Ministri Bajrami raportoi për përgatitjet e MASHT-it për fillimin e vitit shkollor 2016-2017

Aktuale

Ministri Bajrami raportoi për përgatitjet e MASHT-it për fillimin e vitit shkollor 2016-2017

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 17:14
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, për të raportuar për aktivitetet që po i realizon Ministria, si dhe për t’u përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit .

Duke e falënderuar ministrin Bajrami për gatishmërinë e tij për të raportuar, kryetari i Komisionit, Nait Hasani, i cili kryesoi takimin, hapi diskutimin, duke e njoftuar ministrin lidhur me ecurinë e zhvillimeve në komision.

“Ne kemi pasur një raport të vitit të kaluar lidhur me gjendjen në arsim, në të cilën  kemi gjetur anët pozitive dhe disa të meta”, vlerësoi Hasani, duke kërkuar që të përcillet zbatueshmëria e të gjitha rekomandimeve që dalin nga ky takim.

Duke raportuar për fillimin e vitit shkollor 2016-2017, ministri Bajrami theksoi se ministra që ai drejton ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.

“Me kohë kemi sjellë të gjitha udhëzimet administrative, prej atij parashkollor deri tek ato para universitare”, tha ministri Bajrami.

Gjatë raportimit, ai tha se vitin e kaluar është punuar në dhënien e kontratave të përhershme për mësimdhënësit, ndërsa shtoi se ka pasur vonesa në sigurimin e teksteve mësimore.

“Këtë vit bëhet rishikimi i teksteve nga komisioni punues, ku kemi gjetur disa qasje jo te mira”, shtoi më tej Bajrami, duke premtuar se rishqyrtimi i teksteve do të bëhet çdo vit. Ai bëri të ditur gjithashtu, se në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, ka përfunduar hartimi i planit strategjik 5-vjeçar, i cili së shpejti do të dërgohet në qeveri.

Duke folur për infrastrukturën shkollore, ministri i Arsimit theksoi se ende nuk ka përfunduar ndërtimi i disa shkollave të mesme, si në Podujevë dhe Mitrovicë, por u zotua se ato do të përfundojnë së shpejti.

Ai e njoftoi komisionin se ka përfunduar plani mësimor i Kornizës së Kurrikulit Bërthamë, i veçantë për arsim dhe aftësim profesional, i cili do të fillojë së implementuari në 24 shkolla, që nga shtatori i këtij viti.

Pyetjet e anëtarëve të Komisionit më shumë ishin të fokusuara tek sigurimi i teksteve mësimore, të cilat me vonesë u janë shpërndarë shkollave fillore. Anëtarët e komisionit, po ashtu, si shqetësim shprehën punësimin e punonjësve nëpër institucione arsimore, pa iu përmbajtur kushteve të konkursit. Ata pohuan se ka raste kur punëtorëve të arsimit u vazhdohet marrëdhënia e punës, edhe atëherë kur nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara për atë vend pune.

Ministri Bajrami, ndërkaq, tha se pyetjet e shtruara më shumë u takojnë niveleve komunale se sa atij ministror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat