Politika "mbyt" lëvizjen dhe reagimin qytetar

Aktuale

Politika "mbyt" lëvizjen dhe reagimin qytetar

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 15:36
Ilustrim

Niveli i papunësisë, varfërisë, korrupsioni, mungesa e energjisë elektrike, ujit të pijshëm, ndotja e ajrit, janë vetëm disa nga çështjet që për çdo ditë shqetësojnë qytetarët e vendit, por reagimi i tyre ose është i vonshëm ose pasiv, thonë sociologët.

Për këto probleme ka patur në të kaluarën protesta të qytetarëve, por ato ose kanë qenë me pjesëmarrje të vogël të tyre, ose nuk kanë patur një jehonë.

Në mungesë të një lëvizjeje qytetare, që do të ngriste zërin për problemet që shqetësojnë ata dhe me të cilat përballen qytetarët në jetën e përditshme, ‘boshllëkun” thonë analistët e sociologët, e mbushin partitë politike.

Qytetarët thonë se mosreagimi ndodh për shkak se shoqëria civile nuk është aktive.

Njëri nga ta, Ardian Ahmeti, i cili ka përfunduar studimet në Departamentin e Sociologjisë, thotë se “duhet të ketë aktivizim si në protesta, ashtu edhe në mënyrë deklarative”.

“Protesta duhet të organizohen dhe të shprehen pakënaqësitë. Por, shoqëria civile mendoj që është shkaktari kryesor, pasi nuk është aktive. Për arsye se ata duhet të merren me shoqërinë, të emancipojnë shoqërinë për të reaguar,’” thotë ai.

Se në Kosovë duhet të ekzistojë lëvizja qytetare dhe ata vetë të jenë aktivë, e thotë edhe Agoni nga Prishtina.

Por, megjithatë ai nuk beson se do të rregullohet ndonjë problem edhe nëse në mënyrë masive protestohet.

“Është dashur të jemi më aktiv, por nuk e di ku të marrë atë fuqi ose përkrahje që të ngris zërin si qytetar. Unë kam menduar për një çështje të tillë, por nuk ka ndonjë efekt”.

Ndërkohë, profesori në Departamentin e Sociologjisë, në Fakultetin Filozofik, Shemsi Krasniqi, thotë se në Kosovë mungon lëvizja dhe reagimi qytetar për shkak të, siç thotë, një demokracie të brishtë në vend.

“Ky është dëm i madh për një demokraci dhe qytetari moderne. Mirëpo, ndoshta edhe kjo do të kalojë, pasi demokracia nënkupton reagimin qytetar. Demokracia nuk është demokraci nëse nuk ka qytetari. Kështu që demokracia jonë ende nuk është e pjekur sa duhet, ende është e brishtë”, tha Krasniqi

Sociologët dhe qytetarët ndërkaq shprehen se në Kosovë është krijuar një monopol i partive politike në jetën shoqërore.

Në këtë kuadër sociologu Krasniqi, thekson se në rastet kur është bërë përpjekje për organizime dhe reagime të tilla, asnjëherë nuk kanë arritur të bëhen të fuqishme dhe masive.

Madje po thuajse, thotë ai, në të gjitha rastet, reagimet e qytetarëve janë përvetësuar dhe monopolizuar nga partitë politike.

“Sepse unë e di se ka pasur reagime të studentëve dhe menjëherë janë përvetësuar nga partitë politike, reagime të grave dhe menjëherë janë marrë nga partitë politike".

"Pra, ka kësi lloj tendencash që partitë politike të përfitojnë nga lëvizjet qytetare. Kjo është e dëmshme për qytetarinë. Kjo ndoshta është arsye pse nuk ka reagim të qytetarëve, pasi nuk dëshirojnë të identifikohen me forca të caktuara politike qofshin të pozitës apo të opozitës”, tha Krasniqi.

Edhe analistët politik, pohojnë se politizimi i shoqërisë ka bërë që në raste të ndryshme qytetarët të heshtin karshi problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen.

Imer Mushkolaj, për Radion Evropa e Lirë, thotë se arsye tjetër pse qytetarët po qëndrojnë indiferent ndaj dukurive të shumta që po ndikojnë në jetën e tyre, është humbja e besimit në mundësinë e zgjidhjes së problemeve të tyre.

“Natyrisht se ka pasur përpjekje të partive politike që të përvetësojnë organizime të ndryshme qytetare, që unë besoj se janë legjitime në ide, sepse ky është qëllimi i partive politike që të bëjnë sa më shumë ndjekës".

"Por, pajtohem se kjo po e mbyt atë dellin e reagimit qytetar. Sepse njerëzit sot, unë besoj, se më përpara do të protestonin për një kauzë në të cilën nuk i fusin duart partitë politike, se sa në një kauzë në të cilën thërrasin partitë politike”, thotë Mushkolaj.

Sidoqoftë, organizimet më masive në Kosovë janë mbajtur për qëllime politike të thirrura pikërisht nga subjekte të ndryshme politike. (REL)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat