​Ambasada amerikane jep detaje nga takimi Kurti-Allen

Aktuale

​Ambasada amerikane jep detaje nga takimi Kurti-Allen

Më: 19 maj 2024 Në ora: 22:41
Pamje nga takimi

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka dhënë detaje nga takimi i sotëm ndërmjet nënsekretares amerikane të Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Prishtinë.

Siç njofton ambasada, në takim është diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kosovë, duke përfshirë angazhimin e përbashkët për forcimin e sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë multietnike të Kosovës.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit nënvizoi mbështetjen e fortë të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë.

Ajo me këtë rast ndau vëzhgimet e saj nga koha e saj në Kosovë, duke përfshirë ndërveprimin e saj me të rinjtë dinamikë dhe të ndryshëm kosovarë, dhe bëri thirrje për rritje të koordinimit ndërmjet qeverive tona për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Ndryshe, nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen sot ka nënshkruar me presidenten Vjosa Osmani një marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Pas takimit me presidenten Osmani, nënsekretarja amerikane e Shtetit është takuar edhe me kryeministrin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat