Scaparrotti dhe Rama flasin për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë

Aktuale

Scaparrotti dhe Rama flasin për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 10:45
Gjenerali amerikan i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Giovanni Fungo, u prit me ceremoni solemne nga Togu Ceremonial dhe Orkestra frymore e FSK-së.

(E plotësuar) - Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, njëherësh edhe komandant i Komandës së SHBA-ve për Evropë, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti, ku u bisedua për çështjet e sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë.

Gjenerali amerikan i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Giovanni Fungo, u prit me ceremoni solemne nga Togu Ceremonial dhe Orkestra frymore  e FSK-së e cila edhe ekzekutoi, për herë të parë, Himnin e NATO-s, si dhe Himnin e Republikës së Kosovës.

Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës dhe gjeneralit Scaparrotti, u bisedua për çështjet e sigurisë në Republikën e Kosovës, në rajon dhe më gjerë, gjithashtu u bisedua edhe për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të FSK-së me KFOR-in dhe NATO-n, në përgjithësi.

Sipas një komunikate të FSK-së, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama e falënderoi komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjeneralin Scaparrotti për angazhimin e NATO-s nëpërmjet KFOR-it, në ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në Kosovë, e gjithashtu edhe për rolin e NATO-s, nëpërmjet Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjeneral Scaparrotti në FSK-në (Drejtpërdrejt)

Komandanti i Komandës së SHBA-ve për Evropë dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, gjeneral Curtis M. Scaparrotti do të vizitojë nesër Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

GjeneraI Scaparrotti do të pritet nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Kurse, orkestra frymore e FSK-së do të ekzekutoj himnin e NATO-s, si dhe himnin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat