Nevojitet përkrahja e Francës në transformimin e FSK-së

Aktuale

Nevojitet përkrahja e Francës në transformimin e FSK-së

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 15:17
Haki Demolli e Didier Chabert

Mbështetja dhe përkrahja e Francës për Kosovën në drejtim të ndërtimit dhe funksionalizimit të sektorit të sigurisë, me theks të veçantë transformimi i FSK në Forca të Armatosura të Kosovës, është më se i nevojshëm nëpërmjet mekanizmave të fuqishëm që posedon Franca aktualisht kudo në organizatat me peshë të organizimit evropian e më gjerë.

Kështu ka thënë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, gjatë takimit me ambasadorin e ri në detyrë të Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, Didier Chabert. Demolli ka çmuar lart kontributin e kontingjentit të Francës në kuadër të KFOR-it dhe gjithë interesimin dhe angazhimin që ka treguar Franca si njëra ndër  shtetet e  para që njohu pavarësinë e vendit tonë.

Ministri Demolli gjithashtu i shprehu ambasadorit francez interesimin e Kosovës dhe MFSK-së që të iniciohet dhe zhvillohet procesi për formatizimin e bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Francës me memorandum bashkëpunimi, sikurse që MFSK-ja e ka aktualisht me 12 shtete anëtare të NATO-s dhe vende tjera, siç janë Britania e Madhe, Ajova(SHBA), Gjermania, Hungaria, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj.

Nga ana e tij, ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert u shpreh jashtëzakonisht i interesuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe për përkrahjen e tij në aktivitetet dhe planet në të ardhmen. Ai tha se ashtu siç e kemi njohur pavarësinë e Kosovës, si një ndër shtetet e para, ashtu do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në zhvillimin e saj demokratik e të qëndrueshëm.

Kjo është vizita e parë që Didier Chabert, ambasador i Francës, zhvillon në detyrën e shefit të misionit diplomatik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat