FSK-së i duhen edhe 10 vjet që të arrijë nivelin e ushtrisë

Aktuale

FSK-së i duhen edhe 10 vjet që të arrijë nivelin e ushtrisë

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 21:08
FSK

Individualisht e si grup, jo rrallë morën medalje edhe jashtë Kosovës. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës u treguan të zotët edhe në shumë ushtrime e operacione shpëtimi. Por, a ka FSK-ja kapacitetet e mjaftueshme njerëzore, në armatim dhe infrastrukturë ushtarake që të jetë një Forcë Ushtarake e kompletuar?

Sipas ish-drejtuesve të saj, këto kapacitete mungojnë. Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK'së, thotë se është koha e fundit që shndërrimi i FSK'në Ushtri të ndodhë, sepse kjo do t’i hapte rrugë zhvillimit të kapaciteteve që nuk i ka. Sipas tij, sa më shpejtë më mirë, duke pas parasysh se kësaj force do t’i duhen hiç me pak se 10 vjet që të arrijë nivelin e nevojshëm të një Force të Armatosur.

Kastrati tha se blerja e helikopterëve edhe mund të bëhet, porse ata nuk i duhen asgjë Ushtrisë nëse nuk ka njerëz dhe buxhet për t’i përdorur ata.

Sipas tij, ka mungesë të pilotëve edhe kur bëhet fjalë për aviacionin ushtarak.

Ish-shefi i FSK’së tregoi se gjatë mandatit të tij janë dërguar në Turqi studentët e parë për t’u trajnuar për pilotë, por nuk e di nëse ata e kanë përfunduar këtë shkollim ose jo.

Kastrati tha po ashtu se pos mungesës së pilotëve, FSK’ja ka mungesa të njerëzve profesionistë edhe në fushën e armatimit mbrojtës, e po ashtu edhe mungesë të vet këtij armatimi që secila ushtri duhet ta ketë për mbrojtjen e kufijve dhe qytetarëve të shtetit të vet.

Megjithatë, sipas tij, nëse fillohet tani me ndërtimin e këtyre kapaciteteve, Forcat e Armatosura të do të ecin shumë shpejtë përpara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat