Kushtëzimi i BE-së ndaj Kosovës i padrejtë, fajtore për ngecje edhe diplomacia e Kosovës

Aktuale

Kushtëzimi i BE-së ndaj Kosovës i padrejtë, fajtore për ngecje edhe diplomacia e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 dhjetor 2016 Në ora: 10:30
Ilustrim

Ndonëse marrëveshjet me Serbinë dhe Demarkacioni me Malin e Zi ndikuan në stagnimin e shumë proceseve në rrugën e Kosovës drejt BE-së, askush nga partitë politike dhe qeveria nuk dha ndonjë përgjegjësi. Nga ana tjetër BE-ja ka kushtëzuar Kosovën padrejtësisht, në procesin e liberalizimit të vizave, me ratifikimin e marrëveshjes së arritur me Malin e Zi në Parlamentin e Kosovës dhe ky kushtëzim që i është bërë Kosovës është plotësisht i  padrejtë dhe i qëllimshëm nga BE-ja.

Njohësit e çështjeve politike kanë pohuar se situata në të cilën gjendet Kosova, përgjegjës kryesor për mos liberalizimin e vizave dhe hapave të mëtutjeshëm drejt integrimeve evropiane, pa dyshim se fajtore është politika dhe diplomacia e Kosovës. 

Sipas tyre, përgjegjësia dhe barra kryesore në stagnimin e proceseve të Kosovës i bie kryekëput qeverisë së vendit, parlamentit, zyrës së presidentit, pozitës e opozitës, rrjedhimisht mbarë spektrit politik në vend.

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi ka pohuar se mund të jetë një vërejtje e vogël e Republikës së Kosovës, por mos ratifikimi i Demarkacionit dhe asociacionit, nuk kanë ndikuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi në proceset integrues të Republikës së Kosovës.

“E them këtë sepse kërkesa kryesore nga BE-ja ka qenë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili rreth shtatë vite është kërkesa që BE-ja e kërkon nga institucionet e vendit. Përgjegjësi për këtë pa mëdyshje se duhet të jep qeveria së bashku me presidentin, të cilat vepruan me mendjemadhësi, duke i injoruar ekspertët e fushave  të caktuara dhe nënshkruan marrëveshje, të cilat e dëmtuan dhe e copëtuan sovranitetin e vendit. Një pjesë e përgjegjësisë i kalon mbi votuesit sepse në i kemi zgjedhur përsëri duke e njohur të kaluarën e tyre!”, ka thënë Krasniqi për gazetën Bota sot.

BE-ja ka kushtëzuar Kosovën padrejtësisht, në procesin e liberalizimit të vizave, me ratifikimin e marrëveshjes

Në një prononcim për gazetën Bota sot, politologu Nexhemedin Mustafa ka thënë se në situatën në të cilën gjendet Kosova, përgjegjës kryesor për mos liberalizimin e vizave dhe hapave të mëtutjeshëm drejt integrimeve evropiane, pa dyshim se është politika dhe diplomacia e Kosovës. 

Ai ka pohuar se përgjegjësia dhe barra kryesore në stagnimin e proceseve të Kosovës i bie kryekëput qeverisë së vendit, parlamentit, zyrës së presidentit, pozitës e opozitës, rrjedhimisht mbarë spektrit politik në vend.

“Kjo elitë politike që po udhëheq me vendin, e që bënë pjesë edhe opozita vendore, jo vetëm që ka dështuar në rrugën drejt integrimeve evropiane, por kjo elitë politike ka përgjegjësi edhe në shumë procese tjera. Ndër to, mund të përmendim: stagnimi i shteteve për të njohur pavarësinë e vendit, dështimi i Kosovës për të qenë pjesë e UNESCO, dështimi i Kosovës, pra në një kategori më poshtë, në programet “Compact” në “Threshold”, shkalla e lartë e krimit dhe korrupsionit, nepotizmi, mos shtrirja e institucioneve në veri të vendit, kriza politike dhe institucionale në vend muajve të fundit, mos uniteti i spektrit politik në vend kur në pyetje janë interesat shtetërore etj’, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, këto janë vetëm disa nga dështimet që kanë marrë përgjegjësi për të udhëhequr me proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe se padyshim se këtu nga përgjegjësia nuk duhet të përjashtohet as opozita.

‘Në anën tjetër, BE-ja ka kushtëzuar Kosovën padrejtësisht, në procesin e liberalizimit të vizave, me ratifikimin e marrëveshjes së arritur me Malin e Zi në Parlamentin e Kosovës. Ky kushtëzim që i është bërë Kosovës është i padrejtë dhe i qëllimshëm nga BE-ja, ngase një gjë e tillë nuk ka ndodhur me Ukrainën e Gjeorgjinë edhe pse këto dy vende sot përballen me probleme serioze në përcaktimin e vijave kufitare dhe jo vetëm kaq”, është shprehur politologu Mustafa.

Sipas tij, s’do mend se Kosova ka humbur në bisedimet me Serbinë, ngase deri më sot nga këto bisedime pothuajse asgjë nuk është fituar.

‘Bisedimet si të tilla, fillimisht janë konsideruar si teknike dhe sot shohim se ato kryekëput janë bisedime politike, derisa çështjet teknike pothuajse veç janë komplikuar më shumë. Bashkimi Evropian edhe pse e ka kuptuar lojën e Serbisë, në vazhdimësi e ka dëmtuar palën e Kosovës, në bisedimet e Brukselit. Fillimisht duke mbajtur qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, e pastaj si element të dytë, duket qartë se ajo në kurriz të Kosovës vazhdimisht ka toleruar Serbinë me qëllimin e vetëm integrimin e saj në strukturat e veta dhe kështu si rrjedhojë, ndikimi Rus në Ballkanin Perëndimor të jetë sa më i vogël”, ka thënë Mustafa.

Ai ka pohuar se edhe sot pala e Kosovës mund të detyrohet të bisedojë me Serbinë edhe për “murin e paqes” e vendosur atje pak ditë më parë, i cili vetëm (mur i paqes) nuk mund të jetë.

“Shihet qartë se Serbia nuk ka për qëllim paqen dhe stabilitetin e Kosovës, por duke manipuluar me serbët e Kosovës, e njëjta mundohet të minojë shtetësinë e Kosovës, edhe ashtu të brishtë. Shteti duhet të veprojë, në të kundërtën, sa më gjatë të qëndrojë muri në këmbë, aq më shumë tregohet pafuqia dhe mos efikasiteti i rendit dhe ligjit në vend. Beogradi sot shpiku “murin e paqes” për të penguar integrimin e veriut të qytetit të Mitrovicës, nesër do shpikë diçka tjetër që të pengojë këto procese. Më e rënda e gjithë kësaj është kur sot shohim deklarime të pamatura të zyrtarëve qeveritar në vend e që me aq naivitet tregojnë të arriturat e vendit”, ka thënë politologu Mustafa.

Ato vajtje e ardhje, më shumë janë konsideruar si shëtitje në Bruksel, sesa si punë atdhetare!

Analisti politik, Rexhep Shahu ka thënë për gazetën Bota sot se marrëveshjet apo me saktë bisedimet e padinjiteteshme, bisedime këto ku shqiptarët shkuan si fajtore në tavolinë dhe jo si të barabartë apo triumfuese, por si fajtore, si të penduar, janë baza e gjithë prapësive dhe humbjeve nga bisedimet.

Sipas tij, nëse e shtojmë edhe nivelin e dyshimtë të akterëve që udhëhoqën bisedimet, dhe vajtjen e tyre për bisedime, mund të them se ato vajtje e ardhje, më shumë janë konsideruar si shëtitje në Bruksel e jo si punë të detyrave atdhetare, që duhet bërë.

“Përgjegjës janë të gjithë ata që kanë marrë rroga e mëditje, por politikisht janë përgjegjës udhëheqësit, drejtuesit, qeveria e bisedimeve që mashtronte veten se erdhi nga lufta. Prandaj secili duhet të përgjigjet se a e bëra detyrë si duhet a jo, a e fitova Kosovën apo e "shita" një copë të vogël Kosove. Pra mos serioziteti në bisedime, mania apo vuajtja për të marrë një buzëqeshje apo edhe një (okej) nga nëpunës të huaj, e çoi situatën këtu ku është”, ka thënë Shahu. 

Bisedimet me Serbinë dhe Marrëveshja për Demarkacion me Malin e zi janë kushte tjera shtesë që i janë vënë Kosovës

Ndërsa deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Shqipe Pantina ka pohuar se këto marrëveshje gjithsesi kanë ndikuar për keq në zhvillimin e vendit.

“E para nga përmbajtja e këtyre marrëveshjeve, Kosova ka humbur jo vetëm në sferën politike, por edhe në atë ekonomike, dhe pasojat e tyre do ndihen më vonë nëse këto marrëveshje jetësohen si të tilla e sidomos marrëveshja për energjinë dhe ajo për telekomunikimin. Ndërsa sa i përket procesit të integrimit në BE, Kosova ka ende shumë kushte për të plotësuar, siç janë  lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit si dhe kapaciteti për të konkurruar në tregun e BE”, është shprehur deputetja Pantina për gazetën Bota sot.

Sipas saj, përmbushja e këtyre kritereve duket të jetë ende larg, ndërsa bisedimet me Serbinë dhe Marrëveshja për demarkacion me Malin e zi janë kushte tjera shtesë që i janë vënë Kosovës e që nuk janë të lidhura direkt me procesin e integrimit në BE.

“Mënyra se si e ka menaxhuar qeveria jonë këtë proces, si bisedimet me Serbinë ashtu edhe marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, i kanë sjellë vetëm dëme Kosovës dhe vetëm sa e kanë vonuar procesin e integrimit”, është shprehur deputetja e VV-së, Shqipe Pantina.

Kosova po bën hapa të ngadaltë drejt BE-së, ndërkohë që qytetarët e saj po mbeten të izoluar!

Ndryshe, analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se këto dy çështje, pa dyshim se kanë ndikuar shumë në stagnimin e proceseve integruese evropiane.

“Natyrisht, përgjegjësinë më të madhe e ka Qeveria, si bartëse e procesit, respektivisht qasja përjashtuese, e jo gjithëpërfshirëse e kryeministrit Mustafa. Tash kur Kosova po bën hapa të ngadaltë drejt BE-së, ndërkohë që qytetarët e saj mbeten të izoluar, është koha që Mustafa të jep përgjegjësi para qytetarëve. Të mos harrojmë se ai dhe Kadri Veseli e kanë shumicën parlamentare, andaj iu takon t'i kalojnë marrëveshjet, e të mos i fajësojnë të tjerët”, është shprehur Mushkolaj./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat