Platformë e re për bisedime për Demarkacionin

Aktuale

Platformë e re për bisedime për Demarkacionin

Më: 16 shtator 2016 Në ora: 17:10
Ilustrim

Takimet i ditës së enjte i përfaqësuesve të partive politike, të cilët kanë ridiskutuar lidhur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, është vetëm pjesë e një platforme të gjerë dhe afatgjate të dialogut politik në Kosovë, thonë përfaqësuesit e Grupit Ballkanik për Politika, i cili e ka ftuar takimin.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, thotë se ky takimet e ngjashme do të vazhdojnë, për të krijuar një platformë me të cilën përfaqësuesit e partive politike do të pajtohen për të punuar bashkë deri te një zgjidhje, me bazë sa më të gjerë të përfshirjes.

“Hapi i parë është bërë dje (e enjte), i vogël, por dallimet mbesin. Kjo nuk ka të bëj me qëndrimet për rezultatin final sa i përket marrëveshjes për Demarkacionin, por se si t’i qasemi këtij dialogu, kësaj çështjeje, përmes një bashkëpunimi gjithëpërfshirës".

"Po mendojmë që ta krijojmë këtë platformë, këtë bazë, për bashkëpunim të gjitha subjekteve. Të gjitha subjektet kanë marrë pjesë. Secili i ka qëndrimet e veta, argumentet e veta dhe idetë se si duhet të punohet bashkë që ta zgjidhim këtë çështje. Asnjërës palë nuk i mungon vullneti në kuptimin se duhet punuar bashkë për ta zgjidhur këtë”.

Megjithatë, Rashiti thekson se qëndrimet e partive politike, të atyre në pushtet, të cilat janë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, si dhe partive opozitare që janë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshje në formën e tanishme, nuk kanë ndryshuar.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është politizuar skajshmërisht. Marrë parasysh ato që kanë ndodhur tash e një vjet, sipas tij, kjo çështje kërkon konsensus politik.

“Tani, ne kemi hyrë në një fazë të re. Ndoshta opozita ka menduar që ‘ja , po e bëjmë një revolucion të vogël dhe po hymë në zgjedhje, sepse po e kërkojmë ne’. Ndërsa, pushteti ka një qëndrim krejt tjetër. Çështja e Demarkacionit nuk është dhe nuk duhet të lidhet as me zgjedhjet e reja, as me interesat e ngushta të lidershipit e as me interesat partiake në Kosovë. Ajo është çështje, e cila duhet të bëhet, por duhet të bëhet mirë, të analizohet dhe studiohet mirë dhe duhet të sillet në Kuvend për tu votuar”.

Në anën tjetër, Driton Çaushi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit opozitar Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, seky subjekt e edhe më tej e rikonfirmon qëndrimin e saj se është kundër versionit të tanishëm të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Megjithatë, unë mund të shprehem vetëm për qëndrimin tonë, sepse këto lloj diskutimesh do të vazhdojnë edhe më tutje. Qëndrimi i ynë është i njëjtë me atë që e rikonfirmojmë çdo ditë dhe që është publik, pra, që ne jemi të gatshëm të jemi pjesë që të japim kontributin tonë, duke njohur edhe interesat dhe duke pasur përkushtim edhe për marrëdhëniet e mira me Malin e Zi. Pra, që të japim kontributin tonë për një rinegocim ose për një proces të ri të Demarkacionit”

Pavarësisht se qëndrimet e partive politike në pushtet dhe opozitë nuk kanë ndryshuar nga ato që i akne pasur më parë, Rashiti ka theksuar se takimet e përfaqësuesve të partive politike do të vazhdojnë në javët e ardhshme.

Pritjet, sipas tij janë që të arrihet një rezultat konkrete, duke i marrë parasysh edhe pozicionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat