Bajrami: Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur

Aktuale

Bajrami: Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur

Më: 20 maj 2024 Në ora: 18:09
Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas miratimit të Projektligjit të njëjtë për ratifikimin e një Traktati, që Kosova kishte arritur me Danimarkën për strehimin në burgjet kosovare të të burgosurve nga Danimarka, disa ditë pas dështimit të Kuvendit për ta ratifikuar atë.

Në një postim në Facebook, deputetja Bajrami thotë se miratimi i kësaj marrëveshje është gabim dhe nuk duhet të bëhet Kosova vend për të sjellë të burgosur.

Kosova, sipas saj duhet të krijojë kushte për investime të huaja.

“Parlamenti i Republikës së Kosovës e ka rrëzuar me votë Marrëveshjen e Ndërkombëtare për dhënien në shfrytëzim Danimarkës qendrën e paraburgimit në Gjilan. Qeveria sot në një mbledhje online e ka miratuar edhe një herë këtë projektligj me qëllim që prapë ta sjellë edhe një herë këtë marrëveshje në Kuvend. Unë kam votuar kundër javën e kaluar do të votoj prapë kundër. Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur”, ka thënë ajo.

Ajo ia ka “rikujtuar” Qeverisë se sipas raporteve të ministrisë se Financave në tri vitet e fundit kanë paguar 34 milionë euro qira, për shfrytëzimin e ndërtesave private për institucionet publike.

“Ndërtesat publike duhet të përdoren veç për interesat e qytetarëve, e sjellja e të burgosurve nga Danimarka, e të cilët as të këtij vendi nuk janë veç interes qytetar nuk mund të jetë”, shtoi më tej ajo.

Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, sipas së cilit ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023.

Por, Kuvendi dështoi ta kalojë Traktatin të enjten, pasi ai mori vetëm 75 nga 80 votat e nevojshme të deputetëve.

Qeveria duhet ta dërgojë në Kuvend këtë projektligj tani në një tentimin e dytë për ratifikim, megjithëse nuk ka pasur mbështetje për të nga një pjesë e opozitës.

Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat