Shoqëria civile e quan të panevojshme ftesën për takim konsultativ me partitë

Aktuale

Shoqëria civile e quan të panevojshme ftesën për takim konsultativ me partitë

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 16:59
Drejtori ekzekutiv i organizatës Demokracia Plus, Valmir Ismaili

Koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë marrë qëndrim nëse do t’i përgjigjen ftesës së presidentit Hashim Thaçi për një takim konstultativ ose jo, para thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit. As në LAA dhe as në LVV, nuk janë deklaruar rreth kësaj ftese. Ndërsa, shoqëria civile e ka konsideruar si të panevojshme dhe blerje kohe, ftesën e kreut të shtetit.

Madje, është cilësuar si dalje jashtë kompetencave të tij, pasi presidenti është i obliguar ta thërrasë seancën konstituive, por jo takime me partitë politike para thirrjes së saj.

Drejtori ekzekutiv i organizatës Demokracia Plus, Valmir Ismaili, e quan të panevojshëm ftesën e presidentit Thaçi. Ai për kp, thekson se koalicioni PAN nuk i ka siguruar ende numrat, andaj sipas tij, Thaçi është duke iu dhënë kohë që ata “të peshkojnë” te partitë tjera, porse kjo sipas tij, nuk është në kompetencë të presidentit dhe se ai po del jashtë rolit kushtetues e ligjor.

Ismaili: Ftesa e presidentit, e panevojshme

“Konsideroj që ka qenë ftesë e panevojshme. Kushtetuta është mjaftë e qartë, do të thotë presidenti i vendit e për detyrë vetëm që ta thërrasë seancën konstituive brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. I takon kryesisë dhe kryetarit paraprak që të merren me detajet e organizimit të seancës konstituive. Ndërsa, presidenti e ka vetëm si detyre që ta thërrasë këtë seancë. Një takim i tillë është i panevojshëm dhe mund të konsiderohet si blerje kohe apo favorizim që Thaçi është duke i bërë koalicionit PAN”, tha Ismaili.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se presidenti Thaçi nuk obligohet as me ligj, as me Kushtetutë që të bëjë ftesa të tilla për takime konsultative me subjektet politike para thirrjes së seancës konstituive.

Krasniqi: Presidenti s’e ka obligim t’i ftojë partitë në takim konsultativ

“Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve prej anës së KQZ-së, i vetmi obligim kushtetues dhe ligjor i presidentit në këtë rast është që të thërrasë seancën konstituive dhe pastaj është kryesia e vjetër që ka obligim që ta bëjë një takim të tillë me përfaqësuesit e partive politike parlamentare dhe me ta bashkërisht ta caktojë agjendën dhe rendin e ditës për seancën konstituive. Pra, si e tillë nuk është dashur që të vijë një ftesë nga ana e presidentit, pasi është e panevojshme. Vendi nuk është në një krizë ku institucionet nuk po mund të konstituohen dhe ku kërkohet ndërhyrja e presidentit. Nëse koalicioni PAN nuk i ka numrat, kjo nuk do të thotë që një shumicë tjetër parlamentare nuk ekziston dhe nuk mund ta bëjë edhe zgjedhjen e kryetarit, edhe të kryeministrit”, tha Krasniqi.

Kreu i shtetit u ka dërguar dje ftesën partive politike parlamentare për një takim konsultativ më datën 24 korrik prej orës 10:00 në Kuvendin e Kosovës, për të diskutuar rreth datës së preferuar për të mbajtur seancën konstituive të Kuvendit të ri.

Kreu i shtetit, pos kësaj ftese sot gjatë ditës është takuar në një prej restoranteve të kryeqytetit edhe me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku dhe Rrahim Pacollin, porse nuk dihet nëse takimi ka pasur të bëjë me mundësinë që deputetët e AKR-së ta mbështesin themelimin e Qeverisë.

Image
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat