Dyshohet për dhunimin e një të mituri, Shkodran Pulajt i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi

Aktuale

Dyshohet për dhunimin e një të mituri, Shkodran Pulajt i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi

Më: 16 maj 2024 Në ora: 16:22
Shkodran Pulaj

Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Shkodran Pulajt, i cili po dyshohet për dhunimin e një të mituri.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari për informim i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, Gjyqtarja e Procedurës paraprake, me datë 10.05.2024, ka marrë AKTVENDIM, dhe të pandehurit Sh.P., , për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 paragraf 4, nën paragraf 4.10, pika 4.10.1 lidhur me paragraf 6 dhe 1 të KP-së, ashtu që të pandehurit  i është VAZHDUAAR MASA E PARABRUGIMIT e cila mund të zgjasë, deri më datë 12.07.2024”, thuhet në përgjigjen e Lekajt për “Betimi për Drejtësi”.

Aty thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake pas vlerësimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit dhe pas vlerësimit të shkresave të lëndës dhe provave materiale, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shteti për vazhdimin e paraburgimit është e bazuar.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën po dyshohet, i cili dyshim rrjedh nga provat materiale të siguruara deri në këtë fazë.

“Meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën dyshohen, po ashtu qëndrojnë arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje penale janë në vazhdim e sipër, në rrjedhën e mëtejme do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale, andaj ekziston rreziku se me lënien në liri të pandehurit i njëjti mund të ipet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për organet e ndjekjes”,  thuhet më tej në përgjigje.

Tutje, thuhet se gjykata vjen në konkludim se veprimet e të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi që ishte i vetëdijshëm për moshën e të dëmtuarit, vepra penale si e tillë është e rëndë dhe pasojat që do të ketë tek i mituri janë të gjitha indikatorë dhe e arsyetojnë vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masat tjera alternative, për sigurimin e prezencës së pandehurve dhe mbarëvajtjes së procedurës penale në këtë fazë, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale. Andaj, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, peshën e veprës penale dhe karakteristikat personale të të pandehurit, sipas mendimit të gjykatës vazhdimi i masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muaj, tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat