Thaçi në Nju Jork, takohet me Ministrin e Jashtëm të Singaporit

Aktuale

Thaçi në Nju Jork, takohet me Ministrin e Jashtëm të Singaporit

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 13:23
Takimi mes Hashim Thaçit dhe Vivian Balakrishnan

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka takuar mbrëmë, në Nju Jork, Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen ndaj Singaporit për miqësinë dhe partneritetin e treguar ndaj Kosovës, për vendimin e qeverisë së këtij shteti për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, si një fillim i një bashkëpunimi të suksesshëm.

“E përgëzova ministrin Balakrishnan për zgjedhjen e Presidentes së re të Singaporit, Halimah Yacob. Singapori është një model se si multi-kulturalizmi është një forcë e një shoqërie”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Singaporit, duke shtuar se Kosova është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh me Singaporin, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë.

Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin Balakrishnan për gatishmërinë për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Të dy  shprehën vullnetin e tyre për hapjen e një Zyre për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare të Republikës së Kosovës në Singapor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat