Diskutimi për zgjedhje i pashmangshëm, por ftesa e Kurtit ndaj opozitës vlerësohet e pasinqertë

Aktuale

Diskutimi për zgjedhje i pashmangshëm, por ftesa e Kurtit ndaj opozitës vlerësohet e pasinqertë

Më: 13 maj 2024 Në ora: 16:10
Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Ftesa e kryeministrit Albin Kurti për takim me partitë opozitare është e pasinqertë, thotë politologu, Fidan Ukaj. Sipas tij, LDK dhe AAK me të drejtë e kanë refuzuar ftesën, ndërkaq shton se në takimin e sotëm të Kurtit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi krahas diskutimit për agjendën legjislative pashmangshëm do të flitet edhe për zgjedhjet e parakohshme.

Ukaj, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti do të tentojë të gjejë konsensus për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kodit civil në Kuvend.

Ukaj: Ftesa e Kurtit e pasinqertë, pashmangshëm që tema e zgjedhjeve do të diskutohet

Video

“Letra e kryeministrit Kurti në adresë të partive opozitare është e pasinqertë, sepse kërkesa ose tema që zotëri Kurti iu është drejtuar partive opozitare nuk është në domenin e kryeministrit, por është fushë e legjislativit që përfaqëson kryeparlamentari Konjufca. Mendoj se është më shumë një arsyetim i temave të tjera që do të diskutoheshin nëse eventualisht do të kishte një akordim që mund t’i jepnin partitë opozitare. Temë pashmangshëm do të ishte mundësia e gjetjes së votave nga partitë opozitare për kalimin e kodit civil, po ashtu edhe përkrahja për dërgimin e draftit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Pashmangshëm që edhe tema e zgjedhjeve do të ishte temë e diskutimit”, thekson Ukaj.

Siç thekson Ukaj, nuk është në domenin e kryeministrit Kurti që t’i ftoi partitë opozitare për takim që lidhen me agjendën legjislative, pasi e njëjta i takon kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në nivel të shefave të grupeve parlamentare.

Ukaj: Refuzimi i LDK-së dhe AAK-së i drejtë

Video

“Mendoj se me të drejtë. Shumë profesionale ka qenë përgjigja e AAK-së, duke rikujtuar se grupin parlamentar të AAK-së e përfaqëson Besnik Tahiri dhe nëse ka të bëjë me legjislativin, atëherë ftesa duhet t’i drejtohet në adresë të grupit parlamentar dhe jo në adresë të kryetarit të partisë. Mendoj se ka qenë më shumë një ftesë që prapa saj fshihen tema të tjera dhe siç duket nuk ka hasur në mirëkuptimin e partive opozitare. Edhe PDK-ja që iu është përgjigjur pozitivisht takimit, megjithatë vjen me kërkesë për diskutim për procesin e ri zgjedhor”, thotë ai.

Të nevojshme Ukaj e konsideron miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend. Mirëpo, sipas tij, kreu qeveritar dëshiron të marrë përkrahjen e partive opozitare në situatën kritike që gjendet Kosova, kur po i kërkohet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Ukaj: Të kalohen marrëveshjet ndërkombëtare

“Kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare janë miliona euro që presin për me i marrë dy të tretat e votave në Kuvend, mund të jetë njëra nga temat, por ne gjendemi në një fazë kritike të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe po ashtu kemi kërkesën që me dërgua për interpretim draftin e Asociacionit. Kryeministri ka dal jashtë domenit të përgjegjësive të veta dhe mendoj se më shumë ka qenë një kamuflim ftesa drejt partive opozitare sesa një fushë që kryeministri e mbulon. Shumë më e sinqertë do të ishte që me potencua në ftesën që temë diskutimi do të jetë mundësia e kalimit të kodit civil dhe përkrahja për me dërgua draftin në kushtetuese dhe mundësia që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, deklaron ai.

Megjithatë, Ukaj vlerëson se për dakrodimin për zgjedhjet e parakohshme duhet pajtim nga të gjitha partitë parlamentare.

Ukaj: Për zgjedhje të parakohshme duhet të ketë dakordim nga të gjitha partitë

“Diskutimet bëhen me të gjitha partitë politike dhe mbetet të shihet a do të pranoj kryeministri Kurti që vetëm me PDK-në, përveç diskutimit për pjesën legjislative të diskutohet edhe tema e zgjedhjeve. Mendoj se është shumë e sinqertë që të potencoheshin të gjitha temat dhe mendoj se edhe partitë opozitare do t’i përgjigjeshin pozitivisht”, përfundon Ukaj.

Kurti sot do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për të diskutuar siç është thënë në ftesë për agjendën legjislative të Kuvendit, ndërkaq lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradianj e kanë refuzuar të njëjtin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat