Veseli: Politika, më shumë po e dëgjon vetën, se sa hallet e qytetarëve

Aktuale

Veseli: Politika, më shumë po e dëgjon vetën, se sa hallet e qytetarëve

Më: 3 prill 2017 Në ora: 18:18
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka nisur turin e takimeve dhe dëgjimit me ekspertë të fushave të ndryshme. Në takimin e parë, Veseli ka takuar përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve në vend, për të marr qëndrimet dhe idetë e tyre se si mund të punojnë më shumë për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Para ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësuesve të shoqatave të bizneseve, Veseli kërkoi nga ta që të japin ide konkrete dhe të evidentojnë barrierat me të cilat përballen bizneset në mënyrë që politika të punojë në përmirësimin e kushteve për të bërë biznes, e cila do të mundësonte zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Kreu i PDK-së, shtoi se brengat dhe shqetësimet që kanë shprehur qytetarët në turin e tij të dëgjimit, nuk përkojnë askund më atë çfarë po bënë politika.

Veseli: Politika nuk po e kryen punën e vet

“Është krijuar një përshtypje se shpesh herë politika është duke menduar se i dinë të gjitha, është duke u krijuar më shumë probleme qytetarëve se sa zgjidhje. Unë kam dëgjuar shumë kategori të këtyre njerëzve për gati katër jave, po e ripërsëris me mijëra prej tyre dhe shqetësimi kryesor i tyre është punësimi, punësimi dhe prodhimi, si mund të arrihet punësimi me i madh, si mund të inkuadrohen të rinjtë, ky është shqetësim i të rinjve, shqetësim i prindërve, shqetësim i shoqërisë, i institucioneve. Por është ajo, se të gjithëve na u ka krijuar përshtypja, se politika nuk është duke e bërë punën e vet. Më shumë po e dëgjon vetën, se sa hallet e qytetarëve”, tha Veseli.

Anëtari i bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Mërgim Prishtina ka dhënë idetë e tij se ku duhet përqendruar fokusin institucionet e vendit, për ta rriturë zhvillimin ekonomik dhe punësimin.

Prishtina: Prodhimi vendor dhe zhvillimi i industrisë duhet përkrahur

“Pika e parë që isha ndal, është prodhimi vendor, ose zhvillimi i industrisë vendore. Shihet se ne kemi pasur disa vizita nëpër fabrika në Kosovë, ku përveç të vizitorëve, edhe unë vet jam befasuar sa është zhvilluar prodhimi vendor, sa janë zhvilluar fabrikat në vend, por ka ende vend për t’u zhvilluar më shumë, ka ende vend për përmirësim ose rritje të kapaciteteve të ndryshme”, tha Prishtina dhe shtoi se institucionet duhet përqendruar edhe në përkrahjen e eksportit.

Në Kosovë, investitorët nga Austria, janë ndër me të mëdhenjtë. Vjosa Huruglica, përfaqësuese e Odës Ekonomike Austriake në Kosovë, theksoi se Austria është e para me investime në rajon, që kalojnë shumat miliardëshe, ndërsa në Kosovë ka investuar diku rreth 300 milionë  euro.

Por, ajo tha se si Odë Austriake kanë evidentuar një problem në Kosovë, e që është fuqia punëtore e pa kualifikuar për investitorët e huaj. Për këtë ajo dha një sugjerim.  

Huruglica: Krijojeni një bazë me të dhëna mbi kërkesat e tregut të punës

“Prandaj, si sugjerim nga ana jonë është, që të krijohet një bazë e të dhënave mbi kërkesat e tregut të punës. Besoj që vlen kjo edhe për investitorët lokal. Me sa jemi të informuar, Kosova ende nuk ka një bazë të tillë të të dhënave për kërkesat e tregut të punës. Prandaj, është mesë e nevojshme që ministritë përkatëse, qeveria të krijojë një listë të tillë dhe mandej kjo t’i përshtatet planprogrameve për shkollat profesionale, në mënyrë që t’i kapitalizojmë këto resurse humane”, theksoi Huruglica.

Shpend Balia, nga Klubi i Investitorëve Evropian, theksoi se investitorët austriakë janë me të fuqishmit në Kosovë. Por ai shtoi se për ta zhvilluar ekonominë dhe për të krijuar vende të reja të punës, duhet të shikohet avantazhi konkurrues i Kosovës, në mënyrë që mos t’i lejojë që investitorët të ndalen në vendet e rajonit, por të vijnë në Kosovë.

Balia: Duhet bërë një studim se çka mund t’iu ofrojë Kosova investitorëve

“Ne përfaqësojmë gjithë investitorët evropian dhe është e vërtetë se investitorët austriakë janë me të fuqishmit në Kosovë. Por, para se vijnë në Kosovë, ata mund të ndalen në Kroaci, në Serbi. Italianët para se të vijnë në Kosovë, kanë Shqipërinë, grekët kanë Maqedoninë, e kështu më radhë. Dhe shtohet pyetja, çka iu ofron Kosova gjithë këtyre investitorëve dhe pse një investitorë do duhej të vinte në Kosovë, e mos të ndalet tek vendet e rajonit? Kjo është pika e parë që duhet bërë një studim krahasues me vendet e rajonit dhe të shikohet, se cilat janë incentivat që shtetet e rajonit po u jepin investitorëve”, tha Balia.

Profesori Nagip Skënderi, bëri fajtore politikën, pse nuk ka investitorë në Kosovë, madje pse edhe kanë ikur nga Kosova.

Skënderi: Politika po i largon investitorët

“Deri sot në periudhën e pasluftës, kemi pasur një trend të rritjes së këtyre investimeve nga jashtë. Na kujtohet fare mirë në zgjedhjet e fundit, për shkak të mosmarrëveshjeve që i kishin VLAN, apo çka po di unë me institucionet, kishim një degradim dhe jo vetëm degradim të investimeve direkte nga jashtë, por kishim edhe largim të atyre investitorëve pikërisht, duke u ndërlidhur nga faktori politik, të cilët ata nuk e konsideronin vetën si frytë që do t’i siguronte kapitalin e tyre, në një periudhë kohore afatgjate, në një vend ku politika nuk është stabile”, tha ai.

Edhe përfaqësues të tjerë të shoqatave të bizneseve paraqiten para Veselit barrierat, vërejtjet dhe masat që duhet të merren për krijimin e mundësive për bizneset vendore, e cila do të mundësonte rritjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në fund të takimit, kreu i PDK-së Kadri Veseli tha se brengat, shqetësimet dhe vërejtjet e tyre nuk do të mbesin si të kaluara dhe se veprimi politik i tij, nuk do të mbes i ngulfatur. Ai premtoi vazhdimin e takimeve të tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat