Thaçi uron FSK-në për “Ditën e Forcës”

Aktuale

Thaçi uron FSK-në për “Ditën e Forcës”

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 13:51
Hashim Thaçi në një tubim të mëhershëm të FSK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëtarëve të kësaj force dhe tërë qytetarëve të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është rritur në një forcë të standardeve më të larta ndërkombëtare, duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe ushtritë e vendeve tona mike, nga SHBA-ja e deri te Evropa”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi theksoi se “Forca e Sigurisë së Kosovës” është sot një forcë profesionale, multi-etnike, me përfaqësim të duhur gjinor, sukseset e së cilës kanë tejkaluar kufijtë e Kosovës.

”Njësitet e saj morën medaljen e artë në manovrat në Britani të Madhe, kadetët e saj trajnohen dhe dallohen për suksese në akademitë më prestigjioze ushtarake në botë. Trupat e kësaj force ndihmojnë në aksione të kërkimit-shpëtimit në rajon e më gjerë”, i numëroi sukseset e FSK-së presidenti Thaçi.

“Ata janë krenaria jonë, besimi ynë në të ardhmen tonë të sigurt, në paqe e stabilitet”, ka thënë presidenti Thaçi për pjesëtarët e FSK-së.

Kreu i vendit gjithashtu konfirmoi se e ardhmja e FSK-së është në zhvillimin e saj në ushtri të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është gati që të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Do të jetë kjo një forcë e standardeve më të larta të NATO-s, profesionale, me përfshirje të gjerë të të gjitha komuniteteve dhe gjinive, që do të angazhohet për paqe dhe stabilitet në Kosovë, rajon dhe kudo në botë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat