Thaçi: Muri do të hiqet, Gjykata Speciale s’është ndëshkim

Aktuale

Thaçi: Muri do të hiqet, Gjykata Speciale s’është ndëshkim

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 11:36
Presidenti Hashim Thaçi gjatë fjalimir në Kuvend

(E plotësuar) - Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku morën pjesë vetëm të pozitës, foli për fushë veprimtarinë e tij që nga marrja e postit të presidentit, tha se ka ndërmarrë veprime konkrete, për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës, për të fuqizuar rendin e ligjin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.

Ndërsa është i bindur se muri i ndërtuar në veri të Mitrovicës, do të hiqet dhe nuk do të ekzistojë fare.

Thaçi: Muri do të hiqet, s’do të ekzistojë fare

“Në kuadër të punës për forcimin dhe ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror, të inkurajimit të atyre pjesëtarëve të Policisë kufitare dhe oficerëve të Doganave të Kosovës, kam vizituar pikën kufitare në Jarinjë, në mes Kosovës dhe Serbisë, në veri të Leposaviqit. Puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të policisë dhe doganës së Kosovës më bindi se sovraniteti shtetëror i Kosovës nuk mund të cenohet nga askush.  Kosova është një, e pandashme, nuk do të ketë barrikada dhe as mure, por vetëm ura që na bashkojnë. Muri nuk do të qëndroj aty e askund tjetër. Muri nuk do të shkurtohet e as zvogëlohet për disa centimetra, por do të hiqet nga baza. Nuk do të ekzistojë fare”, tha presidenti.

E si sfidë përmendi  mos miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit. E ata që kundërshtuan demarkacionin sipas tij  dëmtuan qytetarët dhe se reagimi kundër ishte agjendë e interesit të ngushtë politik.

Thaçi: Demarkacioni, marrëveshje e drejtë

“Sfida më e madhe është mos mbajtja e zotimit të dhënë para partnerëve ndërkombëtarë. Që t’u qëndrojmë prapa zotimeve tona të marra kushtetuese dhe ligjore, qoftë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe, qoftë për miratimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kjo marrëveshje është e drejtë. Është sipas Kushtetutës dhe interesave të vendit tonë, e cila do të çonte tutje konsolidimin e integritetit shtetëror. Reagimet kundër kanë dëmtuar më të pafajshmit, qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian. Reagimi kundër ishte agjendë e interesit të ngushtë politik dhe injorancës profesionale, e në asnjë rrethanë kauzë kombëtare apo ngadhënjim i argumenteve. Prandaj, shteti ynë do të qëndrojë prapa të gjitha obligimeve ndërkombëtare që ka marrë mbi vete”, tha Thaçi gjatë fjalës së tij.

Presidenti i vendit tha se ka pasur fatin që të ec së bashku me Kosovën në ndërtimin e historisë, në dekadat më të rëndësishme dhe se tani  është koha për integrim, për dialog dhe pajtim, brenda në Kosovë dhe në rajon.

Ndërkohë që gjatë fjalës së tij ka folur edhe për viktimat e luftës  në Kosovë dhe vizitat që ai bëri,  ku nderoi disa të rënë të komunitetit serb,  duke vënë lule tek pllakat përkujtimore, për gjë të cilën ai edhe u kritikua.

Thaçi tha se  me këto veprime nuk  ka cenuar vlerat e lirisë dhe as luftën e UÇK-së dhe se ata që i kanë kryer këto veprime, individë apo grupe, kanë fyer e cenuar vlerat e lirisë dhe vetë luftën e UÇK-së.

Thaçi: S’pajtohem me tekstin cirilicë në pllakat përkujtimore, por kjo s’më ndalon t’i nderojmë viktimat

“U ngritën disa pyetje legjitime. Pse po nderoja serbët,  kur ata na kanë vrarë. Kur në pllakat përkujtimore shkruante në cirilicë.  U tha se po cenoheshin vlerat e luftës së popullit të Kosovës për liri. Po fyheshin dëshmorët dhe lufta e shenjtë e UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Në anën tjetër vazhdonin akuzat e stërvjetëruara tash e dekada kundër shqiptarëve në tërësi. Në tërë këtë, më i urti ishte reagimi i familjarëve të të vrarëve, shqiptarë e serbë, të cilët edhe një herë patën vetëm një kërkesë, vetëm një dëshirë. ‘Duam të vërtetën’. Prandaj të sakrifikojmë ngapak të gjithë për të vërtetën. E vërteta nuk duhet ta pengojë dhe frikësojë askënd. Isha i vetëdijshëm dhe i bindur se po bëja punën më të mirë për vendin. E dija se çfarë shkruante në pllakat përkujtimore në alfabetin cirilik. Nuk pajtohem me tekstin, sepse është para gjykim dhe gënjeshtër.  Por, kjo nuk duhet të na ndalojë t’i nderojmë viktimat. Me këtë nderim ne nuk cenojmë vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së. Vlerat e lirisë sonë e të luftës së UÇK-së i cenojnë mu ata që i kanë bërë këto krime dhe ata që sot i arsyetojnë këto krime”, tha ai.

Presidenti në fjalimin e tij foli dhe për Gjykatën Speciale, për të cilën tha se nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara, por avantazh për vendin.

Thaçi: Gjykata s’është produkt i vendimeve të gabuara

“Gjykata Speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara. Nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për të vërtetën për Kosovën.  Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve. Pra të kërcënimit apo vrasjes së tyre. Ky është argumenti kryesor, që s’kemi mundur të sfidojmë Bashkësinë ndërkombëtare, për themelimin e kësaj Gjykate dhe jo politikës së gabuar. Prandaj duke i ftuar të gjithë për drejtësi, solidaritet dhe pajtim ndëretnik ftoj të gjitha institucionet që të tregojnë përgjegjësi më të lartë “,  tha Thaçi.

Thaçi tha se korrupsioni dhe krimi i organizuar,  vazhdimisht paraqiten lart në listën e shqetësimeve të qytetarëve të Kosovës, prandaj, është lart edhe në listën e prioriteteve të çështjeve ,që duhet zgjidhur menjëherë nga politika dhe institucionet e Kosovës. Presidenti Thaçi po ashtu tha se janë përcaktuar, që idetë ekstremiste e radikale, pa marrë parasysh se nga çfarë ideologjie janë nisur, idetë përjashtuese të komuniteteve e individëve, të mos i pranojnë si parime apo ideologji në shoqërinë tonë.  Ai tha se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, shembull i dialogut dhe pajtimit, tolerancës dhe bashkëjetesës.

Thaçi: Gjykata Speciale erdhi si pasojë e vrasjes së dëshmitarëve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se arsyeja e themelimit të Gjykatës Speciale është mos arritja që të mbrohen dëshmitarët.

Ai ka thënë se në Kosovë dëshmitarët janë kërcënuar dhe vrarë dhe në këtë rast Kosova ka dështuar.

Ky është fjalimi i tij

“Këtë herë shkova në Grackë të Lipjanit. Aty vendosa lule tek pllaka përkujtimore në qendër të fshatit që përkujton 14 qytetarë serbë, bujq e punëtorë. E theksova atje dhe po e them përsëri këtu se ky akt dhe aktet e tjera të dhunës kanë qenë vepra kundër lirisë dhe së ardhmes demokratike të Kosovës, dhe jo vetëm kundër viktimave dhe familjeve të tyre. Krimi është krim, kundër kujtdoqoftë të jetë bërë, apo nga kushdoqoftë që është kryer. Edhe sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat civile të të gjitha komuniteteve, të vrarë gjatë dhe pas luftës. Në muajin gusht përkujtova vrasjen e dy dhe plagosjen e katër fëmijëve serbë në fshatin Gorazhdec në afërsi të Pejës, që kishte ndodhur në vitin 2003.

Në qendër të fshatit u ndala me banorët vendas, serbë. Pas këtyre vizitave, filluan të shfaqeshin opinione të ndryshme. E dija se ende ka njerëz të lënduare të helmuar nga urrejtja ndërnacionale. Prandaj këtu menjëherë ftojë që të gjithë të ngrehemi mbi urrejtjen dhe jo-tolerancën. Dikush thoshte se është herët për gjëra të tilla, unë vlerësoja se jemi vonë. Fundja, viktimat ishin produkt i ferrit historik të raporteve serbo-shqiptare dhe atyre rajonale, që kurrë nuk u ushqyen me vullnet mirëkuptimi apo pajtimi, por vetëm me urrejtje dhe armiqësi.

Çuditërisht, sulmet kundër këtyre veprimevetakoheshin dhe bëheshin bashkë në ekstremet e tyre. U ngritën disa pyetje legjitime: pse po nderoja serbët kur ata na kanë vrarë, kur në pllakat përkujtimore shkruante në çirilicë: “viktima të terroristëve shqiptarë dhe të agresionit të NATO-s”. U tha se po cenoheshin vlerat e luftës së popullit të Kosovës për liri. Po fyheshin dëshmorët dhe lufta e shenjtë të UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Në anën tjetër vazhdonin akuzat e ster-vjetëruara tash e dekada kundër shqiptarëve në tërësi. Në tërë këtë, më i urti ishte reagimi i familjarëve të të vrarëve,shqiptar e serbë, të cilët edhe një herë patën vetëm një kërkesë, vetëm një dëshirë: ’’duam të vërtetën’’.

Prandaj të sakrifikojmë nga pak të gjithë për të vërteten. E vërteta nuk duhet ta pengoj dhe frikësoj askënd. Jam vetëdijshëm dhe i bindur se po bëja punën më të mirë për vendin. E dija se çfarë shkruante në pllakat përkujtimore në alfabetin çirilik. Nuk pajtohem me tekstin sepse është paragjykim dhe gënjeshtër. Por, kjo nuk duhet të na ndalojë t’i nderojmë viktimat. Me këtë nderim ne nuk cenojmë vlerat e lirisë sonë e as luftën e UÇK-së.

Vlerat e lirisë sonë e të luftës së UÇK-së i cenojnë mu ata që i kanë bërë këto krime dhe ata që sot i arsyetojnë këto krime. Përpjekja për t’i arsyetuar krimet duke thënë se janë bërë në emër të kauzës kombëtare, duhet të jetë arsye për brejtje të ndërgjegjes sepse po keqpërdoret çështja kombëtare, në dëm të intersit dhe së ardhmes së shtetit të Kosovës.

Ata që i kanë kryer këto veprime, individë apo grupe, kanë fyer e cenuar vlerat e lirisë dhe vetë luftën e UÇK-së.  Ne duhet t’i standardizojmë vlerat çlirimtare e të mos lejojmë që askush t’i degjenerojë ato. Gjykata speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara. Nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për vendin. Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve. Unë besoj në Zot dhe vlera morale, ndërgjegje, drejtësi e pajtim, duke mos e akuzuar apo ofenduar askënd për asgjë. Por duke i ftuar të gjithë për drejtësi, solidaritet dhe pajtim ndëretnik.

Thaçi: Muri në veri nuk do të ekzistojë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se muri në veri të Mitrovicës nuk do të shkurtohet por do të hiqet nga aty.

Thaçi në fjalimin e tij vjetor para deputetëve të Kosovës, ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të mbrojtur rendin dhe ligjin.

Ai tha se vendi ynë ka legjislacionin më të mirë në rajon por ka vërejtur disa mangës, prandaj menjëherë ka kërkuar ndryshimin e kodit penal me qëllim që askush të mos keqpërdorë mangësinë e ligjit.

“Në kuadër të punës për forcimin dhe sovranitetin shtetëror kam vizituar pikën kufitare në Jarinjë.  Sovraniteti i Kosovës nuk mund të cenohet nga askush. Kosova është një edhe e pandashme. Nuk do të ketë barrikada dhe as mur. Muri nuk do të qëndroj aty. Nuk do të negociohet por do të hiqet nga baza”, tha ai.

Kurse, sa i përket procesit të reformës elektorale, ai tha se mbetet në vullnetin e deputetëve që propozimet të shndërrohen në vendime, në mënyrë që të respektohet vota e qytetarit.

“Korrupsioni dhe krimi ekonomik mbetet në nivelin me të lartë dhe kjo duhet të zgjidhet menjëherë nga institucionet e vendit. Kjo punë nga institucionet e sigurisë është për çdo vlerësim por duhet të bëhet edhe më shumë“, tha ai.

Në mes të këtyre sukseseve, ai tha se kanë pasur sfida, si mos ratifikimi i demarkacionit dhe asociacionit.

“Demarkacioni është marrëveshje është e drejtë. Reagimet kundër kanë dëmtuar më të pafajshmit qytetarët që s’mund të lëvizin lirshëm. Reagimi kundër ishte interes e ngushtë politik ose injorancë profesionale. Prandaj shteti ynë do të qëndroj prapa gjithë obligimeve ndërkombëtare që ka marrë”, tha ai.

Ndryshe, opozita ka bojkotuar fjalimin e parë të presidentit Thaçi në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi ankohet që nuk u zbatua Asociacioni dhe Demarkacioni

Presidenti, Hashim Thaçi, fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës e ka filluar duke i përmendur shumë çështje të cilat nuk kanë arritur të zgjidhen gjatë vitit që po e lëmë pas. Thaçi ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar paraqitet në listën e shqetësimeve të qytetarëve të Kosovës prandaj është edhe prioritet për ta zgjidhur

Thaçi gjatë fjalimit se sfida më e madhe dhe moszotimi para partnevëve ndërkombëtarë është Asociacioni i Komunave Serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi, të cilat po i pengojnë qytetarët të udhëtojnë të lirë nëpër Europë.

Thaçi ka folur edhe për murin e ndërtuar pranë lumit Ibër në  Mitrovicë, “Muri do të hiqet nga baza nuk do të ekzistojë fare”, ka thënë Thaçi ndër të tjera.

Fjalimin vjetor të Presidentit e ka bojkotuar opozita dhe Lista Serbe, momentalisht në sallë janë vetëm deputetët e koalicionit qeverisës PDK-LDK që po e dëgjojnë fjalimin e Thaçit.

Nis fjalimi i Thaçit në Kuvend, e dëgjojnë vetëm deputetët e koalicionit

Presidenti Hashim Thaçi ka nisur fjalimin e tij të parë vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në sallë, për ta dëgjuar, adresimin e Presidentit para Kuvendit, janë vetëm deputetët e koalicionit qeverisës PDK-LDK.

Fjalimi vjetorë i Presidentit Thaçi, siç edhe ishte paralajmëruar, është bojkotuar nga deputetët e opozitës - VV, AAK e NISMA. 

Bojkot, Presidentit i kanë bërë edhe deputetët serbë të 'Lista Srpska'. 

Thaçi, në fillim të fjalimit të tij tha se ka kënaqësinë që ndjek hapat e Presidenteve të mëparshëm të vendit, dhe rikujtoi se është zotuar që do ta mbrojë vendin dhe kushtetutën e saj, si president i të gjithë qytetarëve.

Thaçi i adresohet deputetëve

Së shpejti fillon seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën presidenti Hashim Thaçi do t'i adresohet deputetëve.

Ky është adresimi i parë i Thaçit si president i Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat