Pacolli prezantoi 22 kandidatët për deputetë të AKR-së

Aktuale

Pacolli prezantoi 22 kandidatët për deputetë të AKR-së

Më: 24 maj 2017 Në ora: 17:53
Behgjet Pacolli

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, ka prezantuar të mërkurën zyrtarisht njëzet e dy kandidatet për deputetë të Kuvendit të Kosovës.Në mesin e kandidatëve për deputetë janë edhe kryetari aktual i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Labinot Tahiri, Reqife Tërnava, vajza e kreut të BIK-ut, Naim Tërnava. Po ashtu, në listën e AKR-së është edhe Labinota Murtezi Demi, ish-deputete e Partisë së Drejtësisë.

Pacolli gjatë fjalimit të tij tha se për 22 vendet është munduar të bëjë përzgjedhje të anëtarëve të saj dhe se AKR, edhe pse nuk ka mundur t’i fusë të gjithë në listë, kjo parti ka njerëz të devotshme, të cilët nuk do të mbeten jashtë listave, pasi shumë shpejt do të vijnë zgjedhjet lokale.

Pacolli: AKR ka shumë njerëz të mirë që mbeten jashtë listës

“Ishte një përzgjedhje goxha e mundimshme. Për arsye se AKR-ja ka edhe shumë njerëz të tjerë të devotshme që nuk janë inkuadruar në listën e deputetëve për Parlamentin e Kosovës, që kanë mbet jashtë. Dhe këtu mund të ketë dy arsye. Arsyeja e parë është se ne është dashur të lëshojmë vend nga lista e jonë që do të ishte e gjerë, që do të kishte mbi 110 vende. Ne lëshuam vend për arsye se Kryesia e AKR-së vendosi në mënyrë unanime që të jenë pjesë e koalicionit, koalicionit të dinjitetit, punës, koalicionit që do të punojë për një Kosovë madhështore. Ne në listën e përbashkët me partnerin tjetër të koalicionit me LDK-në kemi 22 vende të rezervuara”, ka thënë Pacolli.    

Ai duke prezantuar kandidatin për deputet nga Komuna e Gjakovës, Luan Shllakun, tha se ia ka dalë të kthejë AKR-në serish në vendin që e meriton, pas largimit nga partia të Mimoza Kusari-Lila.

Pacolli: Në Gjakovë kishim një traumë

 “Kishim një traumë në Komunën e Gjakovës. Kryetarja e asaj kohe është ndarë prej nesh me vullnetin e saj. Nuk ishte lehtë për ne, por me punën e vet, me energjinë e vet pozitive Luani ka arritur që AKR-në ta kthejë prapë në vendin ku ka qenë”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, AKR-ja e Behgjet Pacollit është në koalicion me LDK-në, ndërsa në procesin zgjedhor garon me 22 kandidatë. 

Image
Lista me kandidatët për deputetë të AKR-së
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat