Mustafa: Nuk jemi sovran nëse s’kemi kufijtë ndërkombëtarë

Aktuale

Mustafa: Nuk jemi sovran nëse s’kemi kufijtë ndërkombëtarë

Më: 13 dhjetor 2016 Në ora: 11:22
Isa Mustafa gjatë ligjëratës në Gjilan

(E plotësuar) - Prioritet i shtetit të Kosovës është forcimi i ligjit, luftimi korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për udhëtim të lirë të qytetarëve të Kosovës.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ku shtoi se Kosova i ka përmbushur disa kritere si nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së, dhe tani është në rrugë të mirë për liberalizim të vizave. Megjithatë, Mustafa është shprehur se ende duhet të forcohet shteti ligjor.

Mustafa: BE ka kërkuar fshirjen e lëndëve për korrupsion dhe krim të organizuar  

“Faza tjetër që ne e kemi kaluar këtë vit është plotësimi i kritereve i BE-së për liberalizim të vizave sepse ne na është dhënë rekomandimi nga KE që Kosova i plotëson kushtet që të hyjë në procesin e trajtimit për liberalizim të vizave por po ashtu me dy vërejtje që ne duhet të punojmë edhe më tutje në këtë plotësimin e trendit të trajtimit të lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionit. Aty nuk kemi një kriter statik ku thuhet se sa lëndë duhet të përmbushen por aty thuhet që historiati i këtyre lëndëve duhet të jetë transparent për BE-në dhe për opinionin e brendshëm, në mënyrë që të shihet se si po punon Qeveria dhe institucionet e drejtësisë në këtë aspekt, dhe unë po mendoj se në këtë aspekt veç e kemi përmbush kriterin dhe kështu na është thënë edhe në Bruksel”, ka thënë Mustafa.

Ai ka ripërsëritur se kriteri i dytë më i rëndësishëm për ta fituar të drejtën e lëvizjes së lirë është ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi.

Mustafa: Kufijtë administrativ t’i kthejmë në kufij ndërkombëtar

“Dhe e fundit është ratifikimi i marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi në të cilën çështje kemi ngec dhe po na kushton mjaft shumë, ju kushton qytetarëve të Kosovës sepse ata po ngecin të izoluar sepse po mbesin të izoluar dhe pamundësi të udhëtojnë si qytetarët tjetër. I kushton sovranitetit të vendit sepse nuk mund ta konsiderojmë vendin tonë që është plotësisht sovran nëse ky vend nuk i ka kufijtë ndërkombëtarë me vendet fqinje dhe kufijtë administrativ që i ka pas Kosova duhet të shndërrohen në kufij ndërkombëtar edhe ma Malin e Zi dhe me Serbinë nesër. Me Shqipërinë e kemi kufirin që përpara e ka pas ish-Jugosllavia me Shqipërinë, andaj nuk kemi asnjë problem të vijës kufitare. Me Maqedoninë është përcaktuar kufiri dhe tani ka mbet vetëm vija kufitare me Malin e Zi, e cila duhet të ratifikohet dhe të vazhdohet vija kufitare me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka thënë se Qeveria që e drejton është e përcaktuar që në programin politik ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik që nënkupton uljen e papunësisë dhe varfërisë.

Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, kryeministri Mustafa ka thënë se janë të përcaktuar që t’i japim përparësi themelore sektori privat. Mirëpo, ai shtoi se me privatizimin e ish-ndërmarrjeve shoqërore nuk është arritur që të gjithë të punësuarit të mbesin në punë.

Mustafa: Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk arriti t’i absorboj të gjithë të punësuarit

“Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, ne jemi të përcaktuar që t’i japim përparësi themelore sektori privat, të bëjmë privatizimin e kompanive ekzistuese që i kemi trashëguar si ndërmarrje shoqërore përpara, dhe ky privatizim na ka shkaktuar papunësinë strukturores sepse një numër i madh i të papunëve është shkas i papunësisë strukturore sepse e kemi ndryshuar strukturën e kompanisë përmes privatizimit dhe njerëzit kanë mbet pa punë, ndërkaq, aktivizimi i ndërmarrjeve që janë privatizuar dhe themelimi i ndërmarrjeve të reja nuk ka arritur të absorboj qoftë të papunët që janë krijuar si shkak ose si pasojë e ndryshimeve strukturore dhe privatizimit, qoftë ata që hyjnë në tregun e punës”, tha ai.

Kryeministri Mustafa tha se Kosova në vitin e kaluar pati 4,1 përqind rritje ekomomikë, ndërsa, këtë vit parashihet që kjo rritje të jetë 4,5 përqind, mirëpo, shtoi se nuk është e mjaftueshme, pasi që gjendja ekonomike në vendin tonë është shumë e ulët.

Mustafa: Jemi në prag të kalimit nga vendi i varfër në vend më të zhvilluar

“Kemi rënie edhe të papunësisë, mirëpo, në realitet akoma problemi i papunësisë është problem i madh. Kemi rënie edhe të varfërisë por akoma varfëria është një prej problemeve tona të mëdha dhe ne së shpejti do të dalim, nga ai pragu i vendeve të varfra që i ka përparësitë e veta që nuk mund ta konsiderojmë të vetën si vend i varfër por i ka edhe mangësitë sepse pastaj nuk mund të shfrytëzojmë fonde nga institucionet ndërkombëtare nga të cilat shfrytëzohen në qoftë se karakterizohet një vend si vend i varfër. Këtu e kemi edhe vërejtjen e Bankës Botërore se ne duhet të përshpejtojmë në shfrytëzimin e disa fondeve ndërkombëtare por po ashtu kemi edhe disa Agjencione ndërkombëtare që thonë se nëse së shpejti nuk i shfrytëzojmë këto mjete, atëherë, nuk do të mund t’i shfrytëzojmë, pasi që së shpejti e kalojmë pragun e vendeve të varfra dhe hyjmë në një fazë të vendeve të cilat prapë e kanë nj ë nivel të më ulët të zhvillimit ekonomik”, tha Mustafa.

Ai gjatë ligjëratës ka folur edhe për zhvillimin e arsimit, ku tha se deri më tani prioritet i Qeverisë ka qenë përfshirja më e madhe në arsimin e lartë, derisa tani ka shtuar se do t’i kthehet përmirësimit të cilësisë.

Mustafa ka thënë se fushë tjetër me prioritet për zhvillim është fusha e shëndetësisë, ku ka shtuar se do të fuqizohen spitalet e qyteteve tjera dhe QKUK-ja, në mënyrë që pacientët e Kosovës mos të shkojnë jashtë vendit për shërim.

Me këtë rast, Mustafa tha se që nga viti i ardhshëm do të fillojë të aplikohet edhe sigurimi shëndetësor, gjë që sipas tij, do ta përmirësojë jetën e qytetarëve.

Ndërsa, rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, tha se punonjësit e arsimit e kanë ditë pak a shumë gjendjen në sistemin e arsimit në Kosovës, kurse, rezultatet e fundit për vlerësim të cilësisë, tha se vetëm sa e kanë shfaqur në sipërfaqe një gjë të tillë.

Kosumi: Qeveria ta ketë prioritet arsimin

“Arsimi në Kosovë është ndihmuar dhe është përkrahur nga të gjithë ne prej mësuesve, arsimtarëve, studentëve qeverive por asnjë qeveri deri tash nuk e ka trajtuar rrënjësisht rezultatet jo të kënaqshme që po dalin në sipërfaqe kohëve të fundit, ndërsa, ne që jemi në proces të arsimit e dimë me të vërtetë që shenja të tilla dobësie ka në sistemin tonë të arsimit”, tha Kosumi.

Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” është themeluar para dy viteve dhe tani ka 4 fakultete me rreth 7 mijë studentë.

Mustafa: Nevojitet rritje ekonomike prej 6 % për zbutjen e papunësisë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka vizituar Universitetin Publik "Kadri Zeka", në Gjilan.

Kosumi i kërkon kryeministrit të fillojë ndryshimet në arsim

Gjatë adresimit të tij, Mustafa tha se prioritet i Qeverisë së Kosovës është zhvillimi ekonomik dhe rritja e punësimit.

Ai tha se vendit i duhet një rritje ekonomike prej 6 përqind, në mënyrë që të zbutet numri i të papunëve.

“Ne jemi përcaktuar tek privatizimi, dhe njerëzit kanë mbet pa punë. gjatë vitit kaluar kemi rritje 4.1 % që në matje me regjionin është më e larta. Mirëpo, kjo nuk është tregues cilësor sepse kemi një bazë të ulët te zhvillimit ekonomik. Megjithatë ne kemi trend në rritje”, tha Mustafa.

Kryeministri është pritur nga rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi, i cili tha se është shkas i rëndësishëm që Qeveria e Kosovës merret me arsimin në Kosovë.

Ai tha se nuk mund të jemi të kënaqur me trajtimin që i bëhet arsimit në vendin tonë, dhe se qeveria duhet të fillojë ndryshimet  prej kurrikulave.

Kosumi tha se Universiteti i Gjilanit ka një buxhet prej 1 milion e 500 mijë eurosh,  ku pjesa më e madhe shkon në paga e meditje.

Mustafa ligjëratë para studentëve në Gjilan (Drejtpërdrejt)

Kryeministri Isa Mustafa po qendron në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan me ç ‘rast do të mbajë një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti,

Haziri pret Mustafën në Gjilan 

Kryeministri Isa Mustafa është duke qëndruar për vizitë në Komunën e Gjilanit.

Fillimisht Mustafa është takuar me të parin e kësaj komune Lutfi Hazirin, takim ky i cili ende nuk ka përfunduar.

Ndër të tjera Mustafa do të vejë edhe gurthemelin e një Qendre të Mjekësisë Familjare në Gjilan, më pas do të vizitoj Universitetin “Kadri Zeka” dhe FSK-në.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat