Skuadra e FSK-së që fitoi medaljen e artë në Britani në vizitë te presidenti

Aktuale

Skuadra e FSK-së që fitoi medaljen e artë në Britani në vizitë te presidenti

Më: 4 nëntor 2016 Në ora: 16:00
Foto nga takimi

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama si dhe skuadra e FSK-së, fituese e medaljes së artë në garën ushtarake në Wells të Mbretërisë së Bashkuar, u pritën në Presidencë nga Kryetari i shtetit, Hashim Thaçi.

Me këtë rast, presidenti Thaçi e përgëzoi komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant  Rama për sukseset që FSK-ja po i arrin në zhvillimin e saj të gjithmbarshëm profesional, mbështetjen që po u jep institucioneve dhe qytetarëve të vendit, e sidomos për suksesin e FSK-së të treguar në arenën ndërkombëtare dhe depërtimin e suksesshëm të saj.

Me këtë rast presidenti ka potencuar medaljen e artë që Skuadra e Brigadës për Reagim të Shpejtë që e fitoi këtë vit në Wells të Britanisë së Madhe, pranimin e kadetëve të FSK-së në Akademinë ushtarake amerikane “West Point’’ si dhe pjesëmarrjen e suksesshme në ushtrime të përbashkëta në vend, rajon dhe më gjerë, si dhe për shkallen e lartë të ndërveprimit gjatë realizimit të aktiviteteve.

Thaçi tha se Kosova ndjehet krenare me sukseset e treguara të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë të cilat dëshmojnë profesionalizmin, përkushtimin, motivimin e lartë si dhe disiplinën e institucionit në përgjithësi. Gjithashtu, i pari i vendit tha se çdo sukses i FSK-së është një hap përpara drejt transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur si dhe një hap përpara në anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Komandanti i FSK-së, Rama falënderoi presidentin e vendit  për kujdesin, mbështetjen si për angazhimin në drejtim të avancimit të FSK-së dhe krijimit të mundësive që Forca të dëshmojë që është e aftë, e gatshme dhe e nderveprueshme me ushtritë e shteteve partnere dhe shteteve tjera si dhe mbështetjen për marrjen e përgjegjësive dhe detyrave të reja, ato të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Skuadrës së FSK-së e cila e fitoi garën në përbërje nga  Manushaqe Nura,  Ismail Hoxha, Fiton Kastrati, Feti Pronaj, Mensur Haziri, Daut Nishori dhe  ushtarëve Kushtrim Abazi, Qemajl Abazi, Valon Hajdari, Nexhepi Begu, Agim Qorri, Liridon Thaqi dhe  Fatmir Maqastena iu dha mundësia që para Presidentit  Thaçi dhe  gjeneral Ramës t’i shpalosin eksperiencat e tyre gjatë garës, sfidat dhe suksesin e arritur në garën në të cilën doli fitues skuadra e FSK-së.

Në këtë ushtrim përveç 102 skuadrave  nga njësi të ndryshme të ushtrisë britanike kanë marrë pjesë gjithsej  edhe 18 skuadra mysafire, përfshirë ushtritë  nga vendet si Gjermania, Italia, Zvicra, Kanada, Pakistani, Nepali, Brazili, Kili, Bosnja dhe Hercegovina, Irlanda, India, Belgjika, Çekia, Australia, Zelanda e Re, Gjeorgjia, Meksika dhe Letonia. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat