KFOR-i nga 55 mijë ushtarë është reduktuar në 4.5 mijë ushtarë

Aktuale

KFOR-i nga 55 mijë ushtarë është reduktuar në 4.5 mijë ushtarë

Më: 22 qershor 2017 Në ora: 06:23
Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo

Gjendja e sigurisë në Kosovë dhe sfidat që kanë përfshirë Ballkanin Perëndimor ishin në qendër të fjalimit të mbajtur nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo, gjatë "Sesionit të përbashkët të Komitetit të Parlamentit Europian për Punë të Jashtme (AFET) dhe Nënkomitetit të tij për Siguri dhe Mbrojtje (SEDE)" më herët gjatë ditës së sotme. 

Në takimin e mbajtur dje në mëngjes në Bruksel, komandanti i KFOR-it theksoi bashkëpunimin vendimtar ndërmjet NATO-s dhe BE-së si një kusht thelbësor për të arritur stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe rolin e rëndësishëm që luan KFOR-i si një garantues i paanshëm i sigurisë. 

"Ekziston një bashkëpunim veçanërisht i fortë dhe efektiv ndërmjet KFOR-it dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare - tha komandanti i KFOR-it. 

"Puna kryesore e KFOR-it është ofrimi i sigurisë në Kosovë dhe në këtë mënyrë, të projektojë stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Së bashku me Bashkimin Evropian, bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet vendore ne punojmë për ta bërë këtë të mundshme", theksoi Fungo.

Qëndrimi sigurues i KFOR-it, veprimet parandaluese nga të gjithë aktorët e sigurisë, duke përfshirë EULEX-in dhe përpjekjet për ndërmjetësim të udhëhequra nga bashkësia ndërkombëtare, BE dhe NATO kryesisht, janë sipas tij të gjitha elementet e kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse që synon nxitjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Kosovë dhe më gjerë.

"Prandaj, normalizimi është fjala kryesore dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mjeti kryesor. Bashkimi Europian është kyç në mbajtjen e dialogut të gjallë dhe në përparim, dhe KFOR-i është plotësisht mbështetës në këtë drejtim. Uniteti i qëllimit të NATO-s dhe BE-së është një parakusht themelor për normalizimin dhe stabilitetin në të gjithë rajonin". 

Lidhur me rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë - për Kosovën dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor - komandanti i KFOR-it rikujton që KFOR-i, përgjatë viteve të fundit, ka garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurtë, si dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, në përputhje të plotë me mandatin e OKB-së që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit. 

"Në vitin 1999 forca e KFOR-it kishte rreth 55 mijë ushtarë - kujton komandanti i KFOR-it. Sot, pas disa rishikimeve të misionit dhe detyrave të KFOR-it, trupat e autorizuara nga NATO janë rreth 4.5 mijë. 29 kombe aktualisht kontribuojnë në kuadër të KFOR-it: 21 vende anëtare të NATO-s dhe 8 vende jo-anëtare të NATO-s."

"Misioni fillestar, siç parashihet në Rezolutën 1244, ishte krijimi i një mjedisi të qetë e të sigurtë dhe ofrimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë në Kosovë. Progresi në fushën e sigurisë dhe ngritja e forcave vendore të sigurisë kanë bërë që misioni i KFOR-it të zhvillohet në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë dhe përfundimisht në kontributin ndaj tij."

"Sot në Kosovë KFOR është i ashtuquajturi përgjegjësi i tretë i sigurisë. KFOR-i vazhdon të veprojë si garantues i paanshëm i sigurisë - theksoi komandanti i KFOR-it - duke qenë neutral ndaj statusit të institucioneve në Kosovë. KFOR-i ende ofron siguri të drejtpërdrejtë në një vend, përkatësisht manastirin në Deçan. Gjendja e sigurisë vlerësohet vazhdimisht. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat