Dështimi i institucioneve për ta ruajtur – Sekiraqa mund të jetë arratisur në Shqipëri?

Aktuale

Dështimi i institucioneve për ta ruajtur – Sekiraqa mund të jetë arratisur në Shqipëri?

Më: 20 maj 2024 Në ora: 14:50
Enver Sekiraqa

Ende mbetet e paqartë nëse Enver Sekiraqa është larguar nga Kosova, pasi Policia e Kosovës nuk ka ndonjë informacion të ri rreth këtij rasti.

Juristi, Ardian Bajraktari, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Megjithatë, Bajraktari ka theksuar se rrethanat para këtij vendimi kanë krijuar mundësinë e arratisjes së Sekiraqës.

Sipas Bajraktarit, është relativisht e lehtë të largohesh nga Kosova, veçanërisht duke marrë parasysh kalimin e pikave kufitare me Shqipërinë, sidomos gjatë sezonit veror, kur masat e kontrollit janë më të lehta.

“Ne gjithsecili udhëtojmë qoftë në Shqipëri edhe ne vende tjera, por kur gradualisht po futemi në sezonin e verës sesa janë masat e kontrollit të kalimit të pikave kufitare, me theks të veçantë në Shqipëri e dimë sesa lehtë është me lëvizë prej Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai ka sugjeruar gjithashtu që ndaj gjyqtarit dhe trupit gjykues të shqyrtohet mundësia e inicimit të procedurës disiplinore.

Bajraktari ka theksuar se mund të ketë elemente të shkeljeve në vlerësimin dhe zbatimin e ligjit nga ana e gjykatës.

“Ndaj gjyqtarit dhe këtij trupi gjykues të shikohet mundësia e inicimit të procedurës së paku disiplinore, sepse mund të gjenden elemente të shkeljeve për shkakun se nuk i kanë vlerësuar drejt dhe qartë rrethanat dhe zbatimin e ligjit”, ka thënë ai.

Ai shpreson që Sekiraqa të gjendet sa më shpejt dhe të përballet me një verdikt përfundimtar për çështjen e tij, duke qenë se është dënuar për nxitje në kryerjen e veprës penale dhe vrasjes me 25 vjet burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat