Mustafa: Është e pakuptimtë me vetura zyrtare të shkoni në Durrës për pushime

Aktuale

Mustafa: Është e pakuptimtë me vetura zyrtare të shkoni në Durrës për pushime

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 14:07
Kryeministri, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se është e pakuptimtë që automjetet publike të shfrytëzohen nga zyrtarët për pushime në Durrës. Sipas tij, ka një ecuri më të mirë të hyrave buxhetore dhe efikasitet më të lartë të institucioneve, por mjetet duhet të shfrytëzohen në mënyrë racionale.

Këto deklarata kryeministri i bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë, në të cilën është miratuar raporti gjashtëmujor i buxhetit të Kosovës për vitin 2016.

Mustafa tha se është e pakuptimtë që mjetet publike të shfrytëzohen për nevoja private.     

Mustafa: Është e pakuptimtë që në Durrës të shkohet me automjete zyrtare

“Duhet t’i rikthehemi edhe njëherë zotimit tonë që e kemi pasur vitin e kaluar për kursime më të mëdha të shpenzimeve nëpër ministri dhe agjencione. Sidomos për përdorim dhe shfrytëzim racional, etik dhe ligjor të automjeteve, që ne po i shohim edhe tani nëpër portale. Mirë po bëjnë që po i japin, sepse është e pakuptimtë që mjetet publike, të shpenzohen për nevoja private në Durrës ose në pushimore të ndryshme. Gjërat e tilla unë mendoj që duhet të luftohen shumë ashpër, ku do të ndërmerren masa dhe do të japim shembuj të masave të tilla. Unë po e lidhi këtë me buxhetin, sepse kemi të bëjmë me shpenzimin e parasë publike. Kjo e zhvlerëson këtë që është arritur në pikëpamje të hyrave buxhetore. Edhe një cent në qoftë se e shfrytëzon dikush në mënyrë jo racionale, në mënyrë jo etike, ne do ta luftojmë atë dhe të marrim masa konkrete, sepse ato mjete, ato tab ela që po i shohim në media, janë të institucioneve tona, të ministrive, të zyrave dhe të agjencioneve qeveritare”, tha ai.

Mustafa ndër të tjerash tha se kanë biseduar dhe me kryetarin e Kuvendit, presidentin dhe ministrat përkatës, që të punohet në gjetjen e një zgjidhje për çështjen e hapur me FMN-në, sa i përket kategorisë së veteranëve të luftës, në mënyrë që në mirëkuptim dhe bashkëpunim me ta, të gjejnë një zgjidhje, e cila nuk do të rrezikonte qëndrueshmërinë buxhetore dhe nuk do ta sfidonte programin e FMN-së.

Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti i cili para kabinetit qeveritar prezantoi raportin  gjashtëmujor të buxhetit, tha se kjo periudhë është karakterizuar me ritëm të rritjes së aktivitetit ekonomik.

Hoti: Ritëm i përshpejtuar i aktivitetit ekonomik

“Kjo periudhë është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Ndikim në këtë rritje kanë pasur masat e ndërmarra në kuadër të reformave të të bërit biznes. Rritja e besueshmërisë së investitorëve dhe përmirësimi i ambientit të jashtëm ekonomik në përgjithësi. Në trendin pozitiv të të hyrave kanë ndikuar dhe masat e ndërmarra nga Doganat dhe ATK-ja në ngushtimin e hendekut tatimor dhe rritjen e efikasitetit në mbledhjen e  të hyrave”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve në vlerë prej  10 mijë euro,  për Qendrën për Studime dhe shërbime psikologjike dhe sociale për përkrahjen e Projektit Atomi.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se ministria që ai udhëheq do t’i japë mbështetje këtij projekti dhe shpejtë do të dalin me një propozim të ri, që projekti të merr karakter publik, të jetë një shkollë publike, në mënyrë që stimulohet zbulimi i talenteve të rinj në moshë të hershme.

Bajrami: Kujdes të shtuar ndaj fëmijëve me inteligjence

“Republika e Kosovës duhet të tregojë një kujdes të shtuar ndaj fëmijëve me inteligjencë, t’i mbështes ata. Të zbulojë këtë inteligjencë në moshë të hershme dhe të investoj tek ta. Në projekte afatgjate në mendojmë, që këtë projekt ta bëjmë publik. Ta bëjmë pronësi të Ministrisë së Arsimit dhe të stimulojmë të rinjtë tanë, që jo vetëm të orientohen në drejtime të veçanta, siç është matematika dhe shkencat aplikative, por të iu japim të gjitha mundësitë e nevojshme si shtet që ata të bëjnë pjesë në gara ndërkombëtare”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim edhe për ndarjen e mjete financiare, në vlerë prej 300 mijë euro për aktivitetet lidhur me shpalljen dhe kanonizimin e shenjtërisë Nëna Terezë, i cili do të mbahet më 4 shtator.

Nga mbledhja e sotme, është marrë vendim dhe për ndarjen e mjeteve financiare prej 18 mijë eurove për shoqatën e të verbërve nga Peja, për botimin e legjislacionit të alfabetit të Braillit.

Qeveria po ashtu ka miratuar dhe projekt rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për strukturën organizative të zyrës së kryeministrit, e cila është e lidhur dhe me pozitën e koordinatorit të korporatës së sfidave të mileniumit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat