Nga UÇK në TMK e FSK, transformimi që s’po mbaron

Aktuale

Nga UÇK në TMK e FSK, transformimi që s’po mbaron

Më: 8 prill 2017 Në ora: 16:58
Forcat e Sigurisë së Kosovës

Në kazermën “Adem Jashari” në kryeqytetin e Kosovës, kadetët e Forcës së Sigurisë presin që ajo të kthehet në Ushtrinë e Kosovës. Në stilin amerikan, ata mësohen të bëhen ushtarë, por titullin nuk e kanë kështu.

Për shkak të statusit njësia e tyre quhet FSK. Premtim Shaqiri është një prej kadetëve që jeton në kazermë. 

“Që i vogël kam pasur dëshirë të jem ushtarak, gjatë studimeve në shkollë të mesme e kam menduar shumë. Në klasë të dhjetë e kam marrë vesh se këtu ekziston qëndra universitare dhe që atëherë nuk kam pasur më dyshim se çfarë doja të bëja me karrierën time”, tregon Shaqiri. 

Kësaj rruge i është futur komandanti i tyre, presidenti Hashim Thaçi. Por, reagimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare nuk ishte shumë pozitiv. FSK që të kthehet në ushtri pret ndryshimin e ligjit apo të Kushtetutës dhe për këtë kërkohen konsultime me Listën Serbe. 

Në kazermë, kadetët i respektojnë ushtarakisht rregullat. Dhomat e pastra janë një rregull, shkelja e të cilit gjobitet. FSK ka bashkëpunim edhe me akademitë e tjera të rajonit dhe shkëmbimi i studentëve është gjë e zakonshme. 

Akademia ushtarake përgatit çdo vit një grup studentësh që kanë të drejtë edhe studimi në universitete të rëndësishme në Kosovë dhe jashtë. Ata duhet t’i shërbejnë vendit në një kohë të caktuar. 

Kadeti Shaqiri i është përkushtuar mësimit. Nga qyteti i Vushtrrisë, ai jeton nën komandë larg familjes dhe shpresën e tij është që një ditë të bëhet ushtarak i vërtetë. 

“Kur kam ardhur në këtë shkollë, ajo që pres është t’i shërbej këtij vendi dhe me padurim presim ditën që ne të jemi në dispozicion për të kryer detyrën tonë”, thotë Shaqiri. 

Forca e Sigurisë së Kosovës ka armatim të lehtë. Përgatitja fizike është e përditshme për secilin. “E kanë pak problem përshtatjen kur vijnë nga jeta civile në atë ushtarake, për t’u përshtatur me rregullat. Por shumë shpejt ata bëhen profesionistë”, thotë komandanti i QSU, Avni Kiqina. 

Por, monopolin ushtarak në Kosovë e ka NATO, si nënshkruese e marrëveshjes për fundin e luftës. Nëntogeri Zoran Stajiç, në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bën fushatë për rekrutimin e serbëve të rinj nën uiformën kosovare në qytetin e Lipjanit. 

Pagat dhe sigurimi i punës shtyjnë shumë serbë të provojnë fatin. Serbët që i shërbejnë FSK-së thonë se në fillim e kanë patur të vështirë dhe kanë patur provokime. Por tani kanë vetëm respekt dhe interesi i tyre është i lartë, pavarësisht kundërshtisë së Beogradit. 

“Mësojnë shqip dhe anglisht. Shqip di më pak, por kolegët më ndihmojnë dhe mundohen maksimalisht. Kam vetëm fjalë mirënjohjeje për komandantin dhe majorin tim”, thotë nëntoger Stajiç. 

Për serbët e rinj mundësitë janë të vogla për punë. Milan Sllavkoviç ka punuar në kompani shqiptare dhe ka dorëzuar dokumentet. “Kam qejf shumë. Nuk besoj se serbët do të thonë gjë për këtë”, thotë Sllavkoviç. 

Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2.500 pjesëtarë profesionistë. Në fund të procesit të transformimit do të duhet të ketë 5 mijë ushtarë të rregullt dhe 3 mijë rezervë. Por, ky transformim është një process politik. Deri atëherë, kadetët e rinj qëndrojnë gatitu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat