Ministri Demolli takoi ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, Hannes Hanso

Aktuale

Ministri Demolli takoi ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, Hannes Hanso

Më: 20 nëntor 2016 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli takoi me ministrin e Mbrojtjes të Estonisë, Hannes Hanso në Halifaks të Kanadasë, ku po qëndron për vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të posaçme nga ministri i Mbrojtjes së Kanadasë dhe Forumi i Halifaxit.

Siç njofton Ministria e Forcës së Sigurisë, ministri Demolli në takim me ministrin Hanso, theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Estonisë, si dhe i shprehu gatishmërinë për inicimin e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe dyja vendeve në fushën e sigurisë, transmeton KosovaPress.

Gjithashtu, Ministri Demolli, e ftoi nikoqirin për vizitë në Kosovë, për të parë nga afër progresin e FSK-së, gjë që u mirëprit nga ministri  estonez i Mbrojtjes, Hannes Hanso.

Nga ana e tij, Hannes Hanso shprehu interesimin e tij për zhvillimin e FSK-së si dhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe rajon duke shprehur gatishmërinë e tij edhe për intensifikimin e marrëdhënieve me MFSK-në në të ardhmen e afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat