Masakrat që Thaçi kërkon të zbardhen (+18)

Aktuale

Masakrat që Thaçi kërkon të zbardhen (+18)

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 07:32
Ilustrim

Presidenti Hashim Thaçi, dje në një konferencën për media, deklaroi se i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit, katër letra, përmes të cilave i kërkon Kryeprokurorit të Shtetit, që të punojë në ndriçimin e rasteve të krimeve dhe vrasjeve që kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në vend.

Kërkesa përfshinë edhe zbardhjen e krimeve e masakrave që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në vend.

Por cilat janë këto krime dhe kur e si kanë ndodhur? Më poshtë ju sjellim të përmbledhura kërkesat e Presidentit drejtuar organit të akuzës dhe punën që ajo duhet të bëjë gjatë muajve e viteve në vazhdim.

Masakra ndaj familjes Jashari në Prekaz

Kjo masakër ka ndodhur në vitin me 5, 6, e 7 mars 1998. Në atë kohë, forcat serbe kanë sulmuar familjen Jashari duke vrarë e masakruar 54 anëtarë të saj, e që ishin të të gjitha moshave, nga fëmijë e deri tek plaku 80 vjeç. E vetmja që i mbijetoi sulmit ishte Besarta, në atë kohë fëmijë e cila ka rrëfyer disa herë atë që ka përjetuar. Ky vend çlirimit është vizituar nga rreth 10 milionë vizitorë. Në nderim të kësaj beteje, aty çdo vit organizohet manifestimi “Epopeja e UCK-së’, pasi cilësohet si vendi ku nisi lufta për çlirimin e Kosovës. Ky sulm dhe vrasja ishin organizuar nga Serbia pasi ishin përfshirë policia e ushtria kurse në sulm ishin përfshirë armët më të rënda. Ky krim nuk është zbardhur kurrë.

Masakra në Reçak

Kjo është masakra e cila llahtarisi edhe më shumë botën e qytetëruar. Në orët e hershme të 15 janarit 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga policia speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar, rreth orës 6.30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të garantojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi duke marrë banorët që kanë gjetur. Në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. Pas kësaj masakre, ishte deklarata e ambasadorit William Walker, në atë kohë shef I vëzhguesve të OSBE-së se në këtë vend ishte kryer krim kundër njerëzimit, ajo që përshpejtoi aktivizimin e bashkësisë ndërkombëtare që kulmuan me fushatën bombarduese të NATO-s mbi Serbinë me 24 mars 1999 e që zgjaten plotë 78 ditë. Ky krim nuk është zbardhur kurrë.

Masakra në Izbicë të Skenderajt

Më 28 mars 1999, në Izbicë të Skenderajt, u vranë dhe masakruan 147 persona, të gjithë meshkuj të moshave të ndryshme. Në këtë fshat që ndodhet në një luginë, ishin strehuar mijëra të zhvendosur, gra, fëmijë e pleq. Pasi forcat serbe ndanë meshkujt e moshës madhore nga familjet, i radhitën dhe i vranë, kurse gratë e fëmijët i nisën këmbë në kolonë të gjatë drejt Shqipërisë. Masakra e Izbicës përmendët edhe ne raportin e Departamentin të SHBA-s. Atë kohë u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë. Si dëshmitarë të akuzës në Hagë, lidhur më masakrën ne Izbicë, kundër kriminelit Sllobodan Millosheviq, me 03 korrik 2002, dëshmoi edhe Mustafa Draga, Milazim Thaçi dhe Liri Loshi. Këtë masakër, William Woker e pat cilësuar krim kundër njerëzimit. Ky krim nuk është zbardhur kurrë.

Masakra në Abri të Epërme

Më datë 26 shtator 1998 në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme. Pikërisht në këtë ditë, janë ekzekutuar 23 anëtarë të familjes Deliu ku fotografia e foshnjës me biberon, i masakruar nga forcat serbe, pati shokuar mbarë botën. Përveç tij, të masakruar pati edhe gra, fëmijë e pleq. Familja Deliu ka qenë strehuar në malin aty afër për t’i ikur barbarisë serbe, kur është kapur nga serbët, të cilët i kanë vrarë. Nga sa janë ekzaminuar më vonë trupat, është parë se forcat serbe kanë kryer një masakër të vërtetë në njerëz. Edhe ky krim nuk është zbardhur kurrë.

Masakra në Krushë të Madhe

Krusha e Madhe përkujton çdo vit përkujton të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, të cilët nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë. Konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona. Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës. Nga i gjithë fshati, masakrës i mbijetuan vetëm disa meshkuj, pasi të gjithë ishin ndarë nga familjet dhe ishin pushkatuar.

Masakra në Likoshan

Sulmi i forcave serbe mbi banorët e fshatrave Likoshan e Qirez ndodhi me 28 shkurt të vitit 1998. Si pasojë e betejës së zhvilluar të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe kanë mbetur të vrarë disa policë serbë dhe në shenjë hakmarrjeje forcat serbe rrethuan fshatrat Likoshan e Qirez ku edhe u ekzekutuan 24 civilë. Masakra që u bë aty njihet si e para ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe në Kosovë. Një ndër masakrat që tronditi botën e civilizuar dhe tmerroi botën ishte maskara në familjen Ahmeti. Në këtë masakër u vranë edhe pleq e gra shtatzana.As ky krim nuk u zbardh kurrë.

Masakra në Meje

Në Mejë të Gjakovës u krye një masakër tjetër e rëndë e forcave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Me 27 prill 1999 ishin vrarë e masakruar në këtë ven 376 persona. Të të gjitha moshave dhe gjinive. As për këtë masakër askush nuk dha kurrë përgjegjësi.

Masakra në Burgun e Dubravës

Terrorit dhe masakrimit të forcave serbe nuk i shpëtuan as të burgosurit shqiptarë nëpër burgje. Një prej këtyre masakrave është ajo në Burgun e Dubravës. Në Maj të vitit 1999, forcat serbe dërguan të burgosur shqiptarë në burgun e Dubravës, për të cilin kishin dijeni se do të bombardohej nga avionët e NATO-s, pasi aty ishin të pozicionuara ushtria, policia dhe paraushtarakët serbë. Bartja në Burgun e Dubravës, e të burgosurve nga Burgu i Mitrovicës së Stremit, ai i Nishit, Gjilanit, Prizrenit, Pejës dhe i Prishtinës ka qenë përgatitje e planifikuar për masakër në Burgun e Dubravës. Këtë e kanë bërë udhëheqësit e shtetit serb, madje më 26 Prill, nga Burgu i Mitrovicës së Stremit jemi transferuar drejtpërdrejt me autobus 64 të burgosur, pikërisht drejt Burgut të Dubravës. Bombardimet në Burgun e Dubravës nga forcat e NATO-s që nuk kishin dijeni për këtë veprim të Serbisë, kanë ndodhur nga 19, deri më 25 Maj të vitit 1999.As për këtë krim e masakër edhe pse ka dëshmitarë, nuk doli askush para drejtësisë.

Masakra në Qyshk të Pejës

Masakra e Qyshkut ka ndodhur të premten e 14 majit 1999 në fshatin Qyshk. Në këtë masakar u vranë e u masakruan barbarisht 42 meshkuj. Në fshatin Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete. Sipas njoftimeve, policia dhe paramilitarët serbë rrethuan fshatarët në tri shtëpi rurale, menjëherë janë ekzekutuar me armë automatike ndërsa shtëpive iu është vu zjarri. Kjo ëhstë ndër masakrat e pakta për të cilën në serbi janë arrestuar disa të dyshuar dhe janë gjykuar disa prej tyre duke marrë dënime fare të lehta. Kjo pasi masakra u krye nga forcat paramilitare të njohura si ‘Çakallët’.

Masakra në Lybeniq

Më 1 prill 1999, forcat paramilitare serbe të njohura me emrin “Çakejtë”, kishin zbarkuar në rrugët e fshatit Lybeniq të Pejës, me qëllim masakrimin e popullatës. Atë ditë ata kishin vrarë 66 persona. Të mbijetuarit e asaj masakre edhe sot e kësaj dite e kujtojnë tmerrin e 1 prillit 1999. Në vitin 2010 prokuria serbe e krimeve të luftës ka akuzuar, Zoran Rashkoviqin së bashku me Toplica Miladinoviqin, Sreçko Popoviqin, Slavisa Kastratoviqin, Boban Bogiceviqin, Radoslav Brnoviqin, Vidoje Koricaninin, Veljko Koricaninin, Abdulah Sokiqin, Milojko Nikoliqin, Sinisa Misiqin, Zoran Obradoviqin, Dejan Bulatoviqin dhe Ranko Momiqin për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve në fshatrat Lybeniq, Zahaq, Qyshk e Pavlan gjatë vitit 1999. Të gjithë këta përveç Toplica Miladinoviqit gjykata i akuzon si pjesëtarë të grupit “Çakejtë”, udhëheqës i të cilëve sipas dëshmitarëve ka qenë Nebojsha Miniq, i njohur me nofkën “Mrtvi”. Ishte arrestuar në vitin 2005 në Argjentinë, por kishte vdekur nga SIDA gjatë procesit të ekstradimit.

Përveç këtyre masakrave ka edhe shumë të tjera që janë kryer nga forcat serbe mbi shqiptarët në Kosovë. Asnjë nuk është zbardhur e madje edhe mbi 1600 persona konsiderohen të zhdukur. Janë masakrat në Rahovec, në Mushtisht, në Studime, në Rogovë, në Rezallë, Poklek e në shumë vende të tjera, kryerësit e të cilave nuk kanë dalë kurrë para drejtësisë e për të cilat Serbia asnjëherë nuk kërkoi falje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat