Sami Lushtaku: Ne në burg e Oliver Ivanoviq në shtëpi

Aktuale

Sami Lushtaku: Ne në burg e Oliver Ivanoviq në shtëpi

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 17:22
Sami Lushtaku

(E plotësuar) - Gjykata Supreme në pjesën e dytë të muajit korrik do të vendos për lirimin ose jo, të ish komandantëve të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe Jahir Demaku, për rastin “Drenica”.

Në seancën maratonike të mbajtur të martën ku janë shqyrtuar ankesat e avokatëve mbrojtës, këta të fundit kanë kundërshtuar pretendimet e prokurorisë duke kërkuar që klinetët e tyre të lirohen.

Në fjalën e saj, prokurorja  Ewa Korpi tha se Prokuroria qëndron prapa qëndrimeve të dhëna në Gjykatën e Apelit ndaj të pandehurve. Sipas saj,  ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ka qenë në dijeni për keqtrajtimet që po bëheshin në qendrën e ndalimit në Likovc, qendër kjo e cila ishte afër Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Është mendim i prokurores së Apelit se Lushtaku ka ushtruar kontrollin në qendrën e ndalimit në Likovc dhe ka qenë i drejtuar nga UÇK-ja. Kjo qendër ka qenë afër shtabit të UÇK-së ku të pandehurit Sami Lushtuaku dhe Sylejman Selimi kanë qenë të pranishëm. Edhe Prokuroria Themelore dhe Prokuroria e Apelit janë të bindur se qendra ishte ndërtuar nga UÇK-ja. Lushtaku nuk ka ndërhyrë vet, por është përgjegjës për veprimet që kanë kryer të tjerët. Lushtaku e ka ditur se personat janë duke u keqtrajtuar në qendrën e ndalimit në Likovc”, tha Korpi.

Prokurorja Korpi, ankesat e avokatëve mbrojtës i ka quajtur të pabaza dhe që sipas saj nuk kanë merita.

Ajo i ka propozuar panelit të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme që ta konfirmojnë vendimin e Gjykatës së Apelit në tërësi.

Pas përfundimit të fjalës së avokatëve mbrojtës dhe prokurores, kanë folur edhe të akuzuar, ish- eprorët e lartë të UÇK-së.

Ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, i ka quajtur të pavërteta pretendimet e prokurores, duke thënë se ajo i tha disa të pavërteta rreth tij. Lushtaku tha se nuk i beson kësaj drejtësie, sepse ka fakte dhe argumente për këtë.

“Prokurorja tha një të pavërtetë edhe me të madhe, kur tha që unë jam bërë komandant i ZOD-i në vitin 1998, që nuk është e vërtetë. Unë jam emëruar në vitin 1999 dhe nuk i iku përgjegjësisë që kam pasur, as menen se kam me i ikë. E tha edhe një të pavërtetë tjerët që kam banuar afër Likovcit, ka ndodh të flej në fshatin Likovc dhe fshatrat e Drenicës dhe është e pavërtetë prokurore, më vjen keq. Kështu e keni filluar akuzën me Salustron e famshëm që përfundoj këshilltar i ministrit të Drejtësisë në Serbi, si shpërblim. Kam pasur dëshirë të jemi komandantë me plot kuptimin e fjalës, me ushtri të rregullt, me kazerma, por s’ka qenë, lufta e UÇK-së ka qenë vullnetare. Ne kemi qenë komandantë të vijave të frontit, e jo komandant të zyrave”, theksoi Lushtaku.

Madje, ish eprori i lartë i UÇK-së ka krahasuar rastin e tij dhe kolegëve të tij me atë të Oliver Ivanoviqit, duke thënë se në rastin e tij dihet saktë kush është vrarë, kur është vrarë dhe ai rri i lirë në shtëpi, derisa ata janë në burg pa fakte, pa argumente.

“Nuk e kam ditur se të qenurit ushtar i UÇK-së është krim. Ne jemi në burg për vrasje të pa faktuara. Lufta e UÇK-së ka qenë e imponueshme, por nëse doni me na dënu për vrasjet, shkatërrimet, dhunimet e Serbisë është në dorën e juaj. Unë kësaj drejtësie nuk i besoj, sepse kam fakte e argumente për këtë”, u shpreh ai.

Edhe ish -komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi ka kërkuar drejtësi, duke thënë se e ndjen veten krejtësisht të pafajshëm.

Ndërsa, Jahir Demaku, u shpreh se sikurse para katër viteve kur janë arrestuar padrejtësisht, ashtu edhe janë shpallë fajtor padrejtësisht. Derisa, këtë e ka quajtur rastin e fundit që drejtësia të vihet në vend.

“Janë bërë katër vite kur jemi arrestuar padrejtësisht dhe është ngritur akuza padrejtësisht jemi dënuar nga shkalla e parë padrejtësisht, e Apelit duke shpresuar në drejtësi por kjo nuk është arritur ende. Është mundësia e fundit që ta vëni drejtësinë në vend”, tha Demaku.

Pas përfundimit të seancës, avokatët mbrojtës u shprehën se presin nga paneli i Gjykatës Supreme të sjellë një vendim lirues për tre ish eprorët e lartë të UÇK-së.

Avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Gregory Guy Smith, pret që Supremja të sjellë vendim lirues për klientin e tij, të cilin e ka quajtur njeri të sakrificës, i cili ka luftuar për vendin e tij.

Guy Smith: Shpresojmë se përfundimisht e drejta do të bëhet?

“Ne qëndruam për të dëgjuar verdiktin sa i përket këtyre tre zotërinjve, sidomos sa i përket Sylejman Selimit, njeri i cili është i njohur si njeri i sakrificës dhe që ka luftuar për vendin e tij dhe që ishte mbajtur padrejtësisht në burg, në bazë të dëshmisë së njeriut, e cila është fals. Është shpresuar se përfundimisht e drejta do të bëhet dhe ai dhe kolegët e tij do të kenë mundësi që të kthehen në shtëpi”, tha Guy Smith.

Edhe avokati tjetër mbrojtës i Selimit, Tomë Gashi, tha se presin vendim lirues, sepse sipas tij, nuk ka askund në botë që dënohet dikush pa pasur viktimë të identifikuar fare.

Gashi: Shpresojmë se Gjykata Supreme do t’i marr argumentet e mbrojtjes

“Askund në botë, askush nuk mund të dënohet nëse nuk identifikohet viktima, kjo nuk është bërë as në gjykimin e shkallës së parë, meqë ata kanë qenë të liruar për këtë vepër penale për të cilën është mbajtur seanca e sotme në gjykatën Supreme të Kosovës, por e cila në këtë rast ka vepruar si gjykatë e shkallës së dytë. Ne shpresojmë se Gjykata Supreme do t’i marr argumentet e mbrojtjes. Prokurori ka dështuar ta vërtetojë përgjegjësinë e Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe Jahir Demakut dhe presim të bihet vendim lirues për ta dhe ata përfundimisht pas katër viteve të vuajtjeve të kthehen në familjet e tyre dhe të vazhdojnë jetën si qytetar të lirë”, u shpreh Gashi.

Ndërsa, Arianit Koci, avokat i Sami Lushtakut, beson se kësaj radhe do të fitojë drejtësia.

Koci: Presim vendim pozitiv

“Kolegji i Gjykatës Supreme sot vendosi që vendimin ta marr diku pas gjysmës së dytë të muajit korrik, pra diku pas një muaji. Kryetari i kolegjit u arsyetua me kompleksitetin e çështjes...natyrisht që pres që vendimi për Lushtakun të jetë pozitiv, kemi argumente të fuqishme. Është hera e tretë që po vendoset për lirinë e Lushtakut, besoj se kësaj radhe do të fitoj drejtësia”, theksoi Koci.

Drejtuesit e lartë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe Jahir Demaku, akuzohen për krime ndaj popullatës në luftën e fundit në Kosovë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat