Shumëfishohen krimet e shqiptarëve në diasporë, sociologu tregon arsyet pse po ndodhë kjo

Aktuale

Shumëfishohen krimet e shqiptarëve në diasporë, sociologu tregon arsyet pse po ndodhë kjo

Nailje Ejupi Nga Nailje Ejupi Më 22 gusht 2017 Në ora: 12:52
Policia, Gjermani

Media gjermane “Der Spiegel” i ka kushtuar një artikull të tërë shqiptarëve, mirëpo kësaj radhe për krimet e tyre.

Sipas medias gjermane, Gjermania është parajsë për kriminelët e huaj, kurse  në nëntë vitet e fundit krimet janë trefishuar, e shumica e shkelësve ligjorë në Nordrhein- Westfalen gjatë 2015 janë nga Serbia, Rumania, Turqia, Shqipëria dhe Gjeorgjia.

Drejtori i Kriminalistikës në Gjermani, Joachim Eschemann, ka treguar se në pesë vitet e fundit krimet nga shqiptarët janë tetëfishuar, nga rumunët janë trefishuar, ndërsa te gjeorgjianët kjo shifër është dhjetëfishuar.

Sipas tij, Gjermania duhet të ashpërsojë ligjet e vjedhjeve, grabitjeve dhe krimeve tjera, pasi është krijuar një përshtypje e tyre se këtu "është parajsë për mafiat".

Duke folur rreth numrit të shumëfishuar të krimeve të shqiptarëve në diasporë dhe sa keq pasqyrohet Kosova si vend në zhvillim, profesori universitar dhe sociologu Fadil Maloku, tha se fenomeni i krimit nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike.

Sipas Malokut, duhet shikuar edhe nëse është fjala për shqiptarët e Kosovës, apo të Shqipërisë si dhe duhen shikuar motivet e kriminalizimit të cilat janë të ndryshme.

“Fenomeni i krimit nuk ka të bëjë  me përkatësi etnike, por më shumë  me konstelacionin social, politik dhe atë kulturor të vendit, prej nga vjen individi. Tjetër, nuk është  e qartë, se a është fjala për shqiptarët e Kosovës, apo për ata të Shqipërisë. Them kështu, ngase gjykoj që edhe motivet për kriminalizim, janë  të  ndryshme. Edhe shkaku, i rrethanave sociale, procesit  të socializimit, mënyrës së ambientimit, etj”,  ka theksuar Maloku.

Ai ka treguar se nëse shkalla e kriminalitetit ka të bëjë me shqiptarët e Kosovës, atëherë për këtë gjë duhen adresuar faktorët sociolopolitik dhe jo atyre kulturor.

“Nëse, aludimi  është  për shqiptarët e Kosovës, atëherë  kujtoj  që  këtë shkallë kaq të lartë të kriminalitetit, duhet adresuar faktorëve sociolopolitik dhe jo atyre kulturor. Ngase, varfëria dhe papunësia enorme e Kosovës  që është unikate, jo vetëm në rajon, por, edhe në gjithë  Evropën, janë ca indikatorë që gjithsesi e "ndihmojnë" këtë shkallë  kaq të lartë  të  krimit! Në anën tjetër, kur këtyre faktorëve u shtojmë  edhe ata psikosocial, lakmia, ambienti, handikapet, paragjykimet, etj. kompletohet "portretizimi" i potencës kriminale”,  ka pohuar Maloku për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat