Kuvendi i procedon Qeverisë Projektligjin për FSK-në

Aktuale

Kuvendi i procedon Qeverisë Projektligjin për FSK-në

Më: 8 mars 2017 Në ora: 07:18
Mbledhja e kryesisë së Kuvendit

(E plotësuar) - Kryesia e Kuvendit i ka proceduar Qeverisë së Kosovës, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Ndërsa ka vendosur që vazhdimi i seancës plenare, të mbahet nesër.  Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se Kryesia e Kuvendit me një vendim unanim kanë proceduar projektligjin për FSK-së në Qeveri dhe presin që sa më shpejtë të kthehet në Kuvend dhe të procedohet më tutje.

Veseli: Me vendim unanim dhe atmosferë të mirë, proceduam ligjin në Qeveri

“Sot me vendim unanim të Kryesisë së Kuvendit, në një atmosferë shumë të mirë e kemi proceduar Projektligjin për transformimin e FSK-së, në një forcë ushtarake në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe presim që sa më shpejt të procedojmë, të na kthehet ajo në Kuvend, në mënyrë që të përfundojmë diçka që na ka mbetur gjatë ende pa kryer si politikë“, tha ai.

Ndërsa i pyetur se a po bëhet kjo në koordinim me faktorët ndërkombëtar, Veseli tha se tash e 18 vjet  çdo hap që  është marrë, ka qenë në partneritet të fuqishëm me bashkësinë ndërkombëtare.

Veseli: Çdo hap që marrim, e bëjmë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare

“Çdo hap që kemi ndërmarrë këto 18 vite është kontinuitet i partneritetit të fuqishëm me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Obligimet tona politike janë shumë të qarta dhe institucionale, të ecim drejtë forcimit të sovranitetit dhe partneritetit”, tha Veseli.

E i pyetur rreth deklarimeve të ish-kryetarit të Gjykatës Kushetuese Enver Hasani, sipas të cilit iniciativa e presidentit Thaçi, është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, Veseli tha se më mirë është që të mendohet pozitivisht, pasi që qytetarët janë lodhur nga politika bllokuese dhe konfrontuese. 

Veseli: Mos e tjerrni shumë, partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare do të jetë i jashtëzakonshëm

“Profesori është shumë i mençur dhe nuk kam asnjë koment më shumë. Në këtë vend të cilin jeni ju e ka nxjerr dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këta deputetë që janë të zgjedhurit e popullit do të marrin vendime që janë konform Kushtetutës. Dhe është  mirë  me çu mendjen ngapak kah pozitiviteti dhe vendimmarrja që i shërben vendit tonë dhe jo vetëm aty ku e bllokon çdo herë. Qytetarët tanë janë lodhë prej politikës bllokuese dhe konfrontuese. Po duan veprime konkrete që i prekin vet. Ky nuk do të jetë vendimi i parë keni parasysh në këtë drejtim. Do të jetë vendim shumë pragmatik. Si shtet i pavarur dhe sovran nuk ka dilema. Mos të tjerrin shumë kush po mundohet me tjerrë shumë. Partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare do të jetë i jashtëzakonshëm, me SHBA-të dhe me partnerët e NATO-s, të ecim përpara, kemi dhe shumë vendime tjera”, tha ai.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha se partia të cilës i përket, do ta përkrah Projektligjin për FSK-në.

Lekaj: Do ta përkrahim projektligjin, pa marrë parasysh kush e procedon

“ Tani e ka afatin një mujor qeveria që të kthej përgjigjen, ta procedoj ligjin prapë në kuvend. Mirëpo ne si aleancë, jemi për ushtri të Kosovës. Për ne është me rëndësi përmbajtja dhe fuqia apo ndryshimi i misionit komplet të FSK-së, që të jenë në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të vendit dhe pajisja e tyre apo modernizimi i tyre si çdo ushtri në botë. Këtë do ta përkrahim fuqishëm dhe ne jemi në këtë linjë, që pa marrë parasysh kush e procedon. Nuk guxojmë ta politizojmë dhe të marr dikush meritat e veta për të formuar ushtri”, tha ai.

Lekaj po ashtu bëri të ditur se AAK në seancën e nesërme do ta inicojë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës tha se do të kërkohet ndërprerja e bisedimeve me Beogradin, derisa të lirohet Ramush Haradinaj dhe të bëhet pastrimi i listave nga njerëz që janë akuzuar nga Beogradi pa të drejtë. E për këtë ai tha se deputetët do të jenë unik,  për të votuar rezolutën në fjalë.

Ndërkaq shefi i GP të LDK-së Ismet Beqiri, tha se LDK është pro transformimit të FSK-së në ushtri, mirëpo me përkrahje të partnerëve strategjik të Kosovës, duke mos i rrezikuar raportet me ta. Ai tha se LDK do ta votojë Projektligjin kur të vie në Kuvend, duke besuar se presidenti i cili ka iniciuar atë, këtë po e bënë në bashkëpunim me partnerët strategjik.

Beqiri: Nëse Projektligji vjen në Kuvend, do ta votojmë

“Duke besuar që në këtë rast presidenti këto i ka sqaruar dhe i bënë në kontakt dhe në bashkëpunim me partnerët strategjik, sigurisht që LDK, ne si deputet dhe s’besoj që s’mund të gjeni deputet i cili, flas i shumicës, e kem të qartë aktualisht lista serbe nuk e përkrah. Por të tjerët me gjeni një deputet i cili nuk përkrah formimin e FSK-së.. Nëse Projektligji vjen në Kuvend deputetët e LDK-së do ta votojnë. Do ta votojnë. Nuk ka ndonjë qëndrim tash për tash dhe s’dua të spekuloj rreth asaj se çfarë thonë partnerët strategjik, sepse projektligji është në procedurë. Unë nuk mund të them asgjë më tepër, përpos asaj që nesë vie Projektligji në Kuvend, ne do ta përkrahim, do ta votojmë. Por ne nuk marrim dhe nuk dëshirojmë me marrë përgjegjësi, në kuptimin  e asaj të pengojmë në nxjerrjen e këtij projektligji. Por dhe të tjerët duhet marrë përgjegjësi për ruajtjen së bashku dhe me ne, veçmas nismëtarët për ruajtjen e partneritetit. Dëshiroj të besoj që këto janë sqaruar, ose do të sqarohen ditëve në vijim. Nuk guxojmë në asnjë rrethanë ta humbim mbështetjen dhe përkrahjen e partnerëve tanë strategjik”, tha ai.

Edhe Aida Dërguti nga VV tha se e përkrahin në parim Projektligjin për FSK-në, të cilin do ta shqyrtojnë në ndërkohë.

Derguti: Besoj që do ta përkrahim

“Ne sapo e pamë këtë Projektligj. Unë thash në parim  do ta mbështesim dhe do ta shqyrtojmë ndërkohë. Besoj se do ta përkrahim”, tha ajo.

Edhe Haxhi Shala nga Nisma tha se do ta mbështesin ligjin e FSK-së, e po ashtu dhe iniciativën e GP të AAK për nxjerrjen e rezolutës për ndërprerjen e bisedimeve me Beogradin deri në lirimin e Haradinajt.

Vetëvendosje mbështet transformimin e FSK-së

Nënkryetarja e Kryesisë së Kuvendit, Aida Dërguti tha sot se Vetëvendosje në parim e përkrah themelimin e ushtrisë.

Ajo tha se projektligji për FSK është proceduar në Qeveri dhe ajo ka afat që të jap vendim brenda muajit.

“Në parim do ta mbështesim dhe do ta shqyrtojmë, ndërkohë besoj se do ta përkrahim”, tha Dërguti.

Lekaj: Kuvendi të nxjerr rezolutë për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj pas mbledhjes së Kryesisë tha se Qeveria ka afat që për një muaj të kthejë përgjigje sa i përket projektligjit për FSK-në.

AAK-ja sipas Lekajt është për ushtri të Kosovës dhe se nuk ka asnjë rëndësi përmbajtja por misioni i saj.

Lekaj tha se do të ishte mirë që të bëhen ndryshime kushtetuese por përderisa Lista Serbe nuk voton ndryshimet kushtetuese mbetet që të procedohet ndryshe.

Lekaj tha se tema e ushtrisë nuk guxon të politizohet dhe dikush të marr meritat e veta për ushtrinë.

Shefi i deputetëve të AAK-së tha se nesër në Kuvend  do të nxirret një rezolutë për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt.

Beqiri: LDK-ja është për transformimi të FSK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka theksuar se LDK-ja është për transformimi të FSK-së.

“Të gjithë ju e dini se ne jemi për transformimitë FSK-së, sepse kështu është shumë e qartë që ne dojmë një ushtri. Dëshira jonë ka qenë të bëhen ndryshime kushtetues mirëpo s’ndodhi”, ka thënë Beqiri.

Beqiri gjithashtu ka shtuar se çdo gjë që është thënë veçmas për deputetët e LDK-së, duhet ditur se ne jemi për ushtri.

“Si LDK ne jemi që të përkrahet ky projektligj, duke besuar thellë për përkrahjen e partnerëve strategjik”, ka shtuar Beqiri.

Kuvendi nesër voton shndërrimin e FSK-së në Ushtri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se kryesia e Kuvendit me vendim unanim kanë proceduar projektligjin për FSK-së në Qeveri dhe presin që sa më shpejtë të kthehet në Kuvend dhe të procedohet.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se nesër është paraparë që të vazhdohet seancës parlamentare.

“Çdo hap që kemi ndërmarrë këto 18 vite është në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Lista serbe janë pjesë qenësore e Republikës së Kosovës, po i ftojmë çdo ditë të jenë në Kuvend sa më pak ta dëgjojnë Beogradin”, tha ai.

Nis mbledhja e Kryesisë, diskutohet për Projektligjin e FSK-së

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka filluar mbledhjen e thirrur nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, për të diskutuar për Projektligjin lidhur me Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Në të janë duke marrë pjesë shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së, LVV-së, dhe "Nismës për Kosovën".

Presidenti Thaçi të martën ia dërgoi kryeparlamentarit Veseli projekligjin përmes së cilit parashihet transformimi i FSK-së në ushtri.

Kryesia procedon sot Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbaj sot një mbledhje me kryetarët e grupeve parlamentare në të cilën do të procedojë Projektligjin për transforimin e Forcës se Sigurisë në Ushtri të Kosovës.

Në njoftimin e Kuvendit thuhët se deputetet e kuvendit pas miratimit të procesverbalit nga mbledhja e mëparshme do të diskutojnë për procedimin e Projektligjit nr. 05/L-156 për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kryesia e Kuvendit po ashtu do të bejë edhe shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave tjera gjatë kësaj mbledhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat