Demolli: Kadetët e diplomuar sot, do të shërbejnë në ushtrinë e Kosovës

Aktuale

Demolli: Kadetët e diplomuar sot, do të shërbejnë në ushtrinë e Kosovës

Më: 12 korrik 2017 Në ora: 11:09
Ceremonia e diplomimit mbahet në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj

(E plotësuar) - Forcës së Sigurisë së Kosovës iu kanë shtuar edhe nëntë kadetë të rinjtë të cilët sot në një ceremoni solemne mbajtur në Ferizaj kanë marrë diplomat e tyre pas katër vjetësh.

Të diplomuarit kanë marrë gradën e nëntogerit dhe do të shërbejnë në FSK-së si instruktorë të gjeneratave të ardhshme.

Një nga nëntë kadetët e diplomuar, i cili përveç gradës së nëntogerit mori edhe shpërblimin si kadet i dalluar për gjeneratën e vitit 2017 është Vilson Musa, për të cilin motiv për t’iu bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës është historia e popullit shqiptar dhe lufta e fundit e Kosovës.

Musa: Motivi jonë për me u bashkëngjitë FSK-së është historia e popullit tonë

“Sot patjetër që është një ndjenjë shumë e mirë, e papërshkrueshme, sot qysh po e shihni edhe ju pas katër viteve kemi pasur ceremoninë e diplomimit nga Qendra për Studime Universitare, thjeshtë është një ndjenjë e papërshkrueshme. E kam pasur këtë pyetje shumë shpesh dhe gjithë them se motivi jonë për me u bashkëngjitë Forcës së Sigurisë së Kosovës është tradita jonë që e kemi pasur, historia e popullit shqiptarë dhe lufta e fundit që e kemi përjetuar”, tha ai.

Në diplomimin e kadetëve të rinj kanë marrë pjesë komandati i FSK-së, Rrahman Rama, ministri i FSK-së Haki Demolli, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj si dhe zyrtarë të lartë të NATO-s.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant, Rrahman Rama, tha se është i vetëdijshëm që rrugëtimi i kadetëve nuk ka qenë i lehtë, që kanë kaluar sfida të mëdha për të vetmin qëllim që t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Kosovës.

Rama: Gjatë karrierës tuaj ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme

"Sot jemi mbledhur këtu që të njohim përkushtimin e juaj dhe të shprehim mirënjohjen për angazhimin dhe vetëmohimin që treguat gjatë këtyre katër viteve. E di që rrugëtimi juaj deri këtu nuk ishte i lehtë, ju kaluat sfida të mëdha fizike mentale me të vetmin qëllim që të edukoheni dhe të përgatiteni për të shërbyer vendit dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por, më duhet t’iu  them që ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tuaj në këtë profesion fisnik. Gjatë karrierës tuaj ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme të cilat ju si udhëheqës duhet ti jepni drejtim dhe zgjidhje”, tha Rama.

Komandanti i FSK-së me këtë rast iu drejtua oficerëve të rinj duke u thënë se që nga tash pritet që të udhëheqin dhe se është përgjegjësi e tyre që të jenë udhëheqës të mirë për ushtarët dhe vartësit e tyre.

Ndërsa, ministri i FSK-së, Haki Demolli tha se rruga e nxënies së njohurive dhe e dijes së kadetëve nuk mjafton me kaq.

Demolli u tha kadetëve se po diplomojnë në kohën kur Ministria e FSK-së ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të filluar dhe zhvilluar procesin e transformimit të FSK në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Demolli: Themelimi i FAK-ut do të krijoj mundësi të mëdha për kadetët

“Më duhet të theksoj se diplomimi juaj është më ndryshe sesa diplomimi i gjeneratave të tjera, sepse ju po diplomoni në vitin kur ne si Ministri e FSK-së kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të filluar dhe zhvilluar procesin e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Ne si ministri e FSK-së dhe Qeveria e Kosovës jemi duke punuar në vazhdimësi që ky objektiv madhor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit të realizohet sa më parë, kuptohet në konsultim të gjerë me forcat politike vendore si dhe në bashkëpunim me NATO-në dhe partnerët strategjik. Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të krijoj mundësi të mëdha, jo vetëm që ju t’i ofroni shërbimet më të mira popullit dhe shtetit tonë, por edhe mundësi për avancimin dhe ngritjen tuaj profesionale ushtarake”, tha Demolli.

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe të Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Enver Cikaqi, tha se oficerët që diplomuan gjatë ditës së sotme janë krenaria e gjithë Kosovës.

Cikaqi: Oficerët e rinj janë krenaria për gjithë Kosovën

"Sot këta kadetë të rreshtuar para nesh do të betohen dhe nga sot do t’i bashkëngjitën radhëve të oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Oficerët e rinj sot janë krenaria jo vetëm për institucionin tonë por për gjithë Kosovën. Ata janë prezantues të denjë të vlerave bashkëkohore ushtarake, këta të rinj kudo që kanë qenë pjesëmarrës si në trajnime si brenda ashtu edhe jashtë vendit kanë treguar një performancë e cila në të shumtën e rasteve është shpërblyer me mirënjohje nga akademitë më të njohura", tha Cikaqi.

Ai u tha kadetëve se sfidat që kanë pasur gjatë katër viteve të studimeve i kanë bërë më të avancuar nga ana akademike, më emocional dhe më të fortë fizikisht.

Ceremoninë e diplomimit të kadetëve të QSU-së të FSK-së nga afër e përcollën edhe komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Giovanni Fungo, drejtori i NALT-it gjeneral brigade Dietmar Mosman, zëvendës drejtori i NALT-it Mark Theobalt, ambasadorë, atashe të akredituar në Kosovë, stafi i lartë i MFSK/FSK, familjarët e kadetëve, si dhe oficerë, nënoficerë dhe ushtar të FSK-së.

Edhe nëntë kadetë i bashkëngjiten radhëve të FSK-së

Është mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të gjeneratës 2017 të Qendrës për Studime Universitare, ku kanë diplomuar 9 kadetë të cilët kanë marrë gradën e nëntogerit.

Gjeneral Enver Cikaqi, tha se nga sot këta kadetë do t’i bashkëngjiten radhëve të FSK-së, ndërsa komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, u tha kadetëve të diplomuar se kanë kaluar sfida të mëdha për t’i shërbyer vendit, por ky është vetëm fillimi.

Ndërsa, ministri në detyrë i FSK-së, Haki Demolli, tha se dita e sotme është shumë e rëndësishme për kadetët që morën gradën e nëntogerit.

“Kjo është një ditë e kurorëzimit të punës tuaj dhe realizim të dëshirës tuaj për t’u bërë pjesë e FSK-së”, ka thënë ai.

Ceremoninë e diplomimit të kadetëve të QSU-së të FSK-së nga afër e përcollën edhe komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Giovanni Fungo, drejtori i NALT-it gjeneral brigade Dietmar Mosman, zëvendës drejtori i NALT-it Mark Theobalt, ambasadorë, atashe të akredituar në Kosovë, stafi i lartë i MFSK/FSK, familjarët e kadetëve, si dhe oficerë, nënoficerë dhe ushtar të FSK-së.

Ceremonia e diplomimit të kadetëve të FSK-së (Drejtpërdrejt)

Sot mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve, gjenerata 2017, të Qendrës për Studime Universitare (QSU) të FSK-së.

Ceremonia e diplomimit mbahet në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes  në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

Ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSk-së nga afër do ta përcjellin ministri për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Giovanni Fungo, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat