Ramadan Muja shpërblen me tender financuesit e PDK-së

Aktuale

Ramadan Muja shpërblen me tender financuesit e PDK-së

Më: 11 shkurt 2017 Në ora: 21:49
Ramadan Muja

Financuesve të Partisë Demokratike të Kosovës iu është besuar organizimi i përvjetorit të 9-të të Pavarësisë në Prizren.

Kompania “Sfinga” ka fituar kontratën për organizimin e manifestimit për përvjetorin e 9 të pavarësisë së Kosovës në Prizren.

Pronarë të kompanisë “Sfinga”, bazuar në certifikatën e biznesit që është publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve janë Liburn Asllani dhe Suada Asllani.http://arbk.rks-gov.net/page.aspx?id=1,38,120013346

“Jeta në Kosovë“ ka gjetur se të dy, Liburn e Suada Asllani, në të kaluarën kishin qenë financues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Prizreni që nga viti 2009 qeveriset nga PDK-ja, përkatësisht kryetari Ramadan Muja.

Liburn e Suada Asllani, të cilët janë shpërblyer me kontratë nga Komuna e Prizrenit, kanë dhënë donacion në “cash” për PDK-në shtatë herë brenda një viti. Emrat e tyre figurojnë në raportin financiar të PDK-së për vitin 2011 që është publikuar nga KQZ-ja.http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/Partia%20Demokratike%20e%20Kosoves%202011_qxwrrbdkth.pdf

Meqë, PDK-ja nuk i ka publikuar financat e partisë dhe as donatorët e tyre, “Gazeta JnK”nuk ka qenë në gjendje që të vërtetojë nëse kompania “Sfinga” ka dhënë donacione për këtë parti edhe në dy palë zgjedhjet e fundit.

Kontrata që kompania “Sfinga” ka përfituar nga Komuna e Prizrenit peshon 7 mijë e 250 euro, ndërsa e njëjta planifikohet të finalizohet për vetëm 3 ditë. Oferta e kompanisë “Sfinga” ishte oferta e vetme në këtë tender që ishte e përgjegjshme, përkundër që dy operator kishin dorëzuar ofertën.https://krpp.rks-gov.net/Default.aspx?PID=Notices&LID=1&PCID=-1&CtlID=ViewNotices&ID=135774

I kontaktuar, Liburn Asllani mohon se ka lidhje me PDK-në, e madje tha se nuk ka dhënë kurrë para për këtë parti.

“Jo, jo. Nuk kemi qenë financues të PDK-së asnjëherë”, tha ai.

Në vitin 2011, në muajt mars, maj, qershor, shtator e tetor, Suada dhe Liburn Asllani i kishin dhënë donacion PDK-së në total 700 euro. Liburni figuron si donator i PDK-së për tre muaj nga 100 euro, që në total ka dhënë 300 euro. E Suada, bazuar në dokumentet e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, ka dhënë katër herë nga 100 euro, apo në total 400 euro. Në të njëjtën listë figuron edhe emri i kompanisë “Sfinga”, e cila ka dhënë 500 euro. Në total, janë dhënë 1 mijë e 200 euro.

Liburn Asllani i pyetur se çfarë do të bëjë kompania e tij në këto tri ditë punë, ai na sugjeroi t’i referohemi faqes së Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

“Krejt paramasa është në KRPP”, tha shkurt Asllani.

E referuar KRPP-së, në fushëveprimin e kontratës thuhet se “Do të organizohet një koncert me grupe rinore, një seancë solemne, një orë letrare, koncert i pavarësisë, një ekspozitë figurative si dhe do të ndahen disa shpërblime për më të merituarit në lëmi të ndryshme”.

Kjo kompani nuk është hera e vetme që ka marrë tender në Prizren.

Në tetor të vitit të kaluar “Sfinga” kishte marrë tender nga Komuna e Prizrenit në vlerë prej 118 mijë e 665 eurosh për “Promovim të  aktiviteteve komunale me material promovues”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat