Bilall Sherifi: Thaçi po shkon të nënshkruaj marrëveshje me Vucicin, e më pas të informoj publikun

Aktuale

Bilall Sherifi: Thaçi po shkon të nënshkruaj marrëveshje me Vucicin, e më pas të informoj publikun

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 21:01
Bilall Sherifi

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka komentuar vendimin e Presidentit Hashim Thaçi për të shkuar në Bruksel, për t'u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vucic.

Bilalli thotë se presidenti Thaçi gjithmonë shkonte në Bruksel, nënshkruante marrëveshje, e pastaj informonte. Dhe ai thotë se Thaci po vazhdon me avazin e vjetër, po shkon në Bruksel e më pas do t'i informoj qytetarët për të dalat nga dialogu.

Reagimi i plotë i Sherifit:

Hashim Thaçi vazhdon me të vjetrën!

Së pari duhet të pritet që të konstituohet kuvendi i dalur nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit të këtij viti, të krijohet qeveria dhe pastaj të fillohet me një dialog të brendshëm Pozitë-Opozitë (në funksion të ndërtimit të një platforme të përbashkët) se si duhet shteti i Kosovës në të ardhmen t’i qaset dialogut me Serbinë. Atëherë dhe vetëm atëherë kur të arrihet Konsensusi Nacional lidhur me këtë çështje, mund të shkohet në Bruksel në emër dhe në mbrojtje të platformës së dakorduar nga Pozita dhe Opozita. Në vend se të veprojë kështu, Hashim Thaçi e bën krejt të kundërtën!

Ai sot përmes një informate në faqen e tij në facebook, informon publikun se ka vendosur që nesër të shkojë në Bruksel për t’u takuar me presidentin e Serbisë, në mënyrë që, sikur që thotë në njoftimin e tij: “Të diskutojë dhe shkëmbejë me të, idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdojë dialogu në fazën e re dhe objektivat që synohen të arrihen në kuadër të procesit të normalizimit”. Në të njëjtën deklaratë të tij, ai kërkon nga partitë politike që ta mbështesin dhe të përfshihen në konceptin e bisedimeve të cilin pretendon ta ndërtojë së bashku me Vuçiqin.

Pra, sikur që shihet nga njoftimi i tij, Hashim Thaçi, ashtu sikur vepronte në cilësinë e Kryeministrit, së pari shkonte në Bruksel, bisedonte, nënshkruante marrëveshje, pastaj, herë informonte dhe herë jo publikun, tani edhe në cilësinë e presidentit të vendit vazhdon me të vjetrën, së pari do të shkojë në Bruksel të takohet me Vuçiqin dhe pastaj ta informojë publikun me produktet e daluara nga dialogu!

Ky veprim i tij në këtë kohë dhe në këtë mënyrë, sikur që thashë më lartë, pa i krijuar institucionet e dalura nga zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti, kuvendin dhe qeverinë, pa e ndërtuar së pari një Konsensus Nacional për formën, mënyrën dhe përmbajtjen e dialogut të ardhshëm me Serbinë, madje pa autorizim nga Kuvendi i Kosovës, është i gabuar dhe i dëmshëm, dhe si i tillë vetëm sa do ta dobësojë pozicionin e Kosovës në procesin e bisedimeve në të ardhmen!/BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat