nuk kemi sfida aktualisht, jemi përgatitur, sepse kemi pasur hapësirë për shkak të shtyrjes së njëpasnjëshme, dhe jemi një ekip me përvojë të mirë nga regjistrimi i kaluar dhe kemi bërë një plan detal për secilin aktivitet, por jo gjithmonë të gjitha planet realizohen, sepse është proces kompleks, nuk varet nganjëherë nga vetë institucioni. Por deri më tani nuk kemi diçka që e rrezikon procesin e regjistrimit, dhe uroj të jetë kështu deri në fund”, deklaron Kastrati.

Një muaj pas nisjes së regjistrimit të popullsisë, Kastrati thotë se janë regjistruar mbi 330 mijë qytetarë nga diaspora.

Kastrati: Mbi 330 mijë qytetarë të regjistruar nga diaspora

“Në këtë regjistrim është përfshirë edhe diaspora, por është me një data-bazë tjetër, sepse ata jetojnë diku tjetër, dhe ne jetojmë në Kosovë. Deri më tani janë regjistruar mbi 330 mijë, por, janë dy metoda të regjistrimit – njëra përmes anëtarëve të ekonomisë familjare këtu në Kosovë dhe online. Mund të ketë aty disa që janë përsëritur, dublifikim, por neve do të na merr pak kohë për t’i verifikuar dublifikimet, por në fund e pastrojmë, dhe dalim me një shifër sa është numri i atyre që jetojnë në diasporë... 02:17 I bëj ftesë gjithë diasporës që të tregojnë saktë ku janë, sepse dëmi është edhe për ata, edhe për neve. Nuk kemi nevojë të llogarisim për personin që nuk është rezident. Me regjistrimin e diasporës, ata nuk humbin se paraqesin saktë rezidentë, as të drejtën e votës, pronës, pensionit, asgjë... Nëse nuk janë pjesë e regjistrimit as online, jo rezident apo rezident, mund të ketë pasoja më vonë”, thotë Kastrati.

Sa i përket veriut të banuar me shumicë serbe, Kastrati thotë se deri më tani janë regjistruar mbi një mijë qytetarë pavarësisht presioneve nga Lista Serbe për bojkotimin e procesit.

Kastrati: Mbi një mijë qytetarë të regjistruar në veri

“Në pjesën veriore, kemi bërë përgatitjet standarde qysh bëhen edhe për pjesën tjetër të Kosovës dhe gjitha komunitetet. Në fillim kanë qenë një numër i caktuar i regjistrueseve, por duket se ata kanë pasur një trysni nga Lista Serbe, deklarimi i tyre gojor që nuk mund të dalin pasi janë trajnuar, ne e llogaritim se kanë pasur një lloj presioni, sepse pagesa ka qenë mirë, lokaliteti ka qenë i njohur për ata regjistrues, kanë pranuar në fillim. Kështu, kemi pasur disa sfida, është dashur të përsëriten, të ri-trajnohen, edhe grupi i dytë sërish është tërhequr, grupi i tretë është në terren. Janë mbi 20 regjistrues nga komuniteti serb në veri, dhe javën e kaluar ka pasur një numër të konsiderueshëm të popullsisë serbe që është regjistruar në veri... Janë më shumë se një mijë, por e mira është që disa qytetarë e kanë pranuar realitetin dhe e kanë parë që është e nevojshme të jenë pjesë e regjistrimit”, tha ai.

Regjistrimi i popullsisë parasheh gjoba për qytetarët që refuzojnë të jenë pjesë e procesit e për të cilët Kastrati thotë se janë përgatitur dosje, por të cilat ende nuk janë bërë publike. Ai ka treguar se arsye e refuzimit ka qenë mungesa e infrastrukturës në vendet ku ata jetojnë.

Kastrati: Dosjet janë përgatitur për dy persona juridikë dhe rreth 17 persona fizikë individualë

“Për dy persona juridikë ose organizata, shoqata, janë përgatitur dosjet dhe për rreth 17 persona fizikë individualë, por ende nuk e kemi bërë publike. Për personat juridikë, OJQ-të, partitë, organizatat do të bëhen publike, ndërsa për ekonomitë familjare do të tentojmë me një ekip tjetër special për të diskutuar, sepse nuk jemi të interesuar të kemi padi për askënd. Por, projekti është jashtë premtimeve të komunës, që ka disa grupe që qesin si kusht - do të marrë pjesë në regjistrim nëse ma sillni infrastrukturën. Ne i kemi treguar që nuk kemi të bëjmë me këtë”, tha Kastrati.

Qyteti që prin me numër më të madh të qytetarëve të regjistruar pas Prishtinës është Ferizaj, por Kastrati pret që në fund të procesit qyteti i dytë me popullsi më të madhe të regjistruar në Kosovë të renditet Prizreni, pasi ky qytet në fillim kishte probleme me regjistrues.

Kastrati: Prishtina prin me shifra më të larta të regjistrimit

“Tani qyteti i dytë është Ferizaj duke prirë, pas Prishtinës, por besoj se në fund do të jetë Prizreni, pasi ka pasur disa sfida, me regjistrues nga komuniteti boshnjak dhe turk, por edhe disa shqiptarë, por në fund do të jetë Prizreni...Ndërsa në diasporë prin Gjermania, por edhe Zvicra - është si njëjtë”, shton ai.

Regjistrimi i popullsisë është një proces i numërimit të gjithë banorëve dhe mbledhjes së informatave demografike, ekonomike, sociale, arsimore, bujqësore dhe informatave të tjera për secilin person. Në këtë proces përfshihet edhe një pyetësor, i cili iu mundëson qytetarëve të deklarohen mbi dëmet e shkaktuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë më 2011 dështoi të mbahej në katër komunat me shumicë serbe në veri, dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat