Profesorët dhe nxënësit kundërshtojnë, mësimin fetar në shkolla

Aktuale

Profesorët dhe nxënësit kundërshtojnë, mësimin fetar në shkolla

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 gusht 2016 Në ora: 16:46
Ilustrim

“Republika e Kosovës tash për tash duhet ende të konsolidohet e në të ardhmen mund të aplikohet mësim-besimi fetar, por për realitetin e sotëm mësimi fetar në shkolla do të ndikonte negativisht”, ka thënë profesor  Ismet Krosi.

Futja e lëndëve fetare në Arsimin e Kosovës, ka zgjuar debat tek analistët politik, profesorë dhe më gjerë. Disa nga profesorët  thonë se futja e lëndëve fetare nuk do ti bënte keq arsimit por jo edhe të predikohet nga klerikët, kurse të tjerët mendojnë se, feja duhet të jetë e ndarë nga shkollat pasi ky lloj mësimi mund të organizohet edhe nga bashkësitë fetare jashtë objekteve shkollore. Erion Dushi nxënës në shkollën e mesme “ Sami Frashëri” , thotë se futja e kësaj lëndë në shkollë nuk do të ishte aspak e dobishme  për të dhe shokët e tij. Ndonëse ai është i besimit mysliman, megjithatë nuk do ti pëlqente që të këtë një orë mësimi rreth besimeve fetare. “ Unë nuk jam religjioz dhe nuk kam asgjë kundër feve, por një orë e tillë nuk besoj se do t’i pëlqente nxënësve të kësaj shkolle. Mendoj se ata që duhen të kenë më shumë njohur rreth kësaj çështje do të duhej të drejtohen në Bashkësitë Islame apo në shkollën Medrese, sepse shumica çdo herë e mund pakicën. Unë kam shumë shokë e shoqe edhe në shkollat tjera të Prishtinës të cilëve nuk iu pëlqen farë një orë mësimi e tillë”, ka thënë Dushi.

Ismet Krosi profesor ka thënë, se mësimi fetar në shkolla pa dyshim që prek në laicitet. Ai ka thënë se kjo mundet të jetë një lëndë fakultative por jo edhe obliguese.  “Republika e Kosovës tash për tash duhet ende të konsolidohet e në të ardhmen mund të aplikohet mësim-besimi fetar, por për realitetin e sotëm mësimi fetar në shkolla do të ndikonte negativisht”, ka thënë profesor Krosi. Edhe Izeir Hyda profesor ka thënë, se futja e lëndëve fetare në shkollat tona të rregullta, është një realizim i të drejtave të njeriut, megjithatë forma qysh mendon dikush ta organizojë mësimin fetarë në shkolla duke e bërë fenë dogme nuk duhet të jetë e pranueshme. Ai ka thënë, se feja nuk duhet bërë mënyrë e jetesës, por të mbetet shprehje e besimit individual.  “Mendoj se për mësimin fetar në shkollat tona është herët, sepse së pari nuk kemi kuadër të përgatitur profesionalisht dhe adekuat, së dyti ky kuadër ekzistues nuk mund të jetë bashkëpunues me stafin tjetër të shkollës së këmbëngul vetëm në preferencat e veta ( p.sh. kërkon që të falet namazi në shkollë se ai është farz 'i  domosdoshëm'... dhe kështu e cënon autonomin e shkollave dhe në mënyre indirekte prek themelet e shtetit 'laik'”, ka thënë profesor Hyda. Ai ka theksuar, se mësimi fetar në shkollat tona mund të futet si mësim fakultativ, pasi të bëhet një përgatitje e mëdha në të gjitha aspektet.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat