Sherifi: Thaçi do t’i propozojë Dekoratë Presidenciale Dik Martit, njëriut që shpifi për UÇK-në!

Aktuale

Sherifi: Thaçi do t’i propozojë Dekoratë Presidenciale Dik Martit, njëriut që shpifi për UÇK-në!

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 21:08
Anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi

Anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka komentuar fjalimin vjetor të Presidenti të vendit Hashim Thaçi, duke akuzuar atë për ndërrim qëndrimesh karshi raportuesit zviceran, Dik Marti.

Sherifi, thotë se Thaçi, në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës “harroi”  raportin e Dik Martit që kishte përgatitur kundër UÇK-së, kështu duke e cilësuar si “avantazh për vendin” themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas anëtarit të kryesisë së NISMA-s, ashtu siç kanë ndërruar gjerat nuk është qudi që Thaçi t’i jap Dekoratë Presidenciale, Dik Martit, njëriut që do t’i ngriste padi për shpifje.

“Kur po shohim ndryshimet e vazhdueshme të qëndrimeve të këtij personi për të gjitha çështjet jetike të Kosovës nuk është për t’u habitur nëse në të ardhmen Hashim Thaçi, në vend të padisë së premtuar kundër Dick Martyt (Joseph Goebbelsit të ri), të propozojë një Dekoratë Presidenciale për gjoja “Avantazhin e madh” që Dick Marti ia ka bërë Kosovës! Së paku mua nuk do të më habiste dekorimi i Dick Martyt nga Hashim Thaçi“, ka thënë sherifi.

Më poshtë ju sjellim të plotë reagimin e tij:

Nga kërcënimi për padi kundër Dik Martyt në dekoratë të mundshme nga Hashim Thaçi!

Kur Dick Marty me ndihmën e Serbisë hartoi një raport përmes të cilit e akuzoi UÇK-në dhe drejtuesit e saj për krime monstruoze, deri në trafikim me organe njerëzore, i tërë opinioni publik kombëtar u trondit. Dhe kishte plotësisht të drejtë të tronditej sepse hidhej një hije e keqe në luftën çlirimtare të Kosovës. Në atë kohë edhe Hashim Thaçi dukej i tronditur, i cili jo vetëm se i hodhi poshtë akuzat e Dick Martyt por u zotua se do ta padisë për shpifje hartuesin e këtij raporti. Revolta e Hashim Thaçit ishte aq e madhe sa që Dick Martyn e krahasoi me Joseph Goebbelsin (ministrin e propagandës naziste të Hitlerit).
Po rikujtojmë se ky raport ishte përgatitur në periudhën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës, prandaj edhe konsiderohet si njëri nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme të qeverisë së tij. Po rikujtoj gjithashtu se në krye të politikës së jashtme të Kosovës ishte nominuar Enver Hoxhaj, për të cilin Hashim Thaçi na kishte thënë se gjatë kohës sa ky kishte qëndruar në Vjenë kishte punuar kundër UÇK-së.
Nga ajo periudhë ka kaluar një kohë jo e gjatë dhe gjërat u kujtohen shumicës dërmuese të njerëzve. Çdo kush që ka pasur mundësi të përcjellë fjalën e Hashim Thaçit në Kuvendin e Kosovës në cilësinë e presidentit të vendit me të drejtë ka mundur të konstatoj ndryshimin rrënjësor të Hashim Thaçit për Gjykatën Speciale, këtij produkti të raportit të Dick Martyt.
Në fjalën e tij Hashim Thaç tha të kundërtën e asaj që kishte thënë kur ky raport u bë publik. Sot, opinioni publik pati mundësi të dëgjonte nga goja e Hashim Thaçit se gjoja “Gjykata Speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara dhe se kjo gjykatë nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për vendin”!!!
Pra, në fillim të publikimit të këtij raporti Kryeministri Hashim Thaçi e refuzoi kategorikisht raportin dhe u kërcënua publikisht se do të ngre padi penale kundër Dick Martyt. Tani, në cilësinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi “harroi” Joseph Goebbelsin e raportit që kishte përgatitur kundër UÇK-së dhe rezultatin e këtij raporti e vlerëson si “Avantazh për vendin”!!! Kjo është më shumë se hipokrizi!
Kur po shohim ndryshimet e vazhdueshme të qëndrimeve të këtij personi për të gjitha çështjet jetike të Kosovës nuk është për t’u habitur nëse në të ardhmen Hashim Thaçi, në vend të padisë së premtuar kundër Dick Martyt (Joseph Goebbelsit të ri), të propozojë një Dekoratë Presidenciale për gjoja “Avantazhin e madh” që Dick Marti ia ka bërë Kosovës! Së paku mua nuk do të më habiste dekorimi i Dick Martyt nga Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat