Kanceri i gjirit, çdo e teta grua e rrezikuar

Aktuale

Kanceri i gjirit, çdo e teta grua e rrezikuar

Më: 29 tetor 2016 Në ora: 16:27
Atifete Jahjaga

Qindra qytetarë dhe personalitete të ndryshme iu kanë përgjigjur sot ftesës për ecjen simbolike kundër kancerit të gjirit në kryeqytet. Ata thanë se zbulimi i hershëm, përmes kontrolleve të rregullta mjekësore, duhet të bëhet pjesë e kulturës tonë familjare, sepse kjo është mundësia më e mirë për ta luftuar këtë sëmundje.

Kjo ecje e cila është bërë tanimë tradicionale në vendin tonë, edhe në këtë vit zuri vend në të gjitha sheshet e kryeqytetit.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u bëri  apel të gjitha grave të prekura nga kanceri i gjirit, që t’i kushtojnë vëmendje shëndetit, ashtu siç kujdesen edhe për të dashurit e tyre.

Jahjaga: Diagnostikimi i hershëm, mundësia më e mirë

‘’Ky manifestim i yni tani më tradicional, ecja kundër kancerit të gjirit po mbledh çdo vit e më shumë mbështetës për të ngritur vetëdijen tonë shoqërore mbi këtë sëmundje prej të cilës askush dhe asnjëri nuk mund të jetë imun. Kanceri i gjirit mund të prek gjithsecilin prej nesh në Kosovë, fatkeqësisht çdo vit po regjistrohen mesatarisht 300 raste të reja të prekura nga kanceri i gjirit, që i bije që në çdo 8 gra, një nga ne është e rrezikuar. Mënyra e vetme për të ndaluar këto sëmundje, është zbulimi i hershëm përmes kontrolleve të rregullta mjekësore, të cilat urgjentisht duhet të bëhen pjesë e kulturës tonë, dhe në asnjë rrethanë ne nuk duhet ato t’i neglizhojmë. Andaj sot dhe gjatë këtij muaji kur po mobilizohemi edhe si familje, edhe si shoqëri për të ngritur vetëdijen për rrezikun e kësaj sëmundje në komunitetin dhe në rrethin tonë, iu bëjë apel që t’i kushtoni vëmendje shëndetit tuaj”, tha Jahjaga.

Në këtë fushat nuk mungoi as kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili me këtë fjalim inkurajoi shumë gra dhe tregoi për memografitë falas që mund të bëhen në dy qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë.

Ahmeti: 5 minuta kontroll shpëtojnë më shumë se 5 vite jetë

”Dallimi i vetëm mes rezultateve të suksesshme dhe rezultatit përfundimtar është zbulimi i hershëm. Në dy vitet e fundit, kemi shtuar jashtëzakonisht shumë kontrollet falas të mamografisë, të cilat bëhen në komunën e Prishtinës dhe edhe sot iu bëjë thirrje, kemi dy qendra ku bëhet ky kontroll shumë i thjeshtë dhe shumë i lirë, për shumicën dhe raste sociale falas, mund të vijmë edhe t’iu marrim me makina për ato të cilat janë raste sociale të rënda, në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Prishtinë, pra, shtëpia e shëndetit qe është këtu dhe në qendrën e mjekësisë familjare numër 5 në lagjen Dardania. Unë jam shumë i gëzuar që këto dy vite është shtuar tepër numri i pacientëve të kontrolluar, po edhe sot e shfrytëzoj këtë podium, këtë rast, në këtë ditë, ju lutemi kontrollohuni në mënyrë të rregullt, sepse 5 minuta kohë iu shpëtojnë më shumë se 5 vite jetë‘’, tha Ahmeti.

Kurse, organizatorja e kësaj ecje simbolike, Nafije Latifi nga organizata joqeveritare Jeta/Vita, tregoi që janë bërë shumë përpjekje që njerëzit të kenë më shumë informata se si mund të zbulohet dhe të trajtohet sëmundja e kancerit të gjirit dhe si të fitohet beteja me këtë sëmundje. 

Latifi: Përpjekje të shumta për ta luftuar këtë sëmundje

‘’Unë e di se çka do të thotë të përballesh me këtë sëmundje, unë e di se çka do të thotë të bredhësh nga një ordinancë private tek tjetra, nga një vend në regjion tek tjetri edhe më larg, por jo vetëm unë, është i madh ky numër i grave në Kosovë.....bashkë me mediat e bëmë realitet synimin që informata për kancerin e gjirit të arrijë në çdo shtëpi, në mënyrë që sëmundja të zbulohet sa më herët, në fazat e para kur mbijetesa është më e gjatë, më cilësore, kur trajtimet janë më të lehta e më të pakta, kur shpenzimet janë më të vogla si për familje, ashtu edhe për shoqëri. Unë nuk do të flas për statistikat, sepse për mua ato nuk janë numra, janë gra që shkojnë të mjeku me frikë nga diagnoza, me vuajtjet që sjellë sëmundja, me familjarët të brengosur afër vetës’’, tha Latifi.

Ndryshe, muaji tetor i përkushtohet i ndërgjegjësimit kundër luftës së kancerit në të gjithë botën, për të ngritur vetëdijen shoqërore për rrezikun e kësaj sëmundje.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat