LDK: Nuk bëjmë koalicion më PDK-në në asnjë rrethanë

Aktuale

LDK: Nuk bëjmë koalicion më PDK-në në asnjë rrethanë

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 10:29
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate për media shpreh indinjatën në lidhje me raportimet nëpër media kinse për lidhje të koalicioneve në mes LDK-së dhe partive tjera.

Sipas këtij subjekti politik, sa herë që LDK-ja forcohet, oponentët  politikë lansojnë teori të rrejshme dhe konspirative kinse ne kemi marrëveshje të fshehta me PDK-në për bashkëqeverisje.

“LDK-ja nuk është parti e klaneve dhe grupeve të interesit. LDK është parti me traditë që ka struktura të saj të fuqishme, vendimet e të cilave janë obligative për të gjithë ne.  Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur që në këtë mandat në asnjë rrethanë ne nuk hyjmë në bashkëqeverisje me PDK-në dhe këtë e kemi dëshmuar në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

LDK njofton anëtarësinë e kësaj partie dhe gjithë qytetarët e Kosovës, që të jenë të përgatitur dhe të mos bien pre e propagandës kundër LDK-së në ditët e ardhshme.

“Këto propaganda tregojnë frikën dhe tmerrin që kanë ata nga vullneti i qytetarëve për ndryshim dhe për dënimin e atyre që e kanë kapur shtetin dhe e kanë mbytur perspektivën për të rinjtë tanë, sikurse edhe të atyre që shërbehen me dhunë dhe propagandë ekstreme”, thuhet në komunikatë.

 LDK-ja është e vendosur të fitojë zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës dhe t'ia shkurtojë jetën Qeverisë së pazareve dhe kontrabanduesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat