Përfundon regjistrimi i deputetëve, LAA e VV të sigurt kundër PAN-it

Aktuale

Përfundon regjistrimi i deputetëve, LAA e VV të sigurt kundër PAN-it

Më: 28 korrik 2017 Në ora: 16:39
Deputeti i VV-së Glauk Konjufca

Ka përfunduar regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së gjashtë. Për tri ditë rresht u regjistruan 112 deputetë, derisa 8 të tjerë do të regjistrohen të hënën, para datës 3 gusht, kur është caktuar seanca konstituive.

Deputetët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë të jenë këmbëngulës se nuk do t’i bashkohen koalicionit PAN për themelimin e institucioneve të Kosovës.  

Deklarimet e përfaqësuesve të koalicionit PAN se i kanë numrat për ta zgjedhur kryetarin dhe qeverinë i quajnë deklarime të një projekti të dështuar.

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, pret që me 3 gusht asnjë deputet i koalicionit LAA të mos e votojë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi dhe Ramush Haradinaj për kryeministër.     

Osmani: Deklarimet për numrat, janë deklarime të një projekti të dështuar

“Tash deklarimet e koalicionit PAN për numra, janë deklarime të një projekti të dështuar tashmë ende pa filluar. Unë pres që me 3 gusht ashtu siç e parasheh kushtetuta që të provohet me kandidatë e koalicionit PAN për kryetar të kuvendit dhe natyrisht që është vendim unanim i koalicionit tonë që përfshinë LDK, AKR dhe Alternativën që absolutisht të mos votojë për kandidatin Kadri veseli të këtij koalicioni  në qoftë se ai do të kandidohet. Dhe po ashtu që dhe asnjë votë e koalicionit tonë të mos shkoj për kandidatin për kryeministër apo për qeverinë e koalicionit PAN. Në momentin që dështon qeveria PAN natyrisht që tashmë ka përpjekje intenzive, që të arrihet një marrëveshje në mes të LDK-së dhe VV-së për bashkëqeverisje. Edhe pse ende jemi në fazën e hershme të ndërtimit të programit qeverisës, megjithatë jam optimiste që do të kemi mundësi që t’i ofrojmë Kosovës një qeverisje stabile e cila që ka 61 deputet shqiptar së paku, duke numëruar këto koalicionin tonë dhe VV po ashtu dhe pakicat që duhet të përfshihen në bazë të kushtetutës”, tha Osmani.

Ndërsa për deklarimet e deputeteve të LAA-së  se do ta votojnë kandidatët e koalicionit PAN, ajo tha se këto janë vetëm paragjykime dhe se nuk mund t’i komentojë këto deklarime para datës së 3 gushtit, datë kjo në të cilën do të mbahet seanca.

Deputeti i VV-së Glauk Konjufca thotë se vet shtyrja e seancës konstituive tregon se koalicioni PAN nuk i ka numrat. Derisa, ripërseriti se nuk do ta votojnë Veselin për kryeparlamentar, ndonëse nuk janë që në mënyrë të paarsyeshme të bllokojnë proceset e themelimit të institucioneve.

Konjufca: PAN-i si ka numrat, Veseli i papranueshëm për kryetar Kuvendi

“Këta do të mundohen t’i sigurojnë numrat vetëm nëse ndonjë deputet nga këta që nuk i takojnë koalicionit PAN do të kalojnë në anën e koalicionit PAN, kjo nuk më duket realiste por kurrë nuk mund të garantojmë deri në fund për dinjitetin e secilit dhe për vlerat personale të secilit...VV nuk është që në mënyrë të paarsyeshme ta bllokoj çfarëdo procesi për zgjedhjen e institucioneve të Kosovës. Por për neve është shumë me rëndësi se kush do të jetë i propozuar nga koalicioni PAN, për neve kjo është esenciale, pra emri që do të jetë i propozuar për kryetar të Kuvendit. Nëse do të jetë ai që ka qenë deri tash, për neve është i papranueshëm. LVV do të votoj kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t’i shqyrtojmë emrat tjerë nëse Veseli rrëzohet”, u shpreh Konjufca.

Mirëpo, kohëve të fundit janë përfolur disa emra nga koalicioni LAA se do ta votojnë edhe kandidatin për kryetar të Kuvendit edhe themelimin e Qeverisë.

Por, sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri thekson se ata si grup parlamentar të tri subjekteve politike kanë një qëndrim, derisa tha se varet nga secili deputet në përgjegjësinë e vet ta respektoj ose jo këtë.

Beqiri: Grupi parlamentar i LAA-s ka thënë qëndrimet e veta

“Unë nuk mund të flas për të tjerët në kuptimin se çfarë thonë. Është e vërtetë se ne kemi pasur dy takime të grupit parlamentar, ose deputetëve që i takojnë tri subjekteve politike, LDK-së AKR-së dhe Alternativës dhe ky qëndrim është thënë në takime të tilla, kështu që çfarë kanë thënë me vonë ose çfarë do të bëjnë unë nuk dua të merrem me këtë...edhe njëherë po e përsëris nuk është punë befasie por punë parimesh dhe sa do të respektohen është çështje tjetër....Shikoni, Teuta është e moshës madhore e ka thënë qëndrimin e saj dhe publikisht e ka thënë kështu që do të ishte shumë spekuluese dhe paragjykuese që të flas në emër të Teuta Rugovës.

Ndërsa, deputeti i AKR-së Islam Pacolli tha se ata janë unik si deputetë të kësaj partie dhe se vendimet i marrin në kryesinë e AKR-së, por nuk ka treguar se cilin vendim kanë marrë.

Pacolli: AKR është unike dhe vendimet i merr në kryesi

“AKR-ja është unike i ka deputetët e vet dhe vendimet merren brenda subjektit, me kryesinë e subjektit, edhe me presidentin...sigurisht që AKR ka vendimet e veta dhe do t’i shihni me 3 gusht...i kemi ne vendimet tona dhe sigurisht që nuk ka nevojë t’ia shfaqim secilit që pyet...jo, nuk është çështje sekrete, ne e kemi një koalicion dhe jemi duke rrugëtuar mirë. Qeverinë do ta formoj ai që ka numrat...deri me tani gjithçka është në rregull dhe AKR ka kryesinë e vet dhe merr vendimet e veta”, theksoi Pacolli.

Komunitetet vazhdojnë të jenë ende të paqartë se si do të jetë vota e tyre në seancën e 3 gushtit. Deputetja e partisë boshnjake Partia e Re Demokratike Emilia Rexhepi tha se edhe ata i kanë disa kushte për votimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë. Madje, theksoi se kushtet e tyre ia kanë bërë të ditura edhe mandatarit për kryeministër Ramush Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat