Kosova ende jeton në të kaluarën, edhe në politikë

Aktuale

Kosova ende jeton në të kaluarën, edhe në politikë

Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 14:12
Pamje nga konferenca “Mësimet e nxjerra dhe idetë për të Ardhmen”

Kosova ende jeton në të kaluarën u tha sot në konferencën mbi drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën “Mësimet e nxjerra dhe idetë për të Ardhmen”.

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet, tha se në Kosovë është vetëm qe disa muaj, por një gjë që ai e ka vërejtur është se sa shumë e kaluara është prezent në të tashmen, e sipas tij edhe në politikë.

Lebet: E kaluara është prezent në të tashmen

“Unë kam qenë në Kosovë vetëm për disa muaj, por një gjë që e kam vërejtur se sa shumë e kaluar është prezent në të tashmen edhe në politikë. Personat që nuk janë gjetur, viktimat e dhunës seksuale, dëshmorët, të gjitha këto janë fjalë të cilat mundesh me i vërejte dhe me i dëgjuar çdo ditë në lajme dhe po ashtu edhe në aktivitete e mia ditore. Këto janë edhe synimet pra që duhet të merremi me të kaluarën por këto nuk janë kategoria e vetme me të cilat duhet të kujdesemi për me u marrë me të kaluarën”, tha ai.

Ndërsa, Andrew Russell, Koordinator i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, tha se është i bindur se tranzicioni në Kosovë do të vijë.

Russell: Tranzicioni do të vijë

“Unë e di që tranzicioni do të vijë, gjithmonë drejtësia vihet në vend. Ndonjëherë drejtësia vonohet mirëpo gjithmonë shpaloset e vërteta, ndonjëherë vonohet, por që nuk kam dyshim as tash as në dedikimin e juaj që ta dërgoni këtë proces përpara, unë jam absolutisht i bindur se do të ecë procesi përpara dhe thjeshtë besoj në ju”, tha ai.  

Zëvendësministri i Drejtësisë,  Florian Dushi tha se drejtësia tranzicionale është e dizajnuar për t’u zbatuar veçanërisht në shoqëritë që ndodhen në një proces ndryshimi, në proces të një trazicionit shoqëror, politik, ekonomik dhe po kështu edhe historik.

Sipas tij objektivat primare të drejtësisë tranzicionale janë të lidhura me adresimin juridik të shkeljes së të drejtave të njeriut, krimeve kundër njerëzimit, dhunimeve, abuzimeve, si dhe shpërdorimet e pushtetit që mund të kenë ndodhur në një shoqëri në një periudhë të caktuar kohore.

 Dushi: Kosova ka nevojë për zbatim të normave të drejtësisë tradicionale

“Edhe te ne në Kosovë nevoja për zbatimin e normave, parimeve dhe instrumenteve të drejtësisë tranzicionale u shfaq pa dyshim diktuar nga mënyra e  shkatërrimit të një shteti, krijesë kjo e cila që herët ishte pikasur dhe konsideruar nga shumë autorë si artificiale. Ish federata Jugosllave, pjesë e të cilës ishte edhe Kosova në kundërshtim të plotë me vullnetin e shumicës së popullsisë së saj e cila rregullimin kushtetues dhe juridik politik e kishte të bazuar në pabarazitë të plotë të popujve që e përbënin, shkatërrimin e këtij e përmbylli me shumë mizori, spastrime etnike, vrasje, abuzime ekstreme të të drejtave të njeriut  dhe akte gjenodiciale, shkatërrime masive të pronave”, tha Dushi.

Ai tha se Kosova ende i vuan pasojat e plagëve të së kaluarës.

Dushi: Vendi ynë vazhdon të vuajë pasojat e plagëve të së kaluarës

“Vendi ynë vazhdon të vuaj pasojat e plagëve të së kaluarës. Siç dihet qytetarët e Kosovës për një dekadë në fundshekullin e kaluar ju nënshtruan një diskriminimi klasik të të drejtave themelore njerëzore bazuar në përkatësinë e tyre etnike. Kjo fushatë arriti kulmin në luftën e fundit 98 99 me krimet kundër njerëzimit dhe politiken e spastrimit etnik të ekzekutuar nga forcat e federatës së Jugosllavisë. Më se mbi 12 mijë qytetarë humbën jetën, mbi 850 mijë të tjerë u detyruan të lëshojnë Kosovën dhe mijëra të tjerë rezultojnë si të zhdukur si pasojë e kësaj politike. Kështu duke e marrë parasysh pasojat fatale, nevoja për zbatimin e kësaj drejtësie që nga ajo kohë e deri më sot mbetet një detyrë idemiate për të lehtësuar dhimbjet që ende janë të freskëta për popullin tonë”, tha ai.

Konferencën mbi drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën “Mësimet e nxjerra dhe idetë për të Ardhmen” është organizuar nga UNDP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat