(E plotësuar) - Organizuar nga Ministria e Diasporës, sot në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, u hap panairi me veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale, me moton “Ti je pjesë e atdheut”. Në këtë panair, punimet dhe prodhimet e tyre i prezantojnë 55 shoqata të grave nga Kosova dhe Shqipëria.
Përmes këtij panairi, që karakterizohet për veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale, bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.
Hapjen e panairit e bëri ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili tha se tashmë ky aktivitet nga viti në vit po bëhet tradicional. “Ky panair është pjesë e aktiviteteve tona të mirëseardhjes për bashkatdhetarët, të cilët vijnë për pushime në atdhe. Me gjithë sfidat, bashkatdhetarët tanë janë të prirë që gjërat tradicionale, qoftë veshjet, ushqimet e shenjat kombëtare t’i kultivojnë, ta ruajnë identitetin kombëtar e kulturor, por edhe ta promovojnë këtë kulturë e identitet edhe ne vendet ku jetojnë”, theksoi ministri Murati.
Panairi do të qëndrojë i hapur nga dita e sotme deri më 15 korrik.
Në kuadër të këtij panairi, më 14 korrik do të zhvillohet edhe një aktivitet tjetër –sofra tradicionale, me rapsodë të folklorit.
***
Ministri i Diasporës, Valon Murati tha sot se mërgimtarët janë gjithmonë të prirë që të ruajnë identitetin e tyre pavarësisht ku ndodhen.
Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së panairit “Ditët e Diasporës 2017", në sheshin “Zahir Pajaziti”, në organizim të Ministrisë së Diasporës.
Murati me këtë rast tha se panairi tashmë është bërë një aktivitet tradicional, i cili po vazhdon vit pas viti.
Panairi do të jetë i hapur deri më datën 15 korrik.