Ballkani: Lajme të këqia po vijnë. A ka ardhur koha për ndarje të reja territoriale?

Aktuale

Ballkani: Lajme të këqia po vijnë. A ka ardhur koha për ndarje të reja territoriale?

Nga: Robert Austin* Më: 25 mars 2017 Në ora: 06:42
A do të thotë kjo paqëndrueshmëri politike, e cila shpesh lidhet me rivalitete etnike, se rajoni ka nevojë për zgjidhje të reja territoriale? Apo do të thotë se problemi është politik, në kuptimin që largimi i trurit dhe rënia demografike i ka lënë këta vende në duart e oportunistëve, budallenjve apo kriminelëve, që nuk janë të gatshëm apo nuk janë të aftë të ofrojnë të ardhmen europiane. Eshtë e dyta: kufijtë e rinj do të lënë të njëjtët njerëz në komandë.

Jo shumë kohë më parë, pyeta një koleg në Tiranë, përse Ballkani nuk është më në qendër të lajmeve. AI më tha se “nuk po bëjmë asgjë mjaftueshëm të mirë, për të tërhequr vëmendjen. Por nga ana tjetër, nuk po bëjmë as edhe mjaftueshëm keq”. Megjithatë, në vitin 2017, duket se lajmet e këqia janë rikthyer. Disa madje thonë se konflikti do të rikthehet.

Fatmirësisht, gjakderdhjen etnike të viteve 1990, e kemi lënë pas, por situata sot është ende e tensionuar. Kriza qeveritare dhe stanjacioni ekonomik janë të pranishme në shumë shtete, dhe bashkëpunimi shumë i nevojshëm rajonal, është vënë përfund prej rigjallërimit të nacionalizmit. Të rinjtë përballen me një zgjedhje, mes papunësisë apo emigrimit. Luftërat ndaj korrupsionit kanë rezultuar kryesisht retorike. Komuniteti ndërkombëtar nuk duket i gatshëm që të reagojë ndaj krizave, dhe Shtetet e Bashkuara, deri tani aktori me më shumë ndikim, as nuk e ka përmendur rajonin, që kur Trumpi erdhi në pushtet.

Bashkimi Europian, që ka shtyrë procesin e reformave derimë tani, ka sfida shumë më të mëdha se sa 18 milionë banorët e shteteve të Ballkanit që nuk janë anëtarë të BE-së – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Por ndërkohë që procesi i shkopit dhe karrotës për anëtarësimin në BE nuk ka arritur ta ndryshojë rrënjësisht rajonin, humbja e shpresave tek një e ardhme europiane, do të ishte kthim tek një e kaluar e rrezikshme.

Elitat politike lokale janë shpesh herë të pashpresa, pothuaj gjithmonë të korruptuara, ndonjëherë përtace dhe padyshim zhvatëse. Ato kanë “kalëruar” mbi popullsi që kanë qenë në tranzicion për më shumë se 25 vite, dhe kanë shkatërruar apo kooptuar, këdo që ka sfiduar sundimin e tyre. Shtojini kësaj Rusinë e Putinit, tashmë një aktor në një zonë ku ka nisur të shfaqet pastabiliteti. Pasi ka dhënë një dorë për të detyruar SHBA dhe BE që të sprapsen e të shohin brenda vetes, duke nxitur gjithfarësoj forcash kundër establishmentit, Rusia është tashmë aktive në Ballkan. Rusët ofrojnë gaz dhe naftë të lirë, impiante bërthamore, lajme të rreme, dhe premtimin e “vlerave tradicionale” – një vizion për të ardhmen, bazuar në një të kaluar të imagjinuar. Për t’ia dalë, ata janë të gatshëm të nxisin rivalitetet etnike.

Shumë të rinj në rajon tashmë janë dorëzuar. Imagjinoni të keni qenë 18 vjeç në vitin 1989, kur komunizmi u shemb dhe çdo gjë dukej se ishte e mundur. 25 vjet më vonë, jeni duke përjetuar një formë prej makthi të “Groundhog Day”. Ndizni televizorin, dhe ka gjasë që të shihni disa prej të njëjtëve liderëve politikë, të cilët kanë preferuar gjithmonë pushtetin, në vend të reformave. Ata nuk e patën aspak problem t’ju vidhnin të ardhmen. Tani ju shqetësoheni për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Ndryshe nga ndryshimet post-komuniste në Evropën Qendrore, Ballkani kurrë nuk u shkëput me të vërtetë nga e kaluara e tij.

Një vështrim shtet pas shteti në rajon tregon gjithçka.

Shqipëria, të cilën disa e krahasojnë me një narko-shtet për shkak të rolit të saj shumë të madh në furnizimin e Europës me marijuanë, ka Partinë Demokratike të opozitës në një protestë në rrugë, duke kërkuar që qeveria të largohet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në qershor. Ata duan gjithashtu largimin e shumë politikanëve që janë haptaz të lidhur me veprimtari kriminale. Disa argumentojnë se Shqipëria sërish ka nevojë për ndërmjetësimin ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike 25-vjeçare mes dy partive të saj kryesore. Populli ndërkohë mundet ose të gogësijë, ose të largohet, ose t’i hyjë biznesit të drogës.

Bosnja i ka lënë pas ditët e protestave në rrugë, por federata e saj komplekse ka qenë e paaftë që të realizojë ëndrrat për në BE. Pakica serbe bën thirrje për pavarësi, që mund të mirëpritet nga kroatët, ndërkohë që myslimanët e Bosnjës përpiqen të mbajnë shtetin të bashkuar.

Kosova nuk ka mbushur ende as 10 vjeç, por është mbërthyer në një luftë të përhershme për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, ndërkohë që përballet me rilindje të tensioneve në Serbi. Ish Kryeministri dhe luftëtari për çlirimin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngecur në Francë ku përballet me ekstradimin në Serbi, nën akuza për krime lufte. Haradinaj, prej shumë kohësh një burim stabiliteti në Kosovë (dhe Maqedoni) është gjykuar tashmë dy herë (dhe liruar) në Gjykatën e Hagës për Krime Lufte, por nëse ai përfundon në Serbi, trazirat do të jenë vetëm fillimi.

Maqedonia, ndoshta shteti më i paqëndrueshëm në rajon, përballet me një krizë qeveritare, një pakicë shqiptare të pashtruar dhe të fuqizuar dhe një mosmarrëveshje 25-vjeçare me Greqinë, në lidhje me emrin e saj. Ambiciet e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO jan mbajtur prej kohësh pezull, deri kur Athina të thotë ndryshe.

Mali i Zi, shteti më i vogël dhe më i lehtë për t’i menaxhuar, është duke kërkuar ndihmë për të hequr qafe ndikimin rus, pasi i ka akuzuar rusët se u përpoqën të organizojnë vrasjen e kryeministrit të atëhershëm, Milo Gjukanoviç, me shpresën që të frenonin ambiciet e vendit për në BE dhe NATO. Me afro 650,000 banorë dhe një shkallë të admirueshme konsensusi kombëtar, Mali i Zi është gati për të hyrë në NATO.

Serbia, shteti më i madh, më i populluar dhe potencialisht çelësi për rajonin, ka marrëdhënien e saj herë të ndezur e herë të fikur me Rusinë, dhe ka filluar të riluajë kartën nacionaliste. Megjithatë, një Serbi e vendosur pro-evropiane, e pajtuar me të kaluarën e saj dhe që pranon pavarësinë e Kosovës si fakt, mund të veprojë si katalizator rajonal për ndryshim.

Jashtë këtyre çështjeve të karakterit afatshkurtër, ka disa probleme më të mëdha strukturore në shtetet që jetojnë sipas marrëveshjeve të paqes, të hartuara dhe imponuara prej ndërkombëtarëve. Endrrat për shtete shumëetnike të qëndrueshme dhe të integruara janë zëvendësuar nga frika, dyshimi dhe shoqëritë paralele.

Bosnja, Kosova dhe Maqedonia janë vende postkomuniste dhe vijnë nga konflikte. Kjo i ka bërë disa të sugjerojnë se çelësi për stabilitetin në të ardhmen janë marrëveshjet e reja territoriale, duke parë që marrëveshjet të cilat u dhanë fund konflikteve nuk kanë arritur të ofrojnë stabilitet. Megjithatë, ideja e një harte të re, gabimisht lë të kuptohet se problemi në Ballkan është kryesisht etnik. Nuk është kështu. Eshtë kryesisht politik.

Lufta e Bosnjes (1992-1995) që u projektua kryesisht në Beograd dhe u zbatua nga paramilitarë, u luftua për pastërti etnike, përmes spastrimeve etnike dhe gjenocidit. Me një vijë fronti e cila zor se lëvizte, përpjekjet u përqëndruan në lëvizjen e njerëzve. Bosnja u qetësua me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës, por krijoi ndoshta strukturën federale më komplekse në botë.

Federata Boshnjako-Kroate është njëra pjesë, me serbët që formojnë një tjetër entitet në një marrëveshje shastisëse të ndarjes së pushtetit, që mbikëqyret prej BE dhe SHBA. Me udhëheqjen serbe në Bosnje që refuzon Bosnjen si një shtet federal, dhe mosgatishmëria e komunitetit ndërkombëtar për të imponuar një zgjidhje, Bosnja qëndron mbi një krizë të përhershme, e cila shtyn shumëkënd të thotë se është koha për t’i dhënë fund fare këtij shteti.

Maqedonia, e cila pati një luftë të shkurtër në verën e vitit 2001, mes shumicës maqedonase dhe pakicës shqiptare, siguroi Marrëveshjen Kuadër të Ohrit në vitin 2001. Ajo hidhte poshtë federalizmin e Bosnjës, që maqedonasit me të drejtë e panë thjesht si një hap për shkëputjen e shqiptarëve, dhe e bëri Maqedoninë një model të decentralizimit. Ajo fuqizoi shqiptarët e margjinalizuar, përmes veprimit afirmativ në struktura shtetërore, bashkë me ndryshime të shumta në kushtetutën maqedonase, si dhe shtim të të drejtave, sa i përket gjuhës dhe shkollimit.

Por tashmë ka tensione dhe shumë mosbesim. Mosmarrëveshjet me Greqinë për emrin i bën shqiptarët viktima të një problemi etnik të Maqedonisë, sepse anëtarësimi në NATO dhe BE është jashtë tryeze si opsion. Të gjendur përballë asaj që e konsideronin një krizë ekzistenciale për emrin, maqedonasit u angazhuan në një fushatë agresive shtetndërtimi, që sigurisht nuk kish në shënjestër shqiptarët. Për momentin, duke nuhatur dobësi, pakica shqiptare atje, e nxitur edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, i cili duhet të ketë gjëra të tjera për të bërë, ka shtuar kërkesat e saj për edhe më shumë të drejta për gjuhën, se sa ato që ofron marrëveshja e Ohrit. Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një lider jo dhe aq model, u bëri thirrje maqedonasve të bëjnë më shumë. Maqedonasit, jo më kot, ndjenë se ka ndërhyrje, e deri edhe ngacmime.

Kosova jeton sipas Planit Ahtisaari të vitit 2007 dhe e arriti pavarësinë e saj të kontestuar në vitin 2008. Plani, i hartuar kryesisht nën mbikëqyrjen e BE, u negociua seriozisht nga shumica shqiptare dhe më pak seriozisht nga qeveria e atëhershme e Serbisë. Me serbët që nuk ishin të gatshëm t’u ofronin shqiptarëve ndonjë gjë më shumë se sa autonomia maksimale në një shtet të ribërë po sërish të kontrolluar nga serbët, shqiptarët arritën fitoren e tyre duke ofruar një plan asimetrik që i jepte pakicës serbe shumë më pak të drejta, se sa përligjte numri i popullsisë së tyre.

Megjithatë pavarësisht këtyre garancive – dhe shumë të tjerave që iu ofruan serbëve më vonë – Kosova nuk po funksionon. Provokimet edhe nga Kosova, edhe nga Serbia vazhdojnë. Më shqetësues është fakti që qeveri të njëpasnjëshme kosovare nuk kanë arritur t’i përgjigjen popullit. Papunësia mes të rinjve është 60%. Korrupsioni mbizotëron. Pse pakica serbe duhet të angazhohet me një shtet të dështuar, apo edhe kriminal?

Fragmentimi i mëtejshëm dhe dhuna që mund ta shqoërojë atë është një mundësi shumë reale, sidomos duke parë çinteresimin e SHBA dhe një BE të shpërqëndruar. Deri tani, sado e largët, besimi se një e ardhme europiane ishte e mundshme, detyroi elitën që të paktën të luante sipas disa prej rregullave. Sakrificat e mëdha për anëtarësim në BE mund të mos jenë më të mundura, pa një angazhim më të madh të Bashkimit Europian.

A do të thotë kjo paqëndrueshmëri politike, e cila shpesh lidhet me rivalitete etnike, se rajoni ka nevojë për zgjidhje të reja territoriale? Apo do të thotë se problemi është politik, në kuptimin që largimi i trurit dhe rënia demografike i ka lënë këta vende në duart e oportunistëve, budallenjve apo kriminelëve, që nuk janë të gatshëm apo nuk janë të aftë të ofrojnë të ardhmen europiane. Eshtë e dyta: kufijtë e rinj do të lënë të njëjtët njerëz në komandë.

BE është ende e vetmja lojë në qytet; Rusia nuk ka asgjë të rëndëisshme në tryezë. Pavarësisht dilemave aktuale, një e ardhme europiane, që do të thotë edhe anëtarësim në NATO, është garancia më e mirë për prosperitet dhe stabilitet. Me zgjedhjet këtë vit në Shqipëri dhe Serbi, të shpresojmë që të lindur në vitet 2000 të dalin e të votojnë.

* Robert Austin është Profesor i Historisë dhe Politikës së Europës Qendrore dhe Ballkanit në Shkollën e Çështjeve Globale, Universiteti i Torontos

Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë – Përgatiti: bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat