PAN-i i sigurt se i ka votat, LAA e VV po presin dështimin e kundërsharëve politik

Aktuale

PAN-i i sigurt se i ka votat, LAA e VV po presin dështimin e kundërsharëve politik

Nga: B.S Më: 26 korrik 2017 Në ora: 07:10
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) -  Rreth 50 deputetë të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës janë regjistruar në ditën e parë, pak ditë para seancës konstituive, e caktuar më 3 gusht.

Për ta kryer këtë obligim kushtetues, i pranishëm ishte edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili për dallim prej herëve tjera, sot ishte më konfuz nëse i kanë numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe themelimin e qeverisë.

I mandatuari për kryeministër nga koalicionin PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj beson se me 3 gusht do të bëhet konsistuimi i Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë.

Por, edhe pas insistimit nëse koalicioni PAN i ka numrat, Haradinaj me ironi është përgjigjur, kinse s’po e kupton pyetjen.

Haradinaj: Kuvendi i ka 120 deputetë, ata vendosin

“Me rëndësi që e kemi të caktuar ditën e seancës, atë ditë sikurse është tradita, pra rendi i ditës do të vlen, në bazë të rendit të ditës do të procedojmë, me sa di unë do të jetë në rend dite zgjedhje e kryetarit dhe Kryesisë, besoj shumë se nuk do të humbim kohë që të pasojmë edhe me Qeverinë....cilët numra...nuk po ju kuptoj pyetjen...Kuvendi i ka 120 deputetë...gjithë do të jenë aty të shohim...gjithë janë deputetë e kanë të drejtën të votojnë ata vendosin”, tha Haradinaj. 

Por, i sigurt në zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar të Kuvendit, është anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, edhe pse thotë se ende s’e kanë caktuar zyrtarisht kandidaturën e tij, porse i takon posti i kryetarit.

Haliti: Veselit i takon me qenë kryetar i Kuvendit

“Unë besoj se nuk do të jetë sfidë e parealizueshme, kryetari i Kuvendit, kandidati i PDK-së, do t’i fitoj votat në votimin e parë...ne se kemi caktuar zyrtarisht por dihet që ajo detyrë i takon të parit të partisë që është Kadri Veseli që është personi me i lartë në shtet dhe po besoj që ai do ta mbajë këtë pozitë”, tha Haliti.

Por, qëndrime krejt të kundërta kanë deputetët e koalicionit LAA dhe Vetëvendosjes. Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli thotë se nuk do ta tradhtojë partnerin e koalicionit,  LDK-në,  dhe veprimet në seancën e 3 gushtit do të jenë konform marrëveshjes që ka me këtë subjekt.

Pacolli: S’e tradhtoj LDK-në

“Nuk e di, varet si do të jetë vendimi i koalicionit...unë do të mundohem që në kuadër të koalicionit të punoj për zgjidhjen me të mirë. Unë veproj vetëm në kornizat e marrëveshjes që kemi me koalicionin për arsye se nuk kam tradhtuar asnjëherë dhe do ta kem shumë vështir të dal prej fjalës ose prej asaj që kam nënshkruar”, theksoi Pacolli.

Kreu i AKR-së beson se edhe deputetët e tjerë të partisë së tij, do të votojnë sipas përgjegjësive.

Deputeti i koalicionit LAA, Ilir Deda u shpreh i bindur se koalicioni PAN nuk i ka numrat për zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar Kuvendi, e as formimin e Qeverisë, pasi asnjë deputet i koalicionit LAA nuk do të votojë për asnjërin.

Deda: S’e votojmë as Veselin as Haradinajn

“Është për keqardhje që gati dy muaj që ne diskutojmë për mjegullën e krijuar prej eksponentëve të koalicionit PAN, thuajse kontrabanda e deputetëve është normale dhe dikush prej deputetëve do të votoj për qeverinë e tyre. Ne nga koalicioni LAA çdo ditë jemi prononcuar se nuk ka deputetë në koalicionin tonë që do t’i japin votë PAN-it. Nuk do t’i japin votë Veselit për kryetar të Kuvendit dhe nuk do t’i japin votë Haradinajt që ta krijoj qeverinë me PDK-në, dhe kjo është e qartë, e thjeshtë tash çka mbetet të shihet dhe vërtetohet të opinioni është seanca e 3 gushtit...PAN-i duhet ta duhet ta propozoj dikë tjetër për kryetar të Kuvendit e jo Veselin, ata do të dështojnë në krijim të Qeverisë dhe pastaj koalicioni jonë dhe VV do t’i mbledhim 61 nënshkrime që të vërtetojmë tek kryetari Thaçi që ne jemi shumica parlamentare”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili do të jetë për herë të tretë në Kuvendin e Kosovës, akuzoi zyrën e presidentit për vonesën e thirrjes së seancës. Derisa, u shpreh se janë të gatshëm të udhëheqin institucionet.

Selimi: Shumica dihet në cilën anë është

“Normalisht që nuk mund të mburremi me dinamikën e asaj çfarë ndodhi sot, sepse ka mundur të ndodh shumë më herët, ka mundur të ndodh nëse ata që duhej ta thërrisnin seancën ta bënin në kohë, por po duket që persona të caktuar në zyrën e presidentit po duan edhe me shumë ta vonojnë këtë dinamikë për t’i krijuar kohë një subjekti apo krahu të caktuar politik që të manipuloj edhe me tutje me kohën. Sidoqoftë ne jemi gati për të udhëhequr me institucionet e Kosovës, tashme po shihet edhe një herë këtu shumica në cilën anë peshon”, theksoi Selimi.

I pyetur nëse janë të gatshëm të lëshojnë pe për postin e kryeministrit nëse bëjnë koalicion me koalicionin LAA, nëse koalicioni PAN dështon ta themelojë Qeverinë, Selimi tha se me LDK-në po diskutojnë për programet dhe ende nuk kanë ardhur në fazën e posteve.

Regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së gjashtë do të bëhet edhe nesër dhe pasnesër.

Fillon regjistrimi i deputetëve të rinj

Ka filluar regjistrimi i deputetëve të rinj të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.

Ndër të parët që është regjistruar është deputeti i Vetëvendosjes Dukagjin Gorani, Rasim Selmanaj dhe Haxhi Shala nga koalicioni PAN, Ilir Deda nga koalicioni LAA, etj.

 Regjistrimi i deputetëve të rinj do të vazhdojë edhe nesër dhe pasnesër ndërsa seanca konstituive është caktuar të mbahet më 3 gusht ku pritet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

***

Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet me datë 3 gusht.

Ndërsa, sot do të nis regjistrimi i deputetëve të rinj të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Legjislaturës VI, përcjell Bota sot.

Kjo do të bëhet nga ora 11 në hollin e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat