Ambasada amerikane jep detajet e deklaratës së Sekretarit të Mbrojtjes për FSK: Kosova është shembull

Aktuale

Ambasada amerikane jep detajet e deklaratës së Sekretarit të Mbrojtjes për FSK: Kosova është shembull

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 17:40
Sekretari i Mbrojtjes James Mattis

Ambasada e SHBA-së në Kosovë përmes faqes zyrtare bën të ditur se Sekretari i Mbrojtjes James Mattis i është përgjigjur Komitetit të Senatit të SHBA-së në lidhje me Shërbimet e Armatosura për Kosovën, 12 janar 2017.

Rreth 650 trupa të SHBA-së mbeten në Ballkan si pjesë e Forcës së Kosovës (KFOR) që së pari u vendos në Kosovë në vitin 1999 dhe sot përbëhet nga mbi 4,600 pjesëtarë nga 30 shtete.

Çfarë linjash kryesore të përpjekjeve mendoni se duhen për ta pakësuar ose mënjanuar praninë e SHBA-së dhe të NATO-s në Kosovë?

Kosova është shembull i asaj çfarë ndodh kur bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga Amerika, angazhohet për mbrojtjen e interesave dhe vlerave të veta.

Në përgjithësi, do të rekomandoja pakësime në përputhje me situatën e sigurisë në terren, por e kuptoj që, tani për tani, Forca mbetet kritike për sigurimin e stabilitetit të rajonit. Përveç kësaj, para se të pakësohet prania ushtarake e SHBA-së, Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta marrin një mandat për ta kryer sigurinë e brendshme dhe mbrojtjen territoriale, një ndërrim që do të kërkojë ndryshim kushtetues me mbështetje të parlamentit.

Sipas mendimit tuaj, a mund të luajë Bashkimi Evropian rol më të rëndësishëm në Kosovë?

Po. Përpjekjet e Bashkimit Evropian janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës dhe për stabilitetin e saj, dhe duhet të inkurajohet përfshirja e saj e mëtejme.

BE-ja tashmë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë duke ndërmjetësuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, përmes dialogut Beograd-Prishtinë. Dialogu u lejon të dy vendeve të ecin përpara me planet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me kuptimin se njohja e sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë do të trajtohet para pranimit aktual të anëtarësimit.

Përveç kësaj, Bashkimi Evropian ndihmon që t’i kontribuohet stabilitetit në Kosovë përmes Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat