Thaçi: Sikurse Pavarësinë e Kosovës edhe ushtrinë do ta votojnë 109 deputetë

Aktuale

Thaçi: Sikurse Pavarësinë e Kosovës edhe ushtrinë do ta votojnë 109 deputetë

Më: 14 mars 2017 Në ora: 11:20
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në debatin e hapur me shoqërinë civile në tryezën me temën “Misioni ushtarak për FSK-në, rruga përpara”, e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë.

(E plotësuar) - Kosova do ta ketë ushtrinë e saj dhe se kjo do të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në dhe NATO-n.

Kështu tha sot presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në tryezën “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara” organizuar nga Fridrich Ebert Stiftung dhe SPRC.

Thaçi tha se  iniciativa e tij për projektligjin për FSK-në,  e ka bërë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe në koordinim të plotë me institucionet shtetërore të Kosovës. Ndërsa tha se aspiratën e transformimit të FSK-së në ushtri e kanë përkrahur edhe partnerët ndërkombëtarë.

Thaçi: Jemi të koordinuar plotësisht me faktorin ndërkombëtar

 “Tani do të jetë e diskutueshme se në cilën ditë do të themelohet ushtria e Kosovës. Mund të themi se e kemi një situatë gati të përafërt sikur pak para shpalljes së Pavarësisë. A shpallet këtë vikend apo vikendin tjetër. Këtë javë apo javën tjetër. Natyrisht se ende jemi fleksibil, për ditët e caktuara që kjo ngjarje e madhe historike për konsolidimin e shtetit të Kosovës të ndodh bashkërisht me SHBA-të dhe gjitha vendet e NATO-s. Në këtë drejtim dëshiroj që secilit t’ai heq atë shqetësim, sepse nuk do të ketë veprim të njëanshëm. Sikurse që nuk ka qenë as ky deri më tani. Në anën tjetër duhet të jemi  shumë të vetëdijshëm dhe të sinqertë dhe me opinionin publik, siç kemi diskutuar dhe me partnerët tanë ndërkombëtar, proces më konsensual Kosova nuk ka kaluar që nga dita e shpalljes së Pavarësisë se sa ky për ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se gj ithë spektri partnerët e koalicionit, janë në favor pa asnjë dallim. Në anën tjetër dhe opozita ka deklaruar mbështetjen unanime. Jam i sigurt sikurse për Pavarësinë e Kosovës me 17 Shkurt që kanë qenë 109 vota edhe për ushtrinë e Kosovës do të jenë 109 vota duke përfshirë dhe komunitetet jo serbe”, tha ai.

Presidenti  tha se kjo nuk është një ide personale, por institucionale, kushtetuese dhe ligjore dhe është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe gjithë skenës politike të saj.

Thaçi: Projektligji, ka unifikuar spektrin politik

“Ashtu siç edhe kam pritur Projektligji për ushtrinë e Kosovës, e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe shtetit tonë. Prandaj jam i sigurt se të gjithë protagonistët politik të përfshirë në këtë proces, do të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim do ta bëjnë punën e tyre, për përmbyllje më sukses të këtij procesi, në fund i takon deputeteve të Kuvendit të Rrepublikës së Kosovës, të cilët përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që të marrin vendimin e merituar për transformimin e FSK-së respektivisht në ushtri të Kosovës. Ndërsa unë si president i vendit jam i bindur se deputetet e republikës së Kosovës, pa dallim partie, nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri. Sepse ky është vullnet i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, t ha Thaçi.

Ai tha se do të ishte i lumtur që ushtria të formohej me ndryshime kushtetuese, por për këtë nuk mund ta bind Beogradin.

Thaçi: Nëse munden le t’i bindin serbët që ta votojnë ushtrinë

“Iu kam thënë edhe miqve ndërkombëtarë se unë nuk mund t’i bindi Beogradin, që t’i bind serbët e Kosovës me votu  ushtrinë. Ndërsa e di që partnerët tanë, miqtë ndërkombëtarë mund ta bindin Beogradin që t’i këshillojë serbët  e Kosovës që të marrin pjesë. Kjo do të ishte zgjidhja ideale. Mirëpo e di se mund të ndodh fare lehtë sikur që nuk ka mund ta  bind Beogradin për pavarësinë në 2007-2008 partnerët ndërkombëtarë, e kemi një situatë gati të njëjtë. Ose duhet të mbesim të presim derisa Beogradi të disponohet për ushtrinë e Kosovës. E unë e di që Beogradi më lehtë e ka gëlltit shpalljen e pavarësisë se sa e aprovon themelimin e ushtrisë së Kosovës”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës është i sigurt se po bën veprimin e duhur në iniciativën që FSK-së t’ia ndryshojë misionin e saj.

Ai tha sot se transformimi i FSK-së nuk do të këtë implikim ne mandatin e KFOR-it dhe NATOS  që buron nga Rezoluta 1244 dhe se as sot FSK asnjë  veprim nuk e ndërmerr pa u konsultuar me KFOR-in. I pyetur se me këta hapa që ka ndërmarr a po lëndohet bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare Thaçi e  tha se  përkundrazi se me këtë vetëm sa do të thellohet bashkëpunimi me ta.

Thaçi: Fleni dathë, s’ka konfrontim me miqtë tanë ndërkombëtar  

“E kam ruajtur dhe kultivuar bashkëpunimin me bashkësinë Ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n dhe SHBA-të,  sikurse sytë e ballit. Dhe  kam qenë prej atyre që jam akuzuar më së shumti edhe prej mediave dhe shoqërisë civile, se je shumë lojalist. Të iu them të drejtën se ky përcaktim i imi, le që s’ka me ndryshu, përkundrazi ka me u thellu. Kështu që le të flenë dath ata që po mendojnë me gjet atë hapësirën se nuk do ta kem të konfrontimeve. Ai konfrontim nuk do të ndodh. Përkundrazi do të forcohet dhe më tepër të jeni bindur. Ky proces ka filluar dhe do të përmbyllet bashkërisht me SHBA-të dhe me NATO-n”, tha ai.

Ndërsa  tha se qëndron prapa deklaratës së tij se do të jap dorëheqje në rast se Projektligji për FSK-në nuk do të kalojë. Por u shpreh i bindur se ky Projektligj do të bëhet, para se ai të largohet nga Presidenca.

Thaçi: Ushtria do të bëhet para se unë të largohem nga presidenca 

“Qëndroj plotësisht  pas asaj deklarate. Por kam besim të plotë,  që ushtria do të bëhet para se me u largu unë prej Presidencës”, tha ai.

Burim Ramadani nga SPRS tha se  tashmë  është ndërtuar një moment i  ri, i cili duhet të vazhdohet me përpjekje intensive deri në përfundimin e këtij procesi.

Ramadani: Kosova duhet ta ketë dhe ushtrinë dhe mbështetjen ndërkombëtare

 “Iniciativa për ndryshim ligjor, definitivisht ka krijuar një momentum të ri. Cilat janë përpjekjet institucionale, që ky përces të përfundojë me sukses ashtu sikurse është e qartë se s’ka kthim prapa. Konsensusi brenda shqiptar sidomos në Kosovë, pothuajse është gati në unanimitet, është çështje që duhet të vazhdohet dhe nëse ka ndonjë rrezik që konsensusi të humbet gjatë rrugës. Dhe së fundi duket qartë nga publiku që votat pro të deputeteve serbë të Kosovës, janë pothuajse të pamundshme”, tha Ramadani.

Ndërkohë që iniciativën për projektligjin e FSK-së e kanë përkrahur pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u ka shkruar sot letër shteteve të NATO-s për të përkrahur këtë iniciativë.

Thaçi: Fleni dath, nuk do të ketë konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare për ushtrinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në debatin e hapur me shoqërinë civile në tryezën me temën “Misioni ushtarak për FSK-në, rruga përpara”, e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë.

Presidenti Thaçi tha se debati i sotëm vjen në kohën e duhur, sepse në kuadër të transparencës dhe gjithëpërfshirjes e kemi për detyrë edhe të informojmë saktë dhe drejtë qytetarët e Kosovës me hapat që do të ndërmerren për arritjen e këtij qëllimi.

Presidenti tha se është e rëndësishme të sqarojmë të gjitha fazat e vendimmarrjes, deri në përmbylljen me sukses të kësaj iniciative ligjore, e cila për nga rëndësia shtetërore konsiderohet të jetë e interesit thelbësor për funksionimin demokratik të shtetit tonë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë faktor i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon, por ajo do të jetë e gatshme të kontribuojë edhe përtej rajonit, në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të kontribuojë. Transformimi i FSK-së bëhet në bazë të analizës së përpiluar në kuadër të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë që e përcakton transformimin e FSK-së si objektiv me prioritet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai theksoi se në grupet punuese për hartimin e dokumentit bazë kanë qenë të angazhuar të gjithë protagonistët e sektorit të sigurisë në Kosovë.

“Aspiratën për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës e kemi bërë të njohur për të gjithë që një kohë të gjatë. Këtë aspiratë tonën e kanë përkrahur edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi presidenti Thaçi.

Image

Që nga themelimi i FSK-së, NATO dhe shtetet tjera mike të Kosovës, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe shtete tjera, presidenti Thaçi tha se kanë bashkëpunuar me FSK-në për të ngritur nivelin e përgatitjes së saj në një forcë profesionale të standardeve të NATO-s.

“FSK-ja i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe detyrat që i jep korniza e tashme ligjore që rregullon funksionimin e saj. Tani janë krijuar kushtet që ajo të lëvizë tutje në rritjen e saj. FSK tani është e gatshme për transformim, që të bëhet ushtri”, u shpreh presidenti Thaçi.

Rruga jonë e preferuar e transformimit të FSK-së, ajo për të cilën kemi punuar tërë këto vite, presidenti Thaçi tha se ka qenë dhe mbetet ajo përmes ndryshimeve që përfshijnë edhe amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por, sipas presidentit, deputetët e Listës Serbe e kanë bërë të qartë shumë herë se janë të penguar nga Beogradi që të përkrahin transformimin e FSK-së.

“Deri sa i gëzohemi mundësisë që të konsultohemi dhe të koordinohemi me të gjitha palët në Kosovë, megjithatë nuk mund të pranojmë që të konsultohemi dhe të koordinohemi për çështjet e interesit strategjik dhe të sovranitet të vendit tonë me Serbinë. Edhe pse kemi nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi duke kërkuar që ky proces të marrë kualitet të ri, që do ta kthejë në proces për pajtim, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, megjithatë Serbia ndaj Kosovës ruan të njëjtat politika që kanë shkaktuar luftë dhe gjenocid”, tha presidenti Thaçi.

Ai shtoi se Serbia ende nuk është një partner konstruktiv, qoftë me Kosovën, qoftë me rajonin, por është burim i nacionalizmit që përjetohet si kërcënim për tërë rajonin.

“Dëshmi të fundit për këtë janë provokimi me tren, ai me murin në Mitrovicë, manovrat ushtarake afër kufirit me Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi.

Sipas tij, këta janë hapa krejtësisht në kundërshtim edhe me synimet e bashkësisë ndërkombëtare në rajonin tonë dhe nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë, madje as me arsyetimin se Serbia është në fushatë elektorale.

“Unë jam krejtësisht i vetëdijshëm se siguria dhe ruajtja e sovranitetit të Kosovës në rend të parë varet nga bashkëpunimi ynë i ngushtë me Aleancën Veriatlantike, pra NATO-n. Mirëpo, gjithashtu e kemi për detyrë kushtetuese që të ndërtojmë kapacitetet e domosdoshme mbrojtëse për të ruajtur sovranitetin tonë”, shtoi presidenti Thaçi.

Ai theksoi se Kosova do të ruajë me çdo kusht partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht partneritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky partneritet, sipas presidentit Thaçi, është ndërtuar mbi interesat e përbashkëta për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, mbi vlera e parime të njëjta që ndajmë me SHBA-në dhe me BE-në.

Presidenti Thaçi u shpreh se transformimi i FSK-së do të jetë proces që do të zhvillohet gradualisht dhe ashtu siç jemi koordinuar deri tani, deri në detaje, me bashkëpunëtorët dhe përkrahësit tanë, të njëjtën do të vazhdojmë të bëjmë edhe tani dhe në të ardhmen.

“Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllim thelbësor i yni. Për më tepër, e kam për detyrë që të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tonë të përbashkëta. Prandaj, kam kërkuar mirëkuptimin e plotë të partnerëve tanë për këtë proces, i cili nuk është bërë njëanshëm, por është iniciuar në mënyrë krejt të natyrshme dhe transparente”, theksoi presidenti Thaçi.

Ashtu sikurse ka pritur, presidenti Thaçi tha se projektligji për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe të shtetit tonë.

Në fund, presidenti Thaçi shprehu bindjen e tij se të gjithë protagonistët politikë të përfshirë në këtë proces do të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim do të bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të këtij procesi.

Thaçi: NATO dhe partnerët duhet të na ndihmojnë ta bëjmë ushtrinë (Drejtpërdrejt)

 Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se iniciativa e tij për projektligjin për FSK-në e ka bërë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe në koordinim të plotë me institucionet shtetërore të Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se aspiratën e transformimit të FSK-së në ushtri e kanë përkrahur edhe partnerët ndërkombëtarë. 

Duke folur në tryezën “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara” organizuar nga Fridrich Ebert Stiftung dhe SPRC Thaçi tha se FSK-ja  ka përmbushur të gjitha detyrat dhe kërkesat dhe tani janë krijuar kushtet që FSK të lëvizë tutje. 

“Tani e  tri vjet FSK  është e gatshme për transformimin që të bëhet ushtri. Është urgjente që menjëherë që të marrin hapa që të avancojmë misionin dhe detyrat e FSK që të  mbrohemi nga kërcënimet aktuale për Kosovën dhe rajonin”, tha presidenti.

Ai tha se ndonëse ka filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit ndaj Kosovës ruan  politikat e njëjta si përpara,  të cilat sipas Thaçit kanë shkaktuar luftë dhe gjenocid. 

Image

“Serbia nuk është partner konstruktiv por paraqet kërcënim për rajonin. Vazhdon ta pengojë Kosovën në çdo hap. Dëshmitë e fundit janë provokimi me trenin dhe murin. Të gjitha këto janë kërcënime të drejtpërdrejta për Kosovën dhe tërë rajonin. Këto hapa nuk mund te arsyetohen në asnjë mënyrë”, tha Thaçi. 

Në këtë tryezë ka folur edhe për rrugën që FSK do të bëhej FAK, nëpërmes ndryshimeve kushtetuese për të cilat duhen votat e 2/ 3 të deputetëve jo shumicë.

Sipas tij kjo ka qenë rruga e preferuar, mirëpo përfaqësuesit politik të një komuniteti, sipas presidentit nuk kanë qenë të gatshëm ta përkrahin transformimin e FSK-së. 

“Anëtarët e Listës Serbe kanë treguar se janë të penguar nga Beogradi nga i cili kanë urdhër për të mos votuar formimin e ushtrisë së Kosovës.  Nuk mund të pranojmë që të konsultohemi dhe koordinohemi për çështje të interesit strategjik me Serbinë. E kemi për detyrë kushtetuese të formojmë kapacitetet e domosdoshme për ruajtjen e sovranitetit tone. Andaj ishte urgjente të lëvizim në transformimin e FSK-së në ushtri”, tha Thaçi.

Sipas tij Kosova do të ruajë  me çdo kusht partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare veçmas me SHBA të. 

Ai po ashtu tha se edhe NATO dhe partnerët strategjikë duhet ta ndihmojnë Kosovën gjatë këtij transformimi ndërsa përgëzoi spektrin politik për unitet kur është fjala te projektligji për FSK-në.

Thaçi më tej tha se është i bindur se deputetët pa dallim partie nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri pasi që siç tha ai “kjo nuk është ide personale por institucionale”.

Diskutim për të ardhmen e FSK-së 

Mbahet tryeza me temën “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara”, ku folësi kryesor do të jetë, Presidenti Hashim Thaçi.

Synimi i kësaj tryeze është të diskutojë mbi të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas iniciativës së Presidentit për ndryshimin e misionit të saj, sikurse edhe pas qëndrimeve fillestare të partnerëve strategjikë të Kosovës rreth kësaj iniciative. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat